Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Së pari, për efekt procedural më duket shumë e pakuptimtë që u bë i treti institucion që nuk raporton personi përkatës, që ka detyrimin për të raportuar para Kuvendit. Më duket mosrespektim i Kuvendit të Shqipërisë. Nuk ka asnjë kuptim që të vijë një anëtar i Këshillit Drejtues dhe të flasë në emër të Këshillit Drejtues, ku anëtari mund të ketë qëndrimin e vet pro apo kundër atij raporti, sepse na ka ndodhur që në Komisionin e Medies, vetë kryetari i Këshillit nuk ishte dakord me raportin që lexoi. Kjo mund të ketë qenë arsyeja që kryetari nuk ka ardhur, sepse nuk është dakord me ato që janë në raport.
Edhe te Komisioneri erdhi dikush tjetër, edhe për Administratën Publike ia dhatë ministres ta bëjë. Ndërkohë që administrata duhet të ishte e depolitizuar, ju vini ministren si kreun e administratës publike dhe kjo tregon mosrespekt ndaj Kuvendit. Kjo ishte për procedurë.
Pyetjeve që kam për ju, zoti Ndocaj, nuk e di nëse mund t’i përgjigjeni si anëtar i Këshillit Drejtues, por përderisa keni marrë angazhimin të vini dhe të flisni në emër të Këshillit, besoj se e keni detyrim.
Pyetja e parë është: a ka marrë informacion zyrtar Këshilli Drejtues dhe a ka shpjegime dhe qëndrime në lidhje me shkarkimet masive nga puna, për plot 144 punonjës të RTSH-së? Për këto shkarkime nga puna, në fakt, është folur edhe në raportin e fundit “Rule of law” të Komisionit Europian, teksa thotë që transmetuesi publik, pra RTSH-ja, shkarkon në mënyrë të padrejtë nga puna gazetarët dhe punonjësit e medies. Raporti është publikuar jo më larg se dje. Është i 13-ti raport që bëhet nga organizata brenda vendit, jashtë vendit, nga institucionet e BE-së, që ngre shqetësim për RTSH-në. A keni ju, si Këshill Drejtues, një plan për këtë? A keni ju mundësi për t’i ndaluar këto shkarkime të paligjshme, që bën drejtori i paligjshëm i RTSH-së, zoti Alfred Peza? Çfarë qëndrimi keni ju, si Këshill Drejtues, për punësimet e paligjshme në RTSH? Plot 155 punësime, nga të cilat në faqen tuaj të RTSH-së vetëm 4 vakanca janë reflektuar, të gjitha vakancat e tjera janë mbushur para se të krijoheshin vakancat. Pra, është krijuar vakanca pasi është gjetur personi që do ta zëvendësojë. Ka edhe raste, siç unë jua kam treguar, nuk e di nëse ju ishit prezent në seancën dëgjimore, ku drejtori juridik, që shkarkonte njerëz, nuk ishte emëruar ende si drejtor juridik, sepse ishte në konkurs. Çfarë qëndrimi ka Këshilli Drejtues i RTSH-së? Apo po bëhet pjesë e shkeljes, duke mos reaguar ndaj këtyre punësimeve të paligjshme dhe ndaj këtyre shkarkimeve të paligjshme? Sepse ju si RTSH, nuk mund të thoni, siç tha drejtori (ma thoni nëse mendoni kështu), që punonjësit e mëparshëm rrinin kot. Sepse, nëse punonjësit e mëparshëm rrinin kot, duhet të shkojnë për ndjekje penale drejtorët e mëparshëm të RTSHsë, një prej të cilëve sot është zëvendësministër i qeverisë “Rama”. Nëse ata rrinin kot, edhe vendet e tyre të punës do të duhej të ishin suprimuar dhe jo të merreshin në punë 155 të tjerë. Tani ka hequr 155, që rrinin kot, që ishin miqtë e atij të parit dhe ka marrë 155 që janë miqtë e këtij?! Pra, kjo është reforma e RTSH-së, Nëse është kështu, siç thotë zoti Peza, sepse unë besoj se janë hequr profesionistët në mënyrë të padrejtë?!
