Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Në fakt, bie dakord me zonjën parafolëse që, është historike ajo çfarë ka ndodhur në këto zgjedhje, sepse këtë nuk e ka parë historia në të gjitha dimensionet e saj të farsës elektorale, në të gjitha dimensionet e saj të qesharakes, madje është aq historik, sa ka ndryshuar edhe një rregull po aq historik: dikur mbaronin shkollën, bënin karrierë dhe vinin bëheshin deputetë, kurse tani bëhen deputetë dhe më pas i fut Edi Rama në shkollë që të mësojnë si duhet të jenë deputetë. Lektor kanë vetë Edi Ramën, thjesht do të futin dy-tri orë menaxhim marrëdhëniesh me krimin, ku do të ftojnë lektorë të veçantë Suel Çelën, Troplinët, Xhabaftët, për t’u mësuar se si t’i mbajnë marrëdhëniet me jashtë me krimin brenda e jashtë vendit.
Në fakt, ajo që ndodh në Shqipëri, është tragjike: edhe vetë institucionet e shtetit, që gjysmën e së vërtetës gjithmonë e fshehin, kanë deklaruar që në 2 vjet kanë ikur 72 mijë e 597 shqiptarë, sipas INSTAT-it. Domethënë, 99 shqiptarë largohen çdo ditë nga vendi; e braktisin vendin, dhe nuk ikin për pushime, ikin për të mos u kthyer më; ikin, sepse ju duan shumë ju dhe mënyrën se si po qeverisni dhe po e begatoni vendin! Ikin shqiptarët, por shtohen votat! Votat shtohen me mekanizmin 1 për 4. Të gjithë e panë videon se si një individ merrte katër fletë votimi dhe votonte me komoditetin më të madh në qendrën e votimit, ndërkohë që ne të tjerët nuk e kemi pasur atë luks që të na jepej një karrige për t’u ulur dhe për të votuar me qetësi në emër të 4 votuesve. Kështu 4-fishohen votat, 4-fishohet fitorja, 4-fishohet qëndrimi në pushtet, në mandatin e katërt. Ndoshta, ndaj e keni zgjedhur 1 për 4, meqenëse e kishit mandatin e katërt dhe keni dashur të qëndroni brenda metaforës. 9,2 milionë euro i ka kërkuar DHL-ja, që është fatura financiare, për votën e diasporës. Mirëpo, siç besoj se e dini, deri tani KQZ-ja ka kërkuar që të paguajë vetëm zarfet, të cilat kanë firma. Kjo qartësisht vërteton atë që thotë Partia Demokratike që jo të gjitha zarfet kanë firma, jo të gjitha zarfet kanë ardhur në mënyrën e duhur. Del kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, zoti Celibashi, dhe thotë që kanë ardhur zarfe jo vetëm me DHL, por edhe me Postën Shqiptare, me zë dhe me figurë në dispozicion. Që të thuash se kanë ardhur me Postën Shqiptare, është njësoj si të thuash që kanë ardhur me thasët e zotit Balla, sepse Posta Shqiptare nuk e kishte as detyrë, nuk kishte as kontratë, por, mbi të gjitha, nuk e ka në integritetin e saj të ruajë një proces zgjedhor, kur është po aq politike, sa çdo dikaster tjetër i këtij shteti elektoral. Qartësisht e manipuluar! Ku janë marrë fletët e votimit?! Nëpër pika të përbashkëta ku jepeshin e merreshin, si dyqane të gatshme, për të plotësuar votën për Partinë Socialiste.
A është ky shqetësim?! A është ky deformim i votës?!
A është mandati i katërt i qarkut të Vlorës pikërisht si rezultat i votës së diasporës, i kësaj vote që ju e dinit paraprakisht se çfarë do të ndodhte?!
Sigurisht, sepse ju kishit një objektiv të caktuar për diasporën dhe një objektiv të caktuar për votimin brenda vendit, dhe nuk kursyet asnjë metodë për të arritur qëllimin.
