Fjalim në Kuvend për vrasjen në dyert e shkollës “Fan Noli” të 14 vjecarit Martin Cani/ 18 Nëntor 2024

Zonja Kryetare, në fakt, është hera e parë që dua të kërkoj lejen tuaj që fjala të ishte më shumë për njerëzillëk, për moral dhe për humanitet sesa për procedurë. Nuk e di se si e nisët këtë seancë me kaq normalitet, sikur nuk ka ndodhur asgjë! Nuk e di si e mbajti fjalën doktoresha, nëna, Klodiana Spahiu, sikur asgjë nuk ka ndodhur, asgjë, kur, në fakt, ka ndodhur diçka shumë e rëndë. Nga ajo që pamë dje pas përfundimit të seancës dhe nga të gjitha diskutimet në media, kuptuam që situata ishte edhe më e rëndë sesa mund ta imagjinonim, sepse ishte një ngjarje e paralajmëruar; ishte më e rëndë sesa mund ta imagjinonim, sepse bëhej fjalë për një ngjarje të ndodhur në oborrin e shkollës, ku ishin njoftuar mësues, drejtori, oficeri i sigurisë, sepse kishte që të premten që ndodhte, por nuk reagonte dhe nuk bënte asgjë askush. Si fillim, doja t’i kërkoja këtij Kuvendi një minutë heshtje dhe të caktonim një orar, ndoshta në orën 12:00, ku të ishim prezentë të gjithë dhe të ulnim bashkërisht kokën, edhe pse fajin e ka kjo qeveri. 

Më vjen shumë keq! Uroj që zonja Manastirliu, e cila nuk ka ardhur këtu, të jetë duke shkruar dorëheqjen! Më vjen shumë keq që ne duhet ta kthejmë kokën nga arsimi dhe edukimi i fëmijëve tanë vetëm kur ndodh një rast i tillë, sepse kur ne e kemi ngritur zërin për oficerët në shkolla, për psikologët në shkolla, është zgërdhirë zonja Manastirliu në komision; shikoni videot, është zgërdhirë!  

Kur ju flisni këtu për perimetrin e sigurisë, paketën e sigurisë në shkolla, ku e çuat, te thikat me mashet, që hyjnë nëpër shkolla, te hashashi, te droga që hyn nëpër shkolla, ku e çuat?! Kjo është paketa: thika, biçaku, droga, paketat që marrin brenda çantës fëmijët tanë në shkolla?! 

Po si ka mundësi, të nderuar kolegë, që jeni edhe prindër, që ne duhet ta kalojmë këtë me normalitet dhe nuk duhet të kërkojmë përgjegjës, dhe nuk duhet të flasim, dhe nuk duhet të jemi të parët që të ngremë më shumë zërin? Po si ka mundësi?! Ju doni ta amnistoni ministren Manastirliu? Doni ta amnistoni ministrin Hoxha?  

A e kuptoni që ne flasim për skandal vetëm kur ka vdekje?! Ne folëm për policinë, që ishte kthyer në bandë, dhe i kthyet sytë asaj policie kur u vra Klodian Rasha, dhe e pranuat edhe ju, por ne kishim vite që kishim folur. Folëm për skandalin e mikrokredive dhe ju folët, sepse ne kishim vite që flisnim, kur u vetëvra zotëria para SPAK-ut. Tani po flasim kur u vra një fëmijë 14 vjeç, por ne jemi vrarë si shoqëri, ne nuk jemi më shoqëri nëse presim një vdekje që të flasim për çështjen. Ne jemi thjesht një grumbull njerëzish, që jetojmë me njëri-tjetrin, nëse nuk kemi sensibilitet edhe për këtë djalë, edhe për këtë vrasje, shikojeni shkollën “Fan Noli” ishte rankuar e para… 

 Elisa Spiropali – Zonja Zhupa, përfundoni, ju lutem! 

 Ina Zhupa – Kur ndodh në shkollën që ishte rankuar e para për rezultatet më të mira, imagjinoni çfarë gjendje tragjike keni në shkollat e vendit. A do të flasim për këtë, apo nuk do të flasim për këtë?  

Zoti Balla dje u shqetësua nga një krahasim që bëmë me Serbinë. Po ju them një gjë…  

Elisa Spiropali – Ju lutem, përfundoni, zonja Zhupa! 

Ina Zhupa – Serbia me Kosovën është sjellë njësoj siç silleni ju me fëmijët tanë.  

Elisa Spiropali – Po abuzoni, zonja Zhupa, ju lutem!  

Jua dhashë fjalën për procedurë. 

Ina Zhupa – Faleminderit!