Ina Zhupa fjalim në Kuvendin e Shqipërisë për zonat e mrojtura / 26 Qershor 2025

Në fakt, po flasim për shëndetin e bimëve dhe shëndetin e kafshëve, por kur i lexon këto dy projektligje dhe shikon çfarë vendimmarrjesh dhe ligjesh ka kaluar qeveria, ka një paradoks shumë të madh. Një qeveri që kalon ligjin e zonave të mbrojtura, që shfaros, në fakt, kafshët dhe bimët, nuk mund të garantojë mbrojtjen e shëndetit të tyre me çdolloj metode pesticidesh, shkencore e çfarë të doni ju. Ne jemi në Gjykatën Kushtetuese, pikërisht, për një ligj të bërë nga qeveria, të fshehur pas firmave të 12 deputetëve, fillimisht, më pas me zë dhe figurë të mbrojtur nga ministrja Kumbaro; një ligj që e zhvesh Shqipërinë nga zonat e mbrojtura. 

Unë nuk di të jetë shpikur ende ndonjë formulë, e cila bën që njeriu të jetojë pa oksigjen, nuk di të jetë shpikur ende ndonjë formulë se si oksigjeni mund të prodhohet nga betoni! Pra, zonat e mbrojtura, bimësia, flora dhe fauna në këtë vend janë të rëndësishme dhe jetike edhe për jetën e njerëzve, edhe për shëndetin e njerëzve, ndaj legjislatori e ka ngritur këtë në nivelin e një të drejte kushtetuese, për të pasur një mjedis të shëndetshëm, ekosisteme të mbrojtura dhe për të mbrojtur atë që quhet trashëgimi kombëtare më pas, që janë zonat e mbrojtura, sepse bëjnë pjesë tek të drejtat themelore.  

Kur ne flasim këtu për bimët dhe për kafshët, sigurisht, duhet të kujtohemi se kjo vendimmarrje që ka marrë ky Parlament dhe kjo qeveri është një vendimmarrje shfarosëse, është një vendimmarrje që nuk lejon më në Shqipëri asnjë mbrojtje për zonat e mbrojtura dhe për habitatin më natyral dhe më të rëndësishëm të bimësisë dhe të kafshëve në Shqipëri, të llojeve apo shumë llojeve të tyre.  

Ky është një ligj, që për çdo zonë të mbrojtur në Shqipëri mund të ndërtohet nga 1% deri në 100% të saj, por kur ndërtohet në 100% të saj, nuk ke më zonë të mbrojtur, por ke një zonë urbane, ke një zonë të banuar, një resort, një hotel, dhe nuk ke të garantuar një të drejtë kushtetuese të njerëzve. Kur ti parashikon projekte, të cilat kalojnë nëpërmjet Komitetit të Investimeve Strategjike, për të betonizuar Karavastanë, për të betonizuar Nartën, për të betonizuar Butrintin, për të betonizuar Thethin, ti nuk ke garantuar asnjë të drejtë kushtetuese të qytetarëve shqiptarë, nuk ke garantuar mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare dhe nuk ke garantuar një mjedis të shëndetshëm dhe një mjedis që i shërben jetës së qytetarëve. 

Shfarosen mijëra bimë dhe kafshë kur ti shkon dhe ndërton atje resortin e filanit, vilën e filanit, hotelin e iksit apo të ipsilonit. Nuk ka qenë në interesin tuaj parësor mbrojtja e shëndetit të bimëve dhe të kafshëve, përkundrazi, të vetmen bimë që ju realisht doni të kultivoni, keni nxjerrë VKM për ta kultivuar (sigurisht që do t’ju shqetësonte edhe shëndeti i saj), është bima e kanabisit. Për këtë bimë keni vendimmarrje të posaçme të qeverisë, keni dhënë leje për 29 mijë hektarë, me licencë shtetërore, por kjo bimë nuk i shërben as habitatit, as mjedisit dhe as shëndetit, mendoj unë, të njerëzve.  Kjo vendimmarrje po mbrohet në mënyrë fanatike nga Kuvendi i Shqipërisë, duhet thënë se Kuvendi i Shqipërisë ka pafytyrësinë të gënjejë edhe në Gjykatën Kushtetuese, duke treguar fakte që nuk janë të vërteta, duke thënë se demek në këtë Kuvend dhe në këtë qeveri çdo iniciativë e deputetëve pasohet mbrapa me një VKM të qeverisë, që sjell mendim. Kjo nuk është e vërtetë dhe këtë e di i gjithë publiku. 

