Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Siç e ndoqët edhe nga kjo seancë me pyetje, e cila, në fakt, më vjen keq që i qëlloi zotit Ndocaj, por ishte si përfaqësues i Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar, ju e patë që e kishin të pamundur që të përgjigjeshin për shkeljet e njëpasnjëshme të drejtorit të Radiotelevizionit Shqiptar, ish-deputetit socialist dhe ish-drejtuesit të portalit të tij personal “AlpeNews”, Alfred Peza. Ia them këto emërtime, thjesht për të rikujtuar publikun që ai ndodhet atje në mënyrë të paligjshme, pasi këta, anëtarët e Këshillit Drejtues që sot kërkojnë nga Kuvendi i Shqipërisë ndryshimin e statutit, kanë shkelur ligjin me vetëdije për të zgjedhur zotin Alfred Peza. Një njeri që është zgjedhur në mënyrë të paligjshme, mendon se i takon ai post, mendon se me atë post mund të bëjë çfarë të dojë, mendon se Radiotelevizioni Shqiptar u kthye në “AlpeNews” ku mund të punësojë dhe mund të heqë nga puna kë t’i dojë qejfi atij. Dhe, në fakt, Radiotelevizioni Shqiptar nuk është “AlpeNews”, një portal i Pezës në një kat pallati, ku mund të punësojë kë të dojë, por është televizioni që mbahet me taksat e shqiptarëve; është televizioni që duhet të punojë për interesin publik.
144 shkarkime nga Radiotelevizioni Shqiptar janë 144 padi të mundshme për Radiotelevizionin Shqiptar, por zoti Ndocaj nuk e pranoi dot që 46 procese janë sot në gjykatat e Tiranës pikërisht për pushimet masive. Këto janë kosto që do të paguhen nga buxheti i
Radiotelevizionit Shqiptar, që do të thotë nga taksat e shqiptarëve. Janë para që duhet të shkonin për shërbime në Radiotelevizionin Shqiptar; janë para që duhet të shkonin për investime në Radiotelevizionin Shqiptar; janë para që duhet të shkonin për të marrë ato lloj të drejtash televizive që nuk i merr dhe do të shkojnë për të paguar punonjësit e shkarkuar në mënyrë të padrejtë.
A do të jetë kosto në buxhetin e këtij viti apo në buxhetin e dy-tre vjetëve të ardhshëm? Kjo pak rëndësi ka, rëndësi ka që do të jetë kosto, e cila do të paguhet nga taksat e qytetarëve, sepse gjyqet do të fitohen. Jo se e them unë, por sepse janë shkarkuar për shkaqe të rëndomta, për shkaqe që nuk gjejnë asnjë pikë në Kodin e Punës; janë shkarkuar pse kishin një makinë të shtrenjtë, që i dukej karshillëk drejtorit; janë shkarkuar pse vinin në punë edhe të shtunën, edhe të dielën; janë shkarkuar pse nuk sillnin 4 karrige në mbledhje. Pra, këto janë shkaqe që Kodi i Punës nuk i njeh, ndaj është garancia që këto do të jenë kosto për paratë e buxhetit shtetit.
Radiotelevizioni Shqiptar ka punësuar 155 punonjës të tjerë, të cilët i ka punësuar pa plotësuar kriteret. Çështjen e drejtorëve zoti Ndocaj e pranoi me shumë vështirësi, sepse ishte në vështirësinë e atij që duhet të zgjidhte: të tregonte të vërtetën dhe t’i bindej drejtorit, apo të fshinte të vërtetën dhe t’i bindej ndërgjegjes së tij. Pra, drejtorët e Radiotelevizionit Shqiptar, që sipas ligjit duhet të jenë dy kandidatura alternative dhe këto kandidatura duhet të jenë brenda kritereve të ligjit, janë bërë 8 muaj me komandim, teksa ishin paracaktuar se kush do të ishte dhe janë bërë kundër ligjit që thotë: komandimi merret nga brenda strukturës, sepse ti nuk mund të komandosh një njëri nga jashtë strukturës dhe ta bësh drejtor. Sipas statutit dhe ligjit të Radiotelevizionit, komandimi bëhet nga brenda strukturës, ndërsa këta i komandojnë nga jashtë. Sot, pa pasur vitet e punës në CV, sipas Drejtorisë së Tatimeve dhe librezës së punës, ata emërohen drejtorë. Si tha zoti Ndocaj? Tha: ne nuk kemi parë gjë, dokumentet i ka parë drejtori. Në fakt, nuk i takon drejtorit t’i shikojë dokumentet, sepse emëron Këshilli. Këshilli është autoriteti që emëron drejtorët, drejtori është propozuesi, por Këshilli është ai që duhet t’i emërojë. Këshilli bën të paditurin, kinse, sepse u shërben interesave të drejtorit, dhe vetëm pak anëtarë të Këshillit nuk kanë marrë pjesë.
