Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
E dëgjova me vëmendje shprehjen e parafolësit, pra të ministrit, e cila më duket se është bërë fiks për Edi Ramën, sepse ai na jep mend për të gjitha, ai është shpallur kryeshkencëtar i Shqipërisë, besoj se e keni parë që është vënë në krye të bordit të shkencës. Pra, ai është kryeshkencëtari, ai është kryekleriku, se merr përsipër të flasë çfarë lejon Bibla dhe çfarë lejon Kurani, çfarë duhet të bëjmë, si duhet të falemi dhe si duhet të lutemi; ai është kryeushtaraku, që vendos sistemet mbrojtëse; ai është krye, krye, krye për çdo gjë, por atë që e bën më mirë nga të gjitha. është kryehajduti i Shqipërisë. Pra, shprehja juaj shkon shumë mirë me KM-në, Kryeministrin e Shqipërisë.
Meqenëse këtu është zoti Gonxhja, dua të flas për çështjet e kulturës, për buxhetin e kulturës dhe për një problem shumë të madh në kulturë, që, në fakt, është një skandal i vënë në pah këto ditë, por, edhe për faktin, se duke qenë e përjashtuar politikisht, nuk pata mundësi të drejtoja komisionin gjatë dëgjesës me zotin Gonxhja.
Ministria e Kulturës ka privatizuar kërkimet arkeologjike në Durrës, në funksion të AADF-së dhe e ka hequr Institutin e Arkeologjisë nga mundësia e gërmimeve dhe e kërkimeve.
Vendimi i Ministrisë së Kulturës, datë 25 korrik 2023, mbi konceptin e plotë të gërmimeve arkeologjike për zonën e Amfiteatrit Romak, Forumit Bizantin dhe Termat Romake, e ka përjashtuar Institutin e Arkeologjisë nga e drejta për të gërmuar dhe për të vazhduar kërkimin në zonat e mbrojtura arkeologjike, si monumente, të cilat janë zyrtarisht të mbrojtura, por edhe me rëndësi kombëtare.
Kjo është një drejtë që e gëzonin prej dekadash punonjësit shkencorë, është një e drejtë që ka qenë jo vetëm e suksesshme, por edhe pjesë e ekspeditave të ndryshme që kanë bërë profesorët e Institutit të Arkeologjisë, bashkë me universitetet e huaja për dy dekada, për të sjellë në dritë zbulime të rëndësishme të qytetit antik. Tri monumentet që përmenda, Amfiteatri, Forumi dhe Termat, janë zbulimet të lidhura drejtpërdrejt me punën dhe angazhimin historik të profesorëve të Institutit të Arkeologjisë, që nga viti 1966. E kam denoncuar dhe do të vazhdoj ta denoncoj në këtë Parlament, rolin e ri të zëvendësimit të Ministrisë së Kulturës, marrjes së çdo trashëgimie kulturore, me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, AADF-në. Por në këtë rast nuk është një koncesion i mirëfilltë, si ai i Butrintit, është një lloj i ri i heqjes së të drejtave nga kushdo tjetër, për të gërmuar dhe për të zbuluar, përveç atyre që do dhe që vendos AADF-ja.
Në fakt, këtë e keni peshqesh nga Elva Margariti dhe Mirela Kumbaro, nga një marrëveshje që është bërë me AADF-ën, për të bërë gërmime dhe hulumtime në monumente, në zonat arkeologjike A dhe B në Durrës, sipas një projekti të propozuar nga kompania “Taulant sh.p.k.”.
Zoti Gonxhja, ne jemi Republika e Shqipërisë, nuk jemi republika e AADF-ës, apo republikë bananesh, që mund ta lëmë historinë, identitetin, trashëgiminë larg duarve të shkencëtarëve, arkeologëve, profesorëve të nderuar shqiptarë, instituteve shqiptare, departamenteve shqiptare, dhe të jenë në duart e firmave që do të zgjedhin klientët e pushtetit. Ndaj duhet ta dini se nuk mund ta kaloni kaq lehtë këtë gjë që po bëni. Ky vendim i Ministrisë së Kulturës do të ankimohet në çdo formë, përveçse do të denoncohet. Privatizimi totalisht i kërkimeve arkeologjike nga Ministria e Kulturës në emër të një privati, është një skandal dhe turp.
