Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Pikërisht përgjigjja juaj në lidhje me hartën gjyqësore, në fakt, lidhet me një pyetje tjetër, që unë ju kisha parashtruar, duke qenë se në standardet ndërkombëtare të Komisionit Europian, për eficiencën në drejtësi gjykatat nuk duhet të jenë shumë të mëdha dhe nuk duhet të kenë një numër të madh gjyqtarësh të përqendruar në një gjykatë, në mënyrë të tillë që të jenë të njëjtët që të japin drejtësi për çdo çështje.
Propozimi juaj për të bashkuar 6 gjykata në një gjykatë apeli dhe sidomos në kushtet e Shqipërisë, që është shumë e vështirë edhe nga ana e kostos edhe nga ana e produktivitetit, a ju rezulton juve si një sukses drejt uljes së çështjeve të afateve?
Pyetja tjetër është: sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2021, ju keni marrë shumë masa si KLGJ, por rezultojnë të pasuksesshme dhe të pamjaftueshme për të shqyrtuar të gjitha seancat gjyqësore brenda afateve. Ndërkohë në raportimin tuaj në Kuvend, ju keni thënë se duhen nga 7 deri në 15 vjet për përfundimin e një çështjeje gjyqësore civile. Çfarë masash rregullatore mendoni ju se duhet të ndërmerren qoftë nga ligjvënësi, qoftë nga ju për të arritur një sistem drejtësie eficient në respektimin e çështjeve të afateve?
Pyetja e fundit, meqenëse pati një mbivendosje: a mendoni ju se tejzgjatja e mandatit për disa anëtarë qoftë te ju, te KLGJ-ja apo edhe te KLP-ja, prek pavarësinë e tyre? Pra, a mendoni se anëtarët, të cilëve u zgjatet mandati dhe që qëndrojnë ende në detyrë, do t’u jenë mirënjohës, në njëfarë mënyre, qeverisë apo Kuvendit që po i mban në detyrë dhe nuk po i zëvendëson?
Faleminderit!