Fjalim për abuzimet e qeverisë që faktohen sipas KLSH në 9.8 miliard euro/ 7 Nëntor 2024

Në fakt, e di që ju kemi prishur planet, e di që tani do të ishit në shtëpitë tuaja duke ndenjur rehat, por ne jemi këtu për të bërë betejën dhe kjo nuk ju pëlqen fare, e shikoj edhe nga niveli i fjalimeve që lënë shumë për të dëshiruar, më shumë duken si lexime të lodhura të relacioneve që ka sjellë ministria, sesa ndonjë reflektim real i buxhetit faktit të vitit 2023.  

Në fakt, për buxhetin e ardhshëm do të flasim dhe nuk do të desha që të flisja sot, por një gjë mund ta them: është buxhet i madh, por është buxhet i madh që u shërben vetëm interesave elektorale të Edi Ramës. Është buxhet i madh vetëm për t’u shpërndarë si llokma te klientët, oligarkët, shokët, miqtë e pushtetit, tek ata që më pas do të blejnë vota për Edi Ramën. Është buxhet i madh që shkon në një rrugë të drejtë me shprehjen e Edi Ramës, në fakt, që i shkon Edi Ramës: “Vjedhin Shqipërinë për të vjedhur zgjedhjet dhe vjedhin zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë”. Ky është slogani i Partisë Socialiste në këta 12 vjet dhe me këtë buxhet atë po bëjnë, po vjedhin Shqipërinë me arsyen themelore për të vjedhur zgjedhjet e vitit 2025. Mirëpo realitetin nuk ua fshihni dot shqiptarëve, sepse e ndiejnë çdo ditë në kurriz. Ato fjalët që tha zoti Etjen Xhafaj, që ishim më mirë se Italia, ishin vërtet për të qeshur dhe ato na bindën më shumë se ju fjalimet sot i keni të improvizuara, sepse ndryshe nuk do të dilnit kaq fiasko.  

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, unë kam marrë tabelën e të gjitha viteve, që nga viti 2014, por do të ndalem te ky vit më gjatë, këto janë abuzimet që ka nxjerrë Kontrolli i Lartë i Shtetit nga paratë publike, abuzime që, në fakt, janë thjesht maja e ajsbergut, pasi Kontrolli i Lartë i Shteti nuk ka mundësinë t’ju hyjë juve në telefona dhe të kuptojë sesi i paracaktoni ofertat dhe fituesit. Në vitin 2014, 240 milionë euro dëm; në vitin 2015, 1,6 miliardë euro dëm; në vitin 2016, 723 milionë euro dëm; në vitin 2017, 1,1 miliardë euro dëm; në vitin 2018, 2,1 miliardë euro dëm; në vitin 2019, 1,3 miliardë euro dëm; në vitin 2020, 880 milionë euro dëm; në vitin 2021, 660 milionë euro dëm; në vitin 2022, 470 milionë euro dëm dhe në vitin 2023, 723 milionë euro dëm. Në total janë 9,8 miliardë euro dëm ndaj qytetarëve shqiptarë, të vjedhura nga buxheti i shtetit, të grabitura nga ju.  

