Fjalim në Kuvend për fermerët e manderinave të Metoqit, Çukës të cilët janë prekur nga fatkeqësia natyrore dhe keqmenaxhimi i sistemit nga AKU / 2 dhjetor 2025

Përpara se ta nis me shqetësimet e qytetarëve në një nga zonat më të përmbytura nga këto reshje, dua t’i kthej përgjigje një diskutanti, i cili paska ikur, me sa duket, që kërkonte llogari se si dhe ku e festojmë ne festën e flamurit. Të them të drejtën, nuk e festojmë dhe nuk kemi ndër mend ta festojmë krah qeveritarëve të korruptuar që e vjedhin Shqipërinë çdo ditë dhe bashkiakëve po aq të korruptuar, që zhdukin taksat e shqiptarëve. Ne e festojmë dhe e nderojmë flamurin kombëtar me akte, por edhe krah familjeve patriotike. Nuk kemi ndër mend ndonjëherë që agjendën tonë apo protokollin tonë të na e bëjë ndonjë bashki apo qeveria. Po të arrijmë në atë ditë, do të thotë se nuk jemi më opozitë. Sa u përket shqetësimeve të zonës sime, fatkeqësisht, është e njëjta zonë e cila gjatë verës u dogj nga zjarret dhe tani u përmbyt. Fatkeqësia e kësaj zone është se kur u përmbyt, sikurse edhe kur u dogj, asnjëherë shteti nuk ishte në gatishmëri për të qenë aty dhe për t’i ndihmuar. Fatkeqësia tjetër është se, edhe kur ranë zjarret, bidonët ishin bosh, nuk kishte ujë për t’i shuar; edhe kur pati përmbytje plot ujë, bidonët përsëri ishin bosh, sepse nuk kishte ujë në banesat e qytetarëve, për shkak të turbullimit të ujësjellësit (zgjedhja e fjalës nuk është rastësore). Në këtë aspekt, keqmenaxhimi është fatkeqësia më e madhe e atyre banorëve, vjedhja dhe keqmenaxhimi, sepse u përmbytën Çuka dhe Metoqi, gjë që nuk ka ndodhur ndonjëherë, sepse u ça argjinatura e një lumi që ka zero investime. Ndërkohë, qysh kur ishte Frida Krifca, kanë kaluar miliona euro që me demek janë hedhur në ato argjinatura. Të shembet ura e Metoqit, kur ka vetëm 3 vjet që është ndërtuar, tregon se më shumë është vjedhur sesa është hedhur në investim atje. Kështu që, përpara se të jetë një fatkeqësi natyrore, është një fatkeqësi politike që u ndodh shqiptarëve. 

Nga ana tjetër kemi fermerët e Konispolit, të cilët, sigurisht, u përballën me dy fatkeqësi. Së pari, u përballën me fatkeqësinë e institucioneve të paafta, institucioneve që përhapin lajme të rreme, institucioneve që janë bërë jo mbrojtëse të konsumatorit e të fermerit, por mbrojtëse të interesave të klientëve të tyre. Del  AKU-ja e thotë: 700 tonë mandarina me pesticide. A ka detyrim AKU-ja ta kontrollojë tregun? A ka detyrim AKU-ja të thotë se kush i prodhoi këto, se kush i shiti dhe pse nuk u kapën në kohë, por thuhet vetëm kur kanë ngelur 30 kilogramë?! Meqenëse prodhohen më shumë në Konispol, ejani t’ua veshim banorëve të Konispolit, t’ua veshim punëtorëve e fermerëve të Konispolit, sepse vijnë nga ata! Ky është një dëm i jashtëzakonshëm që e bën papërgjegjshmëria e institucioneve shqiptare. Institucionet duhet të dalin me emra, duhet të marrin masa dhe duhet t’i kapin ato në kohë, edhe për të mbrojtur konsumatorin, por edhe për të mbrojtur fermerin e ndershëm.  Fatkeqësia e dytë ishte ajo e përmbytjeve. Kur një gjë e tillë ndodh në shtetin fqinjë, pak kilometra larg, ata paguhen. Paguhen me shuma të larta, madje ka nga ata që luten të bjerë breshër, sepse kanë fitim të garantuar, se ua jep shteti dhe nuk ka rëndësi nëse e shesin apo nuk e shesin dot prodhimin, kurse nga ana tjetër e kufirit, nga ana jonë, ata janë të vetmuar, pa asnjë mbështetje, madje të kërcënuar. Kur ata protestojnë atje, askush nuk shkon, asnjë nga mediet nuk shkon atje, sepse duan ta heshtin fermerin, të mos e dëgjojnë fermerin. Fermerët me atë jetojnë dhe është detyra e shtetit t’u qëndrojë në krah.

 Sigurisht, këtu nuk kemi as ministër bujqësie, as ministër mbrojtjeje, që të flasin për dëmet e përmbytjeve, por, meqë sot koha është shumë e shkurtër, desha ta përmbyll duke thënë se ende banorët e Delvinës nuk kanë marrë dëmshpërblimet për zjarret. Imagjinoni se kur do të marrin dëmshpërblime për përmbytjet! Këtu mbivendosen ngjarjet dhe vetëm një gjë nuk e kanë kurrë: vëmendjen dhe paratë e shtetit. 

Faleminderit! 

REPLIKË:

Meqenëse foli zoti Shalsi, do të ishte shumë mirë që t’i reflektonte ato që tha në Reformën Territoriale, sepse të gjitha bashkive ua keni larguar shërbimet. Edhe Delvina është nga ato bashki që kolaudimin e bën në Sarandë. Për t’i kthyer një përgjigje parafolësit, dua t’i them se Bashkia e Sarandës bën mirë të çojë ndonjë skrep, kur banorët e Çukës kërkojnë ndihmë, ndërkohë që i përmbyten magazinat me misër dhe prodhime bujqësore. Pra, bën mirë të jetë në dispozicion të njerëzve, sepse kjo është shumë më patriotike; bën mirë të kuptojë se patriotizmi nuk është vetëm një ditë në vit, kur është festa e Pavarësisë, por duhet të jetë 365 ditë dhe duhet të jetë me akte. Kjo i mungon mazhorancës, sepse i ka zëvendësuar 364 ditë për vjedhje dhe vetëm një ditë kujtohen se janë patriotë dhe kanë për të nderuar flamurin.  

Ta harrojë se mund të bëjë agjendën e opozitës; ta harrojë se mund të përcaktojë se kush janë përfaqësuesit e opozitës, sepse punonjësit e bashkisë nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë përfaqësues të Partisë Demokratike dhe të opozitës; ta harrojë se opozita shqiptare do të varet nga agjenda e një bashkie apo e një qeverie! 

Ne e nderojmë flamurin me akte dhe në 365 ditë të vitit. 

Faleminderit.