Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Në fakt, duke e ditur që mund të thotë shumë të pavërteta, nuk e kisha problem të flisja edhe pas zotit Balla, se do të ishte një arsye për t’i kthyer përgjigje, megjithatë po flas tani që kam radhën.
Të nderuar kolegë,
Të nderuar qytetarë,
Ky është një rast kur partnerët nuk i besojnë më Shqipërisë, kur ndërkombëtarët nuk zgjedhin më të bashkëpunojnë me Shqipërinë. Nuk është rast i izoluar, nuk është rast që ndodh për shkak të një agjende të një fondacioni, por sepse të gjithë partnerët e besueshëm të Shqipërisë tashmë lexojnë raportet për Shqipërinë, shikojnë rekordet e lidhura me korrupsionin, e lidhura me drogën, e lidhura me krimin, për të kuptuar që nuk ia vlen bashkëpunimi me qeverinë shqiptare. Të vetmit që bashkëpunojnë me qeverinë shqiptare janë të ngjashmit e tyre. Rasti i fundit i Frederica Mogherini-t e tregoi qartësisht se si një individ, pa asnjë titull shkencor, pa asnjë kontribut në shkencë, as doktore shkencash, as profesor i asociuar, as profesor doktor, në shkelje të ligjit shqiptar, bëhet rektore e një universiteti vetëm sepse është ndërkombëtare, nga këto që mbështesin qeverinë e korruptuar.
Rektorja e këtij universiteti merr miliona euro nga buxheti i këtij shteti të varfër, i këtij shteti që nuk investon në arsim, merr 17 milionë euro nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për ato godina, i dhurohen godina nga këshilli bashkiak i Tiranës, vetëm e vetëm për ta mbajtur mirë me ndërkombëtarët e korruptuar, që ajo të thoshte sa afër integrimit ishte qeveria shqiptare, sa me standarde ishte qeveria shqiptare, sa i arritshëm ishte viti 2030 për qeverinë shqiptare. Të gjitha ishin broçkulla të paguara shtrenjtë nga paratë e taksave të shqiptarëve. Ndërkohë, kishte një vendim të vitit 2013 për ta bërë atë vend kampus universitar për studentët dhe pedagogët, të cilët gjenden në kushte që s’kanë lidhje fare me standardet europiane. Zero. Po të shikosh konviktet, janë në gjendje të mjerueshme. Pastaj, mënyra se si ato ndahen është edhe më e frikshme. Të shikosh buxhetin e arsimit, është skandaloz. Shqipëria alokon më pak fonde për arsimin. Vini këtu dhe thoni: kemi buxhetin më të madh. Atëherë, nga viti 2022, kur fondet e arsimit ishin 2,9% e prodhimit të brendshëm bruto, këtë vit priten 2,4% dhe në vitin 2028, sipas parashikimeve të buxhetit afatmesëm, pritet të jenë 2,1% e prodhimit të brendshëm bruto. Pra, teksa themi që ekonomia po rritet, realisht ulen fondet për arsimin, ulen paratë që duhet të shkojnë për studentët, për mësuesit, për pedagogët. Përdorni çdo marifet për t’u marrë para mësuesve. 11 mijë mësuesve në sistem u hoqët nga 50 mijë lekë të vjetër vetëm me një të rënë të lapsit, me një vendimmarrje të Ogerta Manastirliut, duke zhvlerësuar të gjithë kontributin e tyre me vite në arsim. Mësuesve që paguheshin njëlloj si kolegët e tyre, që jepnin në të njëjtat klasa dhe japin në të njëjtat klasa me kolegët e tyre, mësues që kanë në sistem prej 20, 25, 30 vjetësh, shumë prej të cilëve janë edhe në prag të pensionit dhe kjo gjë i dëmton edhe për pensionin e tyre, me një të rënë të lapsit, me justifikimin se nuk keni para, ndërkohë që paratë i çoni lum te këta ndërkombëtarët e korruptuar, ju u hoqët 50 mijë lekë, 5 mijë lekë të rinj. Nëse ju doni të bëni për mësuesit, e keni mundësinë që ta zgjidhni këtë padrejtësi që u keni bërë, për të cilën, në fakt, edhe disa kolegë të Partisë Socialiste, kur i takon veçmas, edhe për shkak se kanë familjarët e tyre mësues apo edhe qytetarë të zonave të tyre që ua kërkojnë, thonë: ke të drejtë.
Unë kam bërë një propozim ligjor, i cili është konsultuar me sindikatën e mësuesve, me zonjën Alma Lama, ku kërkoj që mësuesve t’u njihet ai shkollim që kanë bërë para se të vendoseshin standardet e Sistemit të Bolonjës. Ju nuk mund të zhvlerësoni diplomat e mësuesve, të cilët japin në të njëjtat klasa, të cilët japin po me aq cilësi sa kolegët e tyre, vetëm se doni t’u vidhni paratë, vetëm se doni që paratë e tyre t’i përdorni për afera korruptive. Për buxhetin e shtetit nuk janë asgjë 5 mijë lekë të rinj në muaj për 11 mijë mësues. Asgjë nuk janë. Nuk janë as sa gjysmë kilometri rrugë, me tarifat që ju bëni kilometrat e rrugëve të florinjta në Shqipëri. Kështu që, kolegë, ju ftoj të reflektoni (edhe ky rast që kemi sot tregon qartësisht që po braktiseni edhe nga ndërkombëtarët), dhe minimalisht, në kohën që jemi duke diskutuar ende për buxhetin, në kohën që jeni duke bërë propagandë të madhe me arsimin, me mësuesit, dhe të pranoni propozimin ligjor, ta votojmë së bashku dhe ta fusim në agjendën parlamentare, se e keni zakon që projektligjet e deputetëve të opozitës i lini në sirtarët e Kuvendit. Ndodh magjia dhe projektligjet tuaja më shpejt janë votuar sesa janë parë nga kolegët deputetë, sepse futen shpejt në seancë plenare, kurse propozimet e deputetëve të opozitës rrinë në sirtarët e Kuvendit. Është shumë e thjeshtë, sepse nuk keni guximin dhe kurajën as t’i votoni kundër, sepse e dini që është votë kundër interesit publik, se e dini që vota juaj kundër është votë kundër çdo mësuesi, sepse mësuesit solidarizohen me kolegët e tyre që japin në të njëjtat klasa, për të njëjtat lëndë dhe që kanë aftësi.
Mësuesve që unë takova, të cilët ishin në