Dje është bërë një puç institucional brenda Radiotelevizionit Shqiptar. Teksa kryetari i Këshillit ka depozituar shkresën në protokollin e Kuvendit, më falni, në protokollin e Radiotelevizionit Shqiptar (se Kuvendi kishte shkresa të tjera), për të thënë: kandidatët që keni sjellë ju nuk plotësojnë kriteret, plotësoni kriteret ligjore dhe më pas silleni, drejtori ka kërkuar mbledhje dhe nënkryetari i Këshillit e ka mbledhur këshillin në mënyrë të paligjshme për t’i miratuar në shkelje të ligjit, duke u hedhur hi syve njerëzve, si dhe duke thënë atë justifikimin që tha zoti Ndocaj, që dosjet nuk i shikojmë ne, i shikon drejtori. Ku t’ia hedhin topin njëri-tjetrit se kush do të shkojë para SPAK-ut për shpërdorim detyre, minimumi, pa veprat e tjera.
Zoti Ndocaj pranoi dhe një të vërtetë të madhe, pranoi që festivalit i është sjellë buxheti 2 ditë para, që e kanë miratuar mbasi ishte bërë faktik; mbasi kishte hyrë në punë; mbasi ishin zgjedhur njerëzit dhe tha: herën tjetër nuk do t’ia lejojmë. Se sa do ia lejojnë herës tjetër nuk e dimë, se mund të bëjnë të njëjtën gjë, por fakti tregon që herën e parë e kanë bërë në mënyrë të paligjshme, e pranuar edhe këtu, e pranuar edhe në komision, dhe e ditur botërisht. Po pse ka rëndësi? Sepse edhe ato janë para të buxhetit të Radiotelevizionit Shqiptar, janë para të taksapaguesve shqiptarë, sepse e nënvizoj edhe një herë: televizioni është një e mirë publike, nuk është një çiflig personal.
Nga ana tjetër, janë raportet e Bashkimit Europian. Bashkimi Europian e kishte hequr Radiotelevizionin Shqiptar nga raportimet e tij, sepse, në një farë mënyre, brenda formulës së zgjedhjes së këshillit, ku kishin përfaqësuesit e tyre mazhoranca dhe opozita, dhe kryetari i këshillit zgjidhej me konsensus, ishte krijuar njëlloj distancimi dhe barazie ndaj politikës. E kundërta ka ndodhur me Këshillin Drejtues, i cili sot është monokolor; është vetëm një anëtar i zgjedhur nga opozita dhe të gjithë anëtarët e tjerë janë të zgjedhur nga mazhoranca. Ndërkohë, drejtori është edhe një ish-deputet i mazhorancës dhe ky është shqetësimi i parë i kontrollit që ka bërë raporti i Bashkimit Europian.
Shqetësimi i dytë lidhet pikërisht me shkarkimet, me shkarkimet e gazetarëve. Ata nuk kanë shkurtuar të gjithë punonjësit e medies, sepse aty janë shkarkuar edhe kostumografë, edhe teknikë audioje, edhe të tjerë, por kanë shkarkuar gazetarë profesionistë; gazetarë me nga 30 vjet përvojë në Radiotelevizionin Shqiptar; gazetarë me emisione në Radiotelevizionin Shqiptar; gazetarë me arkivë të pasur në Radiotelevizionin Shqiptar, që u shkarkuan me një të rënë të lapsit. Ky është shqetësim. Zoti Ndocaj (po bëhem referenciale, në fakt, për të treguar që i pranojnë edhe vetë shkeljet) pranoi faktin tjetër që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka qenë dy herë, dhe janë dokumentet që besoj se shpejt do të bëhen publike, që tregojnë për shkeljet me fondet në Radiotelevizionin Shqiptar të bëra nga Alfred Peza. Është për të ardhur keq se si niveli i të ardhurave nga reklamat në Radiotelevizionin Shqiptar ka rënë me 67% në tre vjetët e fundit, sepse nuk bëjnë një radiotelevizion profesional, një radiotelevizion që thërret shikueshmëri, sepse në qoftë se do të kesh shikueshmëri, do të vijë edhe reklama, por mburren me TikTok, me Instagram, me barsoleta, që i bien edhe opozitës shqiptare. Misioni i Radiotelevizionit Shqiptar nuk është që të kthehet në argëtues “entertainment” në TikTok, take view dhe share dhe të mos ketë shikues në Radiotelevizionin Shqiptar, të mos ketë shikues që të reflektohen në matjet e audiencës dhe të mos ketë shikues që reflektojnë në dhënien e parasë për reklama.
Për sa u përket kompeticioneve, është e pavërtetë që s’kanë para. Kanë para, sepse i kanë blerë gjithmonë edhe me buxhetet më të vogla. Thashë ka qenë ose mosdituria, sepse normale, po të marrësh staf të pakualifikuar dhe të pushosh nga puna ata që i dinë si bëhen procedurat, do të ndodhin këto, ose është arsyeja tjetër, që kanë interesa të lidhura me privatin.
Nga ana tjetër, në mbyllje të fjalës sime, dua të përsëris një shqetësim shumë serioz. Ky Kuvend edhe sot do të miratojë një rezolutë dhe ka miratuar një rezolutë edhe në vitin e kaluar. Në trembëdhjetë rekomandime nuk është zbatuar asnjë dhe kjo tregon qartësisht nivelin e punës së Radiotelevizionit Shqiptar nën drejtimin e paligjshëm të drejtorit të Përgjithshëm Alfred Peza. Ky Kuvend dhe Komisioni i Edukimit do të duhet të jenë më proaktivë, të marrin masa dhe Radiotelevizionin Shqiptar ta kthejnë në një televizion që u përgjigjet kërkesave dhe interesit publik.
Shumë faleminderit!