Qeveria në rastin e ligjit të zonave të mbrojtura nuk ka sjellë vendim, por ka sjellë një projekt tjetër, paralel me VKM-në, i cili ka kaluar siç e ka sjellë qeveria dhe është miratuar ai, jo projektligji që sollën 12 deputetët. Dhe këtë e di kushdo, është në çdo procesverbal, aq sa edhe mbledhjet e Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese nisnin me prezantimin e Mirela Kumbaros, si ministre përgjegjëse për mjedisin. 

 Të gjithë e dinë që Kuvendi i Shqipërisë e ka kthyer tashmë në metodë konsultimin publik fiktiv. Asgjë nuk ndryshon në konsultimin publik, askush nuk dëgjohet nga konsultimi publik dhe gjithçka bëhet si një farsë, si një fasadë, sa për të kaluar radhën.  

E keqja e këtij projektligji, që ju e kaluat dhe tashmë është ligj, por që po e lidh tashmë me këtë që po diskutojmë sot, është që jo vetëm nuk morët asgjë parasysh, por as nuk na dhatë shansin të shpreheshim për draftin real që kaloi, që ishte drafti i Këshillit të Ministrave.  

Ne jemi një vend që dënon ata që presin pyje, një vend që dënon ata që bëjnë gjueti të paligjshme, njëkohësisht një vend që promovon, vlerëson, u jep status të veçantë, u jep toka publike atyre që kanë më shumë para, që janë investitorët strategjikë, për të cilët është investuar ky Kuvend që të paktën 6 herë t’u zgjasë mandatin për të marrë tokat publike dhe për të gëzuar të mirat publike, që tashmë nuk kanë asnjë kufizim edhe në zonat e mbrojtura.  

Çdo fjali kufizuese, çdo fjali ndaluese, çdo fjali moslejuese e atij ligji është kthyer në një fjali lejuese. Çdo gjë që ndalohej në ligjin e mëparshëm të zonave të mbrojtura, për të garantuar bimësinë dhe kafshët, për të cilat ne po diskutojmë sot këtu, të gjitha janë hequr dhe janë fshirë, me idenë se mjafton që të vënë gishtin oligarkët ku e duan dhe shndërrohet në një pikë të vogël, në një resort, i cili gëzohet në mënyrë private nga oligarku, klienti i radhës i qeverisë.  E keni parë me video pikën e vogël të Mirela Kumbaros në Parkun Kombëtar të Butrintit, e keni parë në Gjirin e Manastirit, e keni parë se sa e vogël është pika dhe çfarë dëmi ka sjellë atje tek trashëgimia kombëtare, te bimësia dhe kafshët, te shëndeti i njerëzve, por, sigurisht, ka sjellë miliona në xhepat e atyre që e morën tokën publike falas, shkatërruan trashëgiminë dhe që do ta gëzojnë bashkë me këta qeveritarët që u garantuan vota dhe kishin objektiva elektoralë për ta.  

 Ne do ta vazhdojmë betejën në Gjykatën Kushtetuese me shpresën, por jo me besimin, në fakt, që Gjykata Kushtetuese do të qëndrojë në lartësinë e detyrës, do të gjykojë shkeljen e Kushtetutës dhe nuk do të bjerë pre e presioneve të jashtëzakonshme që janë duke iu bërë në këto momente nga përfaqësues të Këshillit të 

Ministrave, nga njerëz të lidhur fort me oligarkët, të cilët, sigurisht, nëpërmjet këtij ligji kanë piketuar zonat e mbrojtura për të ndërtuar komplekset, resortet dhe hotelet e tyre. Mungon vetëm certifikimi i Gjykatës Kushtetuese që ato projektvendime të fillojnë dhe të realizohen, të hidhet betoni dhe të shkatërrohen zonat e mbrojtura, trashëgimia jonë kombëtare dhe të ndryshojë Shqipëria. Më pas, nga turizmi i natyrës, nga turizmi i veçantisë së Shqipërisë, të kalojmë në turizmin e betonit, të resorteve, në turizmin ku, sigurisht, do të jemi prapë të fundit, sepse ka shtete që kanë ndërtuar shumë më shumë se ne dhe kanë ecur në atë drejtim pa prishur zonat e tyre të mbrojtura. As këtu nuk do të jemi më të mirët, por do të jemi më të mirët në pastrimin e parave të pista, që bëhet nëpërmjet këtyre investimeve strategjike, në ndërtim dhe në kazino, siç thotë Departamenti Amerikan i Shtetit, duke mos garantuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve shqiptarë për një mjedis të shëndetshëm, për një ekosistem të mbrojtur dhe për mbrojtje të trashëgimisë kombëtare.  

Ndaj, neve na duket fasadë ky ligj që sillni sot, edhe pse është në përputhje me direktivat, sepse nuk pasqyron filozofinë, të cilën ju e keni votuar këtu, për të shfarosur gjithçka në emër të oligarkëve dhe të klientëve të pushtetit.  

Faleminderit!