A jeni në dijeni ju, si Këshill Drejtues, që ka 46 procese gjyqësore të pranuara nga gjykata për punësimet e paligjshme dhe që deri më sot janë fituar të paktën 4 procese? Duke qenë se janë të ngjashme proceset me njëri-tjetrin, sepse mënyra është e njëjtë, e paligjshme, e shkarkimit nga puna dhe priten që të fitohen edhe të tjera, me këto shkarkime të paligjshme ju ezauroni të gjithë buxhetin e RTSH-së. A ka një plan “b” Këshilli Drejtues për t’i dalë në ballë kësaj situate, apo do të harxhohen paratë e taksapaguesve shqiptarë vetëm për kapriçiot e Alfred Pezës, në krye të RTSH-së? Apo do ta bëni ju, si Këshill Drejtues, me një vendim që paratë të paguhen në mënyrë personale nga Alfred Peza, duke qenë se vendimet kanë qenë personale dhe jo të Këshillit Drejtues?
Një shqetësim, që lidhet me RTSH-në, është fakti se për një vit drejtorët e rëndësishëm të RTSH-së kanë qenë të komanduar njerëz nga jashtë. Ligji nuk e lejon komandimin nga jashtë, ligji lejon komandim vetëm brendapërbrenda strukturës, ligji kërkon emërim nga Këshilli Drejtues. Duke qenë se Alfred Peza nuk i kalonte dot në Këshillin Drejtues, për shkak të kritereve, ka funksionuar me komandim. Ju a keni marrë masa për ta ndaluar këtë situatë?
Dhe pyetja tjetër lidhet me mbledhjen e djeshme: ju dje keni bërë një mbledhje të paligjshme të Këshillit Drejtues, pa prezencën e kryetarit të Këshillit, pikërisht për të formalizuar këtë shkelje që unë sapo jua thashë: drejtorët, të cilët ishin të komanduar, të cilët nuk plotësonin kriteret e ligjit (dhe për këtë referojuni shkresës që ka depozituar në protokoll Leka Bungo, kryetar i Këshillit), sepse nuk ishin depozituar librezat e punës, që vërtetonin që kishin të paktën 5 vjet në medien audiovizive, dhe ju, me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, keni bërë një mbledhje klandestine teksa keni shkelur ligjin dhe keni emëruar ata njerëz që ishin paracaktuar dhe që kishin një vit si drejtorë, në shkelje të ligjit, pa bërë një mbledhje të rregullt, përkundrejt asaj që është protokolluar. A jeni i vetëdijshëm, ju, si anëtar i Këshillit dhe anëtarët e tjerë të Këshillit, që morën pjesë në këtë mbledhje, se janë duke konsumuar shkeljen e ligjit dhe vepra penale që lidhen me shpërdorimin e detyrës dhe kryesisht për nënkryetarin e Këshillit, i cili mori përsipër që të bënte atë mbledhje farse?
Pyetja tjetër është: a jeni në dijeni për të gjitha raportet e BE-së, që e anatemojnë punën e RTSH-së si të paligjshme dhe si politike? Duke qenë se zoti Peza (e rikujtojmë për të gjithë ata që mund ta kenë harruar, por nuk besoj se e kanë harruar “zotin 1 milionë dollarë”), ka qenë deputet i Partisë Socialiste para dy legjislaturave, që nuk lejohet, dhe si deputet i partisë, bashkë me të gjithë ato shkelje të tjera, që unë ia kam numëruar në Komision dhe nuk do t’i përsëris këtu, ju përsëri e keni lënë drejtor, dhe BE-ja e ngre këtë alarm, nuk mundeni ju, që si Këshill Drejtues ta ktheni në ligjshmëri RTSH-në dhe të shkarkoni drejtorin e paligjshëm, me këto sjellje antiligjore, por duhet veç të thoni: është gabim, po nuk kemi se çfarë të bëjmë? Cili është qëndrimi juaj, në këtë rast, jo juaji personalisht, por i Këshillit, meqenëse keni ardhur në emër të Këshillit?
