Pyetje ndaj drejtuesit të Prokurorisë se Posacme, z. Dumani, mbi raportimin vjetor në Kuvendin e Shqipërisë/ 15 Korrik 2024

Për sa i përket punës së SPAK-ut, kam disa pyetje shumë të thjeshta.  

Duke u nisur nga fakti që SPAK-u është një institucion i reformës në drejtësi, pra relativisht i ri, doja t’ju pyesja si drejtues i kësaj strukture: a mendoni se gjatë punës së strukturës së SPAK-ut janë bërë edhe gabime? Dhe, a mund të na thoni, nëse pranoni ndonjë gabim gjatë punës 1-vjeçare që raportoni si institucion, pra të SPAK-ut? 

Pyetja tjetër: duke qenë se publikisht ka pasur raste kur prokurorë të caktuar të strukturës së SPAK-ut janë akuzuar nga individë të caktuar, të cilët janë hetuar nga SPAK-u, a keni nisur ju hetim për ndonjë nga kolegët tuaj prokurorë dhe cilët janë ata, nëse mund t’a ndani me publikun? 

Së fundi, është një çështje që lidhet drejtpërdrejt edhe me zonat e mia elektorale, që ka të bëjë për pronat e ushtrisë. Pronat e ushtrisë janë dhënë me koncesion ose janë shitur, çka ka prekur sigurinë kombëtare, dhe janë prona që po hetohen nga SPAK-u. Pyetja është: a keni nisur ju një hetim për pronat e ushtrisë? Në këtë hetim, a përfshihen ish-ministrja Olta Xhaçka dhe Presidenti i Republikës, si ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, zoti Begaj?  

Shumë faleminderit!