A do të mjaftonin 9,8 miliardë euro për të rritur pensionet? A do të mjaftonin 9,8 miliardë euro për t’u dhënë tarifa falas studentëve? A do të mjaftonin 9,8 miliardë euro që të kishin ilaçe tek Onkologjiku apo në spitalet rajonale? Po, sigurisht, do të mjaftonin, mirëpo nuk janë vetëm 9,8 miliardë, janë shumë më shumë se 9,8 miliardë, sepse këtu nuk përfshihen koncesionet që janë ende në hetim, koncesionet e ardhshme që do të heton, nuk përfshihen të gjitha aferat tuaja.  Ne kemi një komision hetimor, të cilin ju e keni kthyer në një komision fasadë; një komision hetimor, të cilin ju e drejtoni me atë që hetohet për korrupsion. Madje, doni edhe tjetrën, për interesin publik?! Ilir Beqaj mbrohet në gjykatë nga avokati Ermal Yzeiri, Plarent Ndreca mbrohet në gjykatë nga avokati Ermal Yzeiri. Pra, avokati i atij që hetohet është i njëjtë me avokatin e atij që duhet ta hetojë. Pra, Ermali i bën pyetjet Plarentit se çfarë duhet t’i thotë Beqajt dhe më pas i bën përgjigjet Beqajt se çfarë përgjigjesh duhet t’i kthejë Plarentit. Ky është standardi i hetimit parlamentar që ju na ofroni ne. Ju e zgjatët komisionin hetimor, edhe pse kishit një kërkesë nga opozita për ta zgjatur, sepse na përjashtuat në mënyrë të padrejtë dhe nuk merrnim dot pjesë në komisionin hetimor, vetëm 2 javë, 2 javë kur ne nuk ishim prapë. Me zgjatjen tuaj, neve na mbaronte dënimi në datën 12 dhe komisioni hetimor duhej të mbyllej në datën 14, pra do të kishim vetëm një ditë për të hetuar. Ky është standardi që ju na e ofroni si një standard që jeni të hapur për llogaridhënie, për transparencë, për përfshirjen e opozitës. Këtë mund ta thoni në gjuhë të huaj, mund t’ua thoni ndoshta edhe atyre që nuk e njohin mirë realitetin, por nuk mund t’u hidhni hi syve shqiptarëve dhe nuk mund të na bëni neve show dhe teatër sikur vërtet doni të zbatoni Rregulloren, Kushtetutën dhe sikur ky Parlament do të hetojë aferën, sepse vetëm për vitin 2023, përsëri sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit (ai Kontroll i Lartë i Shtetit, të cilin ju po e persekutoni, pikërisht sepse nuk ju pëlqejnë këto shifra dhe do të donit që të kalonte më shumë kohë në komision me Shalsin, sesa duke bërë punën e tij dhe duke monitoruar institucionet tuaja, por ta harroni se keni për të ndalur një institucion të pavarur që të kryejë punë e tij dhe funksionin e tij), koncesioni në shëndetësi, koncesioni i checkup-it që ne po hetojmë, për vitin 2023, pra vetëm për një vit, ka kryer pagesa për shërbime të pakryera, pra ka dhënë para për analiza të pabëra, me pak fjalë, për 6577 raste, me një vlerë 12 milionë lekë të reja, pra, 120 milionë lekë të vjetra. Ne kemi para që t’ia japim koncesionarit pa bërë asgjë.  

Ndërkohë, thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit, vetë koncesioni është treguar edhe këtë vit i pasuksesshëm në misionin që ka dhe për të cilin është dhënë, që ishte ulja e sëmundshmërisë së popullatës, sepse do t’i kapte në kohë sëmundjet dhe do t’i kuronte më mirë, sipas motivit që u dha, pasi kjo vërehet me shtimin e sëmundjeve kronike, me shtimin e shtrimeve në spital, me shtimin e ilaçeve të rimbursueshme, dhe të gjitha këto me shifra, me fakte dhe me prova. 

Mirëpo ju vazhdoni jepni para, vazhdoni dhe i hetoni vetë, sepse s’doni ta hetojmë ne. 

 Koncesioni i sterilizimit ka marrë për vitin 2023 100% të planifikimit vjetor, 1 miliardë e 750 milionë.  

Koncesioni i ofrimit të hemodializës për vitin 2023 është paguar prapë për shërbim të pakryer, por edhe mbi projeksionin mujor, për 9241 raste nën projeksion dhe për 1557 raste mbi projeksion, sepse në rajone të caktuara kalon projeksioni, ndërsa në rajone të caktuara, ku nuk kapet projeksioni, i paguajnë edhe ato analiza që s’janë bërë, sepse keni bërë një kontratë ku interesi i shtetit është vetëm që të vidhet. 

(Bie gongu.) Duke qenë se na e keni hequr këtë ekranin këtu, e kemi shumë të vështirë ta kuptojmë kohën dhe mua më iku shpejt koha. 

Elisa Spiropali – Në të djathtën tuaj, zonja Zhupa, gjithmonë djathtas, keni ekranin. Ina Zhupa – Faleminderit, por kemi pasur edhe një këtu! Megjithatë, s’ka problem.  Meqenëse koha po përfundon, dua t’ju them vetëm që i keni bërë llogaritë gabim, nëse mendoni se mund t’u hidhni hi syve shqiptarëve; nëse mendoni se do ta përdorni përsëri krimin, siç e përdorët në zgjedhjet e vitit 2021 dhe  në zgjedhjet e vitit 2023; nëse mendoni se do të na përjashtoni gjithmonë në mënyrë të padrejtë, sepse doni t’i kaloni gjërat fap e fap; nëse mendoni se mund të na trembni me padi në SPAK dhe në polici, se hoqëm karriget apo se sollëm karriget, ne do të na keni përballë me fakte, me prova dhe në shërbim të interesit publik. 

Shumë faleminderit!