Ina Zhupa ndërhyrje për proc. ndaj drejtueses së Kuvendit, znj. Spiropali mbi drejtimin e seancës/ 16 Qershro 2025

Së pari, bashkëndaj qëndrimin dhe shqetësimin që kolegët socialistë nuk vijnë në komisione dhe e bëjnë të pamundur arritjen e kuorumit.  

E tha kryetari i grupit, zoti Peleshi, por harroi një detaj shumë të rëndësishëm, që ju keni bërë komisione edhe kur ne bojkotonim 

Parlamentin. Pra, ju kuorumin e bëni vetë. Jeni ju që mungoni, që paralizoni jetën parlamentare për qëllimet tuaja politike, dhe kjo është e qartë, nuk besoj se ka ndonjëri dyshim këtu, po të ishit ju, do të ishin bërë komisionet. Ne e kemi anuluar mbledhjen, sepse Komisioni i Ligjeve nuk bënte dot kuorumin për të na dhënë mendim si komision për dhënie mendimi.  

Së dyti, ky Parlament ka një detyrim shumë të madh, detyrimin që në këtë periudhë duhet të kishim kaluar raportimet e institucioneve të pavarura dhe detyrimin për të miratuar rezolutat për institucionet e pavarura, nga kontrolli parlamentar që ne do të bënim. Ne jo vetëm që nuk e kemi bërë këtë gjë, por as nuk janë parashikuar në asnjë projektkalendar, për t’u dhënë mundësi institucioneve të pavarura që fillimisht të dëgjohen në komisione, të miratohen rezolutat për ta, pastaj të vijnë në seancë, të bëhen seancat e pyetjeve dhe të kemi mundësi t’u japim rekomandimet për vitin e ardhshëm. Kuvendi tashmë ka hequr dorë nga kryerja e funksioneve të tij edhe si institucion, i cili duhet të monitorojë institucionet e tjera, dhe thjesht është kthyer në një noter for free të qeverisë.   

Së treti, ky Kuvend ka ngritur dy komisione të posaçme, të cilat drejtohen nga zoti Xhafaj dhe zoti Braçe. Në dijeninë time, ky Kuvend mbyllet pa pasur asnjë lloj produkti dhe pa kuptuar se cilat ishin qëllimet e këtyre komisioneve, arritjet e këtyre komisioneve dhe çfarë fitoi Shqipëria nga këto dy komisione, të ngritura në mënyrë të posaçme dhe të njëanshme nga mazhoranca, apo prisni legjislaturën tjetër, që të keni më shumë vota dhe të keni më shumë mundësi të ndryshoni edhe kode, në vartësi të orekseve të Kryeministrit dhe mazhorancës? Së fundi, në lidhje me projektligjet, të paktën bëni atë që premtuat në fushatë, (ku Edi Rama mori dhe cicëroi programin e Partisë Demokratike): që shqiptarët të jetojnë me dinjitet, kaloni minimumin jetik përpara se ta mbyllim këtë Parlament, nëse keni vullnetin që të mbani të paktën 1% të atyre mashtrimeve që keni thënë gjatë fushatës. 

Faleminderit!