Replikë ndaj fjalës së ministrit kulturës z. Gonxhe, seancë plenare / 14 nëntor 2024

Në fakt, u gëzova, ngaqë mendova se do të kthente përgjigje, se do të thoshte se përse po i privatizojnë kërkimet në Durrës, por do të ishte lajm akoma më i mirë sikur të thoshte që do ta anulojë vendimin e Ministrisë së Kulturës për heqjen e Institutit të Arkeologjisë. 

Zoti Gonxhja, nuk dilni mirë kur ju duhen 45 minuta për të kthyer një përgjigje, duke pritur që t’ju vijë në celular, apo si ato kurthet që m’i solle gabimisht mua në komision, ku stafi të thoshte: kujdes grackat e zonjës Zhupa, se do të jenë këto, ndaj ti përgjigju kështu! Më mirë ji natyral, thuaj atë që mendon, mos prit çfarë do të thotë Fuga apo ai që t’i përgatit! Dhe, të lutem, meqenëse paguhesh me taksat e qytetarëve shqiptarë, fol si ministër i Kulturës; nëse të paguan AADF-ja, fol si zëdhënës i AADF-së. Unë t’u drejtova si ministër, ndërsa ti merr fjalën e thua: mos na e shaj AADF-në, se i kemi dhënë shumë AADF-së dhe shyqyr që e kemi! Ore, shyqyr që e keni ju, por unë po flas këtu për interesin publik, nuk po flas për interesin tuaj. Interesi publik është të jenë prona publike; interesi publik është të jenë menaxhim shtetëror dhe fondacione ku mbizotëron shteti; interesi publik është që kolosët e arkeologjisë shqiptare të kenë mundësi të gërmojnë, të bëjnë zbulime e kërkime; interesi publik është që çdo privat të ketë mundësi të japë donacione, të ketë mundësi të japë financim, por ama të jeni ju, si shtet shqiptar, që të keni garanci për ato zbulime e për ato kërkime.    

 Faleminderit!