Zoti Gonxhja, AADF-së i ka humbur fuqia lobuese, nuk e ka më atë fuqi që mund t’i shërbejë Edi Ramës për lobim në Amerikë. Ndaj hiqni dorë nga projekti për të dhënë çdo gjë në emër të lobimit, për të dhënë çdo gjë në emër të takimeve me X-in, Y-in, Z-në, që i dini ju më mirë, dhe kthejuni ligjshmërisë. Të hiqen profesorët më të nderuar të Shqipërisë për gërmimin e pasurisë kombëtare të Shqipërisë, ky është skandal mbi skandalet. E pse? Vetëm e vetëm për të favorizuar atë të që e keni paracaktuar. AADF-ja është në Durrës, AADF-ja është në Butrint, AADF-ja është në Gjirokastër, AADFja është te Piramida e Tiranës, që e ka bërë si qendër tregtare me qofte, me sandviçë dhe vetëm risi e inovacion nuk ka, përveç në 10 metra katrorë, ku nuk kuptohet se kush i merr të ardhurat dhe çfarë përfitojmë ne.
Zoti i Gonxhja, jam akoma në pritje të materialeve që do t’i nisnit komisionit. Ju kam nisur një letër zyrtare në emër të komisionit. Ndaj ju nuk mund të na thoni që do t’jua sjellim, do t’jua sjellim, vetëm për të kaluar presionin e momentit, se nuk jepni dot përgjigje dhe më pas: hajt kur të shihemi.
Meqenëse për buxhetin do të na jepet vetëm një herë mundësia për të folur, në seancën e ardhshme, se ka shumë çështje, ju sot duhet të kërkonit ndjesë pse e keni ulur buxhetin për trashëgiminë kulturore dhe muzetë. E keni ulur me minus, me 48 546 lekë, atë fond të vogël të ngushtuar, që trashëgimia kulturore e ka vit pas viti. Po jua them pse. Sepse ti do të dalësh dhe do të thuash që u rrit, nëse llogariten edhe fondet që AADF-ja do të investojë në restorante, dyqane, kazino dhe do të quhen “trashëgimi kulturore”. Por ato nuk hyjnë, këtu hyn vetëm financimi që jep shteti shqiptar për ta zbuluar dhe për ta mbrojtur trashëgiminë kulturore, për ta inskriptuar në UNESCO, për të dëgjuar UNESCO-n, për të zbatuar rekomandimet e UNESCO-s dhe për të bërë planin e menaxhimit. Këto nuk i keni, por keni vetëm një dështim në fushën e trashëgimisë kulturore, në fushën e mbrojtjes së muzeve, të mbrojtjes së identitetit, historisë dhe trashëgimisë sonë kombëtare.
Zoti Gonxhja, unë e di që nuk jeni mëkatari i këtyre marrëveshjeve, por për aq kohë sa ju i vazhdoni në të njëjtën mënyrë, pa ndryshuar asgjë, duke tejkaluar çdo normë kushtetuese, logjike, ligjore dhe morale, sepse është edhe një moral i përbashkët i trashëgimisë, ju bëheni bashkëfajtor.
Ju keni lëshuar një urdhër, që e kam në mesazh, pra e kam fjalën për Ministrinë e Ekonomisë dhe jo për ju personalisht, se nuk e di nëse e keni bërë ju, që të fiket biletaria elektronike në Butrint. Pra, po kaloni pasurinë tek koncesionari, ndërkohë që e dini shumë mirë se kjo është një shkelje, edhe sipas UNESCO-s. Ndërkohë, e dini shumë mirë që në SPAK do të shkojë Edi Rama, Elva Margariti, Mirela Kumbaro, Martin Mata, Sander Carapuli dhe tre gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese për konflikt interesi dhe për shkelje të procedurave. Ndaj mos u bëni palë, mos vazhdoni me të njëjtën metodë, lëreni Ramën të firmosë transferimin, meqenëse ju s’keni qenë ministër, lëreni Ramën t’i shkojë deri në fund aferave të tij, se është mësuar që t’ju vërë ju të firmosni, pastaj mos u çudisni kur të dëgjoni:
“Blendi Gonxhja ka ngrënë mollë dhe dardha mbrapa shpinës sime”.
Shumë faleminderit!