Nga ana tjetër folët për suksese të RTSH-së. Në RTSH në vitin 2023 të ardhurat nga reklamat ranë në 72 milionë lekë, pra 720 mijë euro, në krahasim me 217 milionë lekë, që kanë qenë në vitin 2022. Kjo ishte rënia më drastike e të ardhurave të RTSH-së, me 67%. Ju, si anëtar i Këshillit Drejtues, e quani këtë sukses të RTSHsë dhe mendoni se raporti, që ju lexuat, tregon realitetin, se keni më shumë like dhe share në TikTok apo Facebook, ku bëni edhe postime që tallni dhe vini në lojë opozitën e Shqipërisë? Për ju ky është sukses, apo janë sukses të ardhurat e RTSH-së dhe krijimi i emisioneve, që i shërbejnë publikut dhe interesit publik?
Pyetja tjetër e imja është…
(Drejtimin e seancës e merr zëvendëskryetarja, Ermonela Felaj.)
Ermonela Felaj – Zonja Zhupa, ndjesë që ju ndërpres! Nuk e di a e ka mundësinë zoti Ndocaj që të ndjekë çdo pyetje, sepse përpara ka një letër të tillë me 4 pyetje, dhe unë vetëm nga koha sa ju dëgjoj, shoh që ju keni më shumë se 4 pyetje, sepse çdo pyetje ka edhe nënpyetje. A mund të jeni pak më e përmbledhur, ju lutem? Sepse nuk mund të jetë mundësia për të dhënë përgjigje, kur pyetjet janë depozituar ndërkohë.
Dhe diçka shumë njerëzore për përmbledhjen, mbani parasysh që zoti Ndocaj po qëndron në këmbë, ju jeni ulur dhe pyetjet nuk po mbarojnë.
Ina Zhupa – Po mirë, doni që të ngrihem edhe unë në këmbë?
Po, mirë, le të ulet zoti Ndocaj.
Ermonela Felaj – Po edhe ju mund t’i përmblidhni pyetjet tuaja. Pra, t’u përmbaheni pyetjeve që i keni bërë. Më duket se nuk është e drejtë që tani të bësh pyetjet, t’i depozitosh, i ftuari të marrë pyetjet, t’i shohë, të përgatitet për përgjigjet dhe pastaj pyetjet nga vendi katërfishohen.
Ina Zhupa – Zonja Felaj, e para lejohet me Rregullore.
Ermonela Felaj – Nuk kemi replikë bashkë, vazhdoni me pyetjet!
Ina Zhupa – Së dyti, unë kam ngritur çështjet madhore për të cilat do të merrte informacion, dhe më pas kam detajuar pyetje për ato çështje madhore.
(Ndërhyrje pa mikrofon)
Pyetja tjetër: si e justifikoni ju, si anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH-së, që RTSH-ja nuk arriti dot të marrë asnjë të drejtë ekskluzive për kompeticione të rëndësishme, (i fundit ishte Kampionati Europian), ku merr pjesë Shqipëria, kur RTSH-ja, me më pak të ardhura edhe nga buxheti i shtetit, i cili çdo vit ia rrit të ardhurat RTSH-së, ka fituar të drejtën për kompeticione të rëndësishme botërore, europiane, MotoGP, Champions League, janë pa fund, që të mos jua bëj listën. Si ka mundësi që sapo shkon drejtor Alfred Peza, Radiotelevizioni Shqiptar nuk fiton asnjë kompetecion? Kjo është nga aftësia e madhe që ka, apo janë duke u përdorur paratë e taksapaguesve për t’u hapur rrugë disa privatëve për të marrë të drejtat televizive, që publiku shqiptar ta paguajë dy herë, të paguajë edhe taksën e Radiotelevizionit Shqiptar, edhe taksën e një platforme tjetër digjitale, e cila merr të drejtat ekskluzive të këtyre kompeticioneve.
Nga ana tjetër, një shqetësim i madh ka të bëjë me dhënien e pronave të Radiotelevizionit Shqiptar. Pikë së pari, ju, si Këshill Drejtues keni marrë vendim për dhënien e një prone publike të Radiotelevizionit Shqiptar te privati dhe jeni duke diskutuar për një pronë tjetër. A mund të e na shpjegoni, si Këshill Drejtues, se çfarë merr Radiotelevizioni Shqiptar mbrapsht nga këto marrëveshje që bën me Ministrinë e Ekonomisë? A është fitimprurëse dhënia e këtyre hapësirave për oligarkë të caktuar? Çfarë fiton Televizioni Shqiptar dhe publiku nga kjo?