Nuk i kursyet 76 milionë euro për 130 mijë pensionistë; nuk i kursyet 33,3 milionë euro për asfalt elektoral; nuk i kursyet 7,2 milionë euro për të marrë në punë 2 376 punonjës të rinj në administratën shtetërore; nuk i kursyet 22 milionë euro bonuse për pagesa paaftësie; nuk i kursyet 200 milionë euro gjoba të falura në vite dhe nuk kurseni asgjë kur vjen puna për të organizuar 4 500 aktivitete në periudhën e ndaluar nga ligji. Mjafton të kujtojmë atë të famshmin, Giro d’Italia, ku i janë dhënë 7 milionë euro një organizate private. Gjithçka u bë për një qëllim: mbajtjen e pushtetit me çdo kusht në mandatin e katërt, për të ruajtur veten nga drejtësia dhe për të mbushur xhepat e tyre dhe të oligarkëve të tyre. Në fakt, vota u vra pa u futur në kuti; u vra nga milionat e eurove që fabrikonin pushtet dhe mundësi për ju, që asgjë të mos ndryshonte në një Shqipëri, ku njerëzit zgjedhin të ikin.
Në fakt, raporti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian i thotë të gjitha të vërtetat, ju pëlqejnë apo nuk ju pëlqejnë juve. Ai i ngre të gjitha shqetësimet, dhe është e sigurt që opozita nuk ka asnjë mundësi që t’i shkruajë ato raporte, sepse nuk ka mundësi më të mëdha lobimi sesa qeveria, dhe ato janë të vërteta, të cilat tashmë nuk fshihen dot as në syrin e ndërkombëtarëve. Vetë raporti paraqet një term, që ia kemi thënë edhe ne Edi Ramës: mizogjini. Problem madhor, – thotë, – liria e fjalës dhe e mediave në Shqipëri, dhe ka marrë parasysh rastin e sulmeve personale të Edi Ramës ndaj gazetares Ambrozia Meta dhe ka përdorur termin “mizogjini”. Tashmë Edi Rama është certifikuar ndërkombëtarisht me termin “mizogjen”, në raport ndërkombëtar. Mirëpo gratë, zonjat e nderuara të mazhorancës, nuk e kanë pranuar kurrë këtë realitet dhe nuk kanë folur kurrë një fjalë sa herë që nga kjo sallë, nga kjo foltore, Rama apo të tijtë anatemonin zonjat dhe sa herë anatemoheshin gratë gazetare. Po ky Parlament nuk ka pranuar që të miratohej një rezolutë në mbrojtje të zonjave gazetare, edhe pse ishte propozim i zonjave deputete të PD-së.
Kur e thotë raporti ndërkombëtar, do të thonë që e themi ne?! Të gjitha problematikat, në fakt, juve duhet t’ju dhembin, nëse do ta kishit merak Parlamentin. Parlamenti është pjesë e problemit, ndërkohë që duhej të ishte pjesë e zgjidhjes!
Edhe seanca e sotme e Parlamentit nisi me një farsë parlamentare. Keni kaluar nga farsa elektorale në farsë parlamentare: me demek prezantojmë ligje, me demek bëjmë seancë, me demek bëjmë pyetje, me demek bëjmë ligje për qytetarët. Nëse në Rregullore thuhet: duhet të jetë ministri, atëherë duhet të jetë ministri. Nëse ka sens jeta parlamentare, ajo ka sens vetëm kur zbatohet Rregullorja, libri i shkruar, jo kur ju bëni çfarë të doni dhe si të doni me ligjvënien e këtij Parlamenti. Mjafton dita e sotme për të kuptuar se si e keni kthyer, në funksion të interesave tuaja dhe në funksion të asaj që ju doni të tregoni: një pushtet pa kufi, të cilin tashmë e keni blinduar për mandatin e katërt, me farsën elektorale, dhe mendoni se mund të bëni gjithçka pa ju dridhur qerpiku.
Vetëm një gjë keni harruar: opozita në Shqipëri dhe qytetarët e ndershëm as tërhiqen, as bëjnë hapa pas, por vazhdojnë të qëndrojnë përballë.
(Bie gongu.)
Faleminderit.

