Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Në fakt, besoj se të gjithë janë njohur me lajmet e ditës së sotme. Sot e kuptuam të gjithë se çfarë nënkuptojmë me standard europian kur flasin qeveritarët tanë, nënkuptojmë standardin, që keni adoptuar, të Federica Mogherin-it, që e keni edhe rektore të Kolegjit të Europës.
Me thënë të drejtën, zoti Kryetar, jam në një dilemë, nëse këta janë të korruptuar dhe zgjedhin, si shokët e tyre, për të bashkëpunuar këtu në Shqipëri, apo vijnë këtu dhe masterizohen nga mjeshtrit e qeverisë për t’u bërë të korruptuar…
Niko Peleshi – Ndjesë, por kjo nuk është për procedurë!
Ina Zhupa – Kam një kërkesë procedurale, zoti Peleshi…
Niko Peleshi – Kjo nuk është për procedurë.
Zoti Shehaj e ka kërkuar fjalën për procedurë?
Cila është procedurë?! Për Rregulloren, votimin, këto janë…
Ina Zhupa – Në qoftë se më lejoni ta mbaroj fjalën, propozoj që ky Kuvend të reagojë, sepse, zoti Peleshi, bëhet fjalë për vendimin nr. 1, datë 29.5.2013, të Këshillit Kombëtar të Territorit që ka miratuar një leje zhvillimi për një kampus universitar atje, që besoj se është shqetësimi i të gjithë kolegëve që ne ta diskutojmë, sepse ky kampus u zhduk dhe iu dha Kolegjit të Europës, të cilit iu dhanë edhe 17 milionë euro nga taksat e shqiptarëve për t’u ndërtuar. Shqetësimi im, por besoj edhe i të gjithë deputetëve, është se si ne mund ta futim këtë gjë në rendin e ditës sot, që të diskutojmë se ku kanë shkuar taksat e shqiptarëve dhe a është një e korruptuar më shumë në aferat e qeverisë. Këto janë të gjitha me interes, sepse studentët dhe pedagogët shqiptarë do të duhej të kishin bërë mësim sot, në këto kushte, sipas kësaj leje. Kur protestonin të rinjtë e FRPD-së, ju u thoshit që jeni kundër Europës, ju u thoshit që jeni kundër standardeve europiane, por, në fakt, ne ishim kundër korrupsionit dhe i duam këto standarde për qytetarët shqiptarë. Besoj se ky është shqetësimi i të gjithëve.
Faleminderit!