Zoti Ndocaj, ju, si anëtar i këshillit, gjithmonë në emër të këshillit, a e keni marrë ndonjëherë zotin Peza në mbledhje të këshillit për t’i thënë: si ka mundësi që nga 13 rekomandime të Kuvendit, të 13-ta nuk janë realizuar? Pra, nuk ka asnjë rekomandim të rezolutës së vitit të kaluar, që Radiotelevizioni Shqiptar ta ketë zbatuar, asnjë, zero. Ju, si këshill, a merrni masa për këtë?
Ne do të miratojmë sot një rezolutë, e cila do të ketë rekomandime për vitin e ardhshëm. Ju përsëri nuk do ta vini ujin në zjarr dhe do të vini këtu pa bërë asnjë rekomandim në raportimin në Kuvend; më duket se ne do të miratojmë dokument pune, kemi punuar gjatë e gjerë për atë dokument pune, që ju të vini dhe të raportoni mbi arritjet e atij dokumenti. Zoti Peza e ka për detyrë të krijojë një plan veprimi për zbatimin e rekomandimeve dhe të vijë në Këshillin Drejtues. A e ka bërë këtë gjë? A do t’ia kërkoni ju ta bëjë këtë gjë për vitin e ardhshëm?
Ju, si Këshill Drejtues, keni marrë vendimin që të suprimoni Këshillin për Dëgjuesit dhe Shikuesit, ndërkohë që neve në Kuvend na ka ardhur para 3-4 ditësh përfaqësuesi i atij këshilli, i cili thoshte se ne po punojmë në këtë këshill, kemi që nga marsi i këtij viti që po punojmë. A keni bërë ju një bilanc të argumenteve pro dhe kundër për shkrirjen e një institucioni brenda Radiotelevizionit Shqiptar, siç është Këshilli për Dëgjuesit dhe Shikuesit? Pra, çfarë fiton televizioni po ta shkrijë dhe çfarë fiton po ta mbajë? Kush e ka bërë këtë analizë? A ka ndonjë raport? Nëse po, a mund ta kemi ne si komision për të marrë vendimin?
Zoti Ndocaj, edhe procesverbalet, edhe të gjitha zbardhjet e mbledhjeve të Këshillit Drejtues nuk gjenden në uebin e Radiotelevizionit Shqiptar. Në dijeninë time, me aq dëgjesa sa kemi pasur në komision, zoti Bungo ka thënë “I kam kërkuar drejtorit të Përgjithshëm që të sjellë një gazetar që të bëjë zbardhjen, lajmin, dhe ta hedhë në ueb”, ndërkohë që kjo gjë nuk ka ndodhur. Çfarë ndodh konkretisht dhe si mund t’i aksesojë publiku vendimmarrjet që merr Këshilli Drejtues në lidhje me Radiotelevizionin Shqiptar që mbahet me taksat e shqiptarëve?
Gjithashtu, ka një problem shumë të madh në lidhje me fondet që përdoren për festivalet. Për një festival shumë të rëndësishëm të Radiotelevizionit Shqiptar, por edhe festivale të tjera, siç ka qenë “Za Fest”, por edhe të tjera që bën Radiotelevizioni Shqiptar, pyetja e parë: juve, si Këshill Drejtues, a ju vjen në kohë raporti nga drejtori i Përgjithshëm për shpenzimet e festivalit? Sepse, në dijeninë time, nga anëtarë të Këshillit, nuk ju ka ardhur, janë bërë fakte të kryera dhe ju nuk dini asgjë mbi shpenzimet dhe paratë e festivaleve. Pyetja tjetër: a jeni në dijeni që ka raporte të Kontrollit të Lartë të Shtetit për abuzime me fondet e festivalit?
