Fjalim për fermerët dhe blegtorët në Konispol dhe gjithë Shqipërinë mbi situaten emergjente ku ndodhen / 19 Nëntor 2025

Dua ta nis me situatën në të cilën ndodhet sot Shqipëria dhe më vjen keq që nuk është ministri i Mbrojtjes, pasi foli edhe për Emergjencat Civile, por uroj që të ketë shkuar në Delvinë… 

Klodiana Spahiu – Zonja Zhupa, ministri ka një detyrë të rëndësishme sot dhe duhet të jetë në zonë. 

Ina Zhupa – Kush të pyeti, zonja Spahiu?! 

Klodiana Spahiu – Ai duhet të jetë në zonë, aty ku e kërkojnë qytetarët. 

Ina Zhupa – Zonja Spahiu, kur të ta përmend emrin, merre fjalën; të mbaroj, pastaj merre ti fjalën dhe fol në emër të ministrit.  

Uroj që zoti ministër të jetë në Delvinë, që po përmbytet pikërisht nga mungesa e investimeve dhe nga braktisja, sepse, para fatkeqësisë natyrore, në atë qytet prej vitesh ka fatkeqësi politike, dhe askush nuk kujtohet se do të vijë dimri dhe do të bjerë shi, që kanalet kulluese dhe infrastruktura e ujërave të shiut duhet të rregullohen përpara se të vijë shiu, por kujtohen mbrapa. Sot kemi ura të shembura, si ura që lidh fshatrat Kakodhiq, Lefterhor dhe Varfaj me Delvinën dhe Sarandën, duke sjellë izolimin e 3 fshatrave; Saranda dhe Delvina nuk furnizohen dot me ujë të pijshëm, sepse sistemi në Navaricë është trazuar. Pra, kemi një situatë emergjente.  

E keqja në Shqipëri është se kalojnë buxhet pas buxheti dhe gjithmonë Emergjencat Civile janë vetë në emergjencë, sepse sa herë shtohet ndonjë para për Emergjencat Civile, ato janë më shumë para për t’u vjedhur dhe jo para për t’u investuar aty.  Është bërë barsoletë, se vit pas viti thoni: do të blejmë dy avionë që do të shuajnë zjarret. Delvina u dogj në korrik të këtij viti, jemi në nëntor dhe vazhdojmë akoma me premtimin: do t’ju dëmshpërblejmë. Kur do t’i dëmshpërbleni banorët e Delvinës dhe të zonave që u përfshinë nga zjarret? Kur do t’i dëmshpërbleni, në vitin 2027, për fushatë elektorale? Do të bëni ndonjë listë për blerje votash me atë rast, me sebepin e djegieve të vitit 2025? Kështu funksionon, siç u kujtuat për tërmetin në zgjedhjet e përgjithshme? Ata njerëz duan të jetojnë; ata jetojnë sot për sot dhe kanë nevojë për ato të ardhura, se u janë djegur pjesë të rëndësishme të mënyrës së tyre të jetesës, sepse jetojnë me bujqësi dhe blegtori. Mirëpo për ju nuk janë asgjë, janë thjesht elemente për të bërë selfie, për të shkuar deputeti atje, më shumë për t’u sajdisur, dhe në këtë buxhet nuk ka asgjë, dhe as nuk ka pasur ndonjëherë, për Emergjencat Civile, për përmbytjen apo për qytetet që përfaqësoj.  

Mua më vjen keq, sepse ata janë njerëz të përkushtuar e të lidhur me tokën, me bujqësinë dhe ndoshta janë fermerët më pak të vlerësuar nga qeverisja. Në përgjithësi bujqësia është një sektor që ka pasur rënie, në 3-mujorin e dytë të vitit 2025 është minus 2,5%, dhe qeveria sërish jep 0,58% të prodhimit të brendshëm bruto për bujqësinë. Fermerët paguajnë inputet më të shtrenjta. 

Unë kam edhe një problem specifik, sepse përfaqësoj fermerët që prodhojnë mandarina, fermerët e Konispolit (edhe agrume të tjera, por mandarina është më e njohura mes tyre), me në krye fermerët e Xarrës. Ka nisur një fushatë dezinformimi kundër tyre, një fushatë që ka qëllime okulte, për t’i dëmtuar ata dhe për të favorizuar dikë që është i lidhur me mazhorancën, që, me sa duket ka në plan të zgjerohet me laboratorë për analizat e agrumeve dhe bimësisë.  

Më vjen shumë keq që njerëz të ndershëm, të cilët punojnë me djersën e ballit, do të duhet të marrin kosto për lajme të rreme, pasi do të duhet të jetë shteti që të bëjë analiza falas dhe t’u japë garanci konsumatorëve, sepse edhe konsumatori është i frikësuar sa herë lexon lajme për pesticide dhe helmime të produkteve që konsumon. Pra, do të duhet që ata njerëz që punojnë me djersën e ballit, pa asnjë subvencion dhe mbështetje nga shteti, të cilët edhe energjinë elektrike e kanë lidhur vetë, edhe shtyllat i kanë bërë vetë, të mos marrin kosto për t’ua ulur çmimin dhe për t’ua blerë produktet për një copë bukë, por të marrin atë që u takon, se me atë e kanë të lidhur jetën dhe nuk kanë asgjë tjetër me të cilën jetojnë. Shteti duhet t’u garantojë analizat dhe t’i bëjë publike rezultatet, për të kuptuar se produkti i mandarinave dhe agrumeve në Bashkinë e 

Konispolit është i shëndetshëm, pa pesticide dhe mund të konsumohet pa frikë nga konsumatorët shqiptarë dhe ata të huaj, sepse po u bëni një dëm shumë të madh atyre njerëzve atje. Nuk është rasti të përfitoni, për të çuar laboratorë privatë që do të ndërtojë njëri apo tjetri (nuk mund të përmend emra, se nuk di nëse fshihet vërtet një eksponent i Partisë Socialiste), nuk mund ta përdorni djersën e tyre për të bërë biznes, për t’i detyruar të paguajnë nga 200 euro secili, çdo muaj, për të bërë analizat, sepse kështu mund të fitojnë siguri, por shteti dhe AKU-ja duhet të japin certifikimin, nëse janë të sigurta apo jo.  

Së fundi, sepse këtu koha ikën shumë shpejt, përveç zonës, dua të ndalem te dy elemente të rëndësishme të komisionit që drejtoj, Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën. Sigurisht, nuk është surprizë që buxheti për kulturën ka ulje; janë ulur shpenzimet korente në minus 3,4%. Për të gjithë ata të cilëve u duket një fjalë që nuk e kuptojnë, po u them se janë pikërisht ato që financojnë programet kulturore, institucionet e artit, muzetë, trajnimet, certifikimet turistike dhe institucionet lokale të kulturës, pra janë baza e sektorit, ndërkohë që nuk nxisin aksesin kulturor apo turizmin gjithëvjetor.  

Më vjen keq të them se për trashëgiminë kulturore ka një investim minimal, të paorientuar, pa prioritete dhe të fragmentuar. Për trashëgiminë kulturore është zgjedhur forma koncesionare, dhe mburren gjithë ditën me fondacione, të cilat i marrin për interesa privatë, ku i vetmi dhe i paarriri deri tani, se nuk ka të tjerë si ata, për të gllabëruar trashëgiminë kulturore, është Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, AADF-ja, të cilin e gjeni në çdo sit të trashëgimisë kulturore edhe pa kurrfarë ekspertize, aq sa na zbuloi edhe japonezë në Butrint! Sot peizazhi i Parkut Kombëtar të Butrintit, i mbrojtur nga UNESCO, do të ketë edhe një godinë japoneze! Se çfarë lidhjeje ka kjo me identitetin, me kulturën, me historinë e atij vendi, të Shqipërisë apo edhe të territorit, të pellgut ku bëjmë pjesë, të Greqisë dhe Italisë, këtë gjejeni ju dhe AADF-ja, që bëjnë këto shpikje vetëm për të marrë disa para dhe për të krijuar qendra tregtare në Parkun Kombëtar të Butrintit!  

Ajo që bie në sy është se, sado që mburreni me numrin e turistëve, po ju kujtoj vetëm një element shumë të thjeshtë, që e dinë të gjithë shqiptarët: në qoftë se, jo vetëm turistët, por edhe banorët duan që në Tiranë të kenë një aktivitet apo jetë kulturore, Teatri Kombëtar është gropë; Muzeu Kombëtar është i mbyllur; Galeria e Arteve nuk funksionon; nuk ka cirk. Pra, ne kemi të vetmin kryeqytet në botë… 

(Ndërhyrje pa mikrofon.) Po, cirku i vetëm është ky që bëjnë këta pas meje. 

Pra, Tirana është i vetmi kryeqytet në të gjithë Europën dhe në të gjitha vendet perëndimore, që nuk i ka të hapura institucionet e kulturës dhe nuk ka institucione kombëtare që t’u përgjigjen nevojave të qytetarëve dhe turistëve. Këto duhet të ishin prioritete në buxhetin për kulturën, duhet të vinin me afate dhe buxhete konkrete. Nuk po flas fare për jetë kulturore nëpër bashkitë e tjera, sepse secili nga ju e di se është zero, nuk ka as infrastrukturën minimale, jo më të ketë kalendarë apo programe artistike.  

Kështu që, kjo qeveri, minimalisht, do të duhet të reflektojë thellësisht, që ky buxhet të kthehet në shërbim të qytetarëve, në shërbim të prioriteteve kombëtare dhe paratë të mos shkojnë tek oligarkët, te koncesionet që nuk prodhojnë asgjë përveçse pasurojnë një grup njerëzish, por të shkojnë në drejtimin e duhur, në drejtimin e pasurimit të qytetarëve, që sot janë më të varfrit në Europë.  

Shumë faleminderit!  

REPLIKË:

Është e vërtetë që zonja Denaj ka ardhur në Tiranë, dhe ka bërë shumë mirë, sepse, po të rikthehej në Konispol, në Delvinë, në Finiq, nuk do ta votonte njeri, për shkak se nuk bëri asgjë për ata banorë, edhe pse ishte ministre Bujqësie. Ndërsa në lidhje me atë që thashë unë, dhe zonja Denaj e deformoi, unë nuk thashë në asnjë moment që ka detyrimin ligjor për t’i bërë te privati analizat. Ajo që unë i kërkova ministrit dhe thashë, është fakti se janë privatë të lidhur me eksponentë të Partisë Socialiste, që u vetofrohen në këtë periudhë reklame negative, për t’u thënë se është mirë t’i bëjnë analizat tek ata, t’i mbajnë këto analiza si prova për cilësinë e produktit të tyre. Ndërkohë, duhej të ishte shteti që të angazhohej për të parë nëse produktet kishin apo jo pesticide apo elemente të tjera problematike, sepse edhe ne si deputetë jemi përballë dy sfidave: në mbrojtje të konsumatorit, pasi edhe siguria ushqimore e konsumatorit është e rëndësishme, si dhe në mbrojtje të fermerit.

Prandaj, e vetmja që duhet të ndërhyjë në këtë rast për t’i garantuar të dyja është qeveria: për të garantuar edhe konsumatorin që ha diçka të shëndetshme, edhe fermerin, që puna e tij të mos shkojë kot. Kjo është detyra e qeverisë. Këtë kërkoj unë të bëjnë qeveria dhe Ministria e Bujqësisë.

(Bie gongu.)

Është minimumi që duhet bërë që, në rastet kur kapen ngarkesa me pesticide, të thuhet se ku u kapën, nga cila zonë dhe nga cili femër, që të mos t’i marrin kostot të gjithë fermerët, sidomos të një zone, ndërkohë që mund të jetë edhe një rast sporadik diku tjetër. Ky është minimumi që duhet të bëjë qeveria në çdo rast, për hir të transparencës dhe të sigurisë së konsumatorit.

Shumë faleminderit!