Unë kur kam pasur këtu drejtuesin e SPAKut, i kam thënë: a nisni ju edhe hetime kryesisht kur ka denoncime publike? Unë do të doja që kjo seancë publike t’i shërbejë edhe SPAK-ut si indicie për veprimtarinë e Radiotelevizionit Shqiptar. Gjithashtu, është e rëndësishme, pasi ju keni një bord administrimi, i cili do të duhet që, e para, të respektojë rekomandimet e Kuvendit, tjetra, të përgjigjet para Këshillit Drejtues. Në dijeninë time, ju mund të ma thoni, bordi i administrimit përgjigjet vetëm para drejtorit dhe nuk ju kthen juve përgjigje pa i dhënë leje drejtori, dhe Këshilli Drejtues nuk merr dot asnjë dokument në protokollin e Radiotelevizionit Shqiptar pa dhënë leje drejtori i Përgjithshëm?
Një metaforë që përdori kryetari i këshillit në komision ishte: në qoftë se kryetari i këshillit kërkon dokumente për festivale apo për çështje të ndryshme të menaxhimit financiar të Radiotelevizionit Shqiptar, i thonë se duhet t’i japë drejtori i Përgjithshëm. Pra, me pak fjalë duhet të pyesin drejtorin, a je hajdut, a vjedh apo jo dhe duhet të thotë drejtori nëse vjedh apo jo, dhe këshilli duhet ta marrë të mirëqenë. A po bëni ju diçka që të keni më shumë autoritet mbi drejtorin? A e dinë anëtarët e këshillit dhe a janë koshientë, unë jam munduar shumë herë t’jua them, që ato vërejtje këshillash, shkelje të ligjit që ata i thonë publikisht por edhe privatisht, janë të mjaftueshme për ta shkarkuar drejtorin e
Radiotelevizionit Shqiptar dhe sipas ligjit e kanë këtë fuqi? Sepse ju vini në Kuvend dhe thoni: na ndryshoni statutin, na ndryshoni ligjin se nuk e vëmë dot nën kontroll drejtorin e
Radiotelevizionit Shqiptar, ndërkohë që ju keni instrumentin më të rëndësishëm për ta vënë nën kontroll, shkarkimin. Më thoni se çfarë duhet të bëjë më shumë zoti Peza që ju të arrini në këtë instrument, në shkarkimin e drejtorit të Radiotelevizionit Shqiptar?
Në rekomandimet e Kuvendit, pikërisht se është një televizion që mbahet me taksat e publikut, ka dy çështje shumë themelore. E para, programet edukative të grupmoshës 10-14 vjeç, e dyta programet që kanë të bëjnë me mirëqenien shëndetësore dhe psikofizike të qytetarëve, të të rinjve dhe të grave. Ju si Këshill Drejtues, a merreni me këtë çështje dhe a kërkoni programacion? Nuk mundet që programacioni të kalojë me një të rënë të lapsit nga drejtori i Radiotelevizionit Shqiptar, pa u miratuar paraprakisht nga ju. Ka kanale televizive që Këshilli Drejtues ka marrë përsipër t’i votojë që të mbyllen dhe ndërkohë janë në transmetim. Pra, ju i keni votuar që të mbyllen dhe ato janë në transmetim. Ndërkohë, ka programe që jua kërkon Kuvendi, pra që ju duhet t’i transmetoni për interesin publik, dhe nuk transmetohen në Radiotelevizionit Shqiptar. A do të marrë ndonjë masë Këshilli Drejtues që të zbatohen edhe këto kërkesa, që lidhen me programet e Radiotelevizionit Shqiptar? E fundit, kjo që do t’ju them tani është personale, si anëtar i Këshillit Drejtues, a jeni i kënaqur me veprimtarinë e drejtorit të Përgjithshëm të Radiotelevizionit Shqiptar dhe a e shihni atë në përputhje me ligjin pas gjithë këtyre gjërave që ju thashë edhe unë, por që ju besoj se i dini më mirë sesa unë? Nëse nuk jeni i kënaqur, a mendoni se janë arsye të mjaftueshme për ta çliruar Radiotelevizionin Shqiptar nga kapja politike e një njeriu që e trajton si kazermën personale, për të shkarkuar dhe për të emëruar njerëz, sipas dëshirës?
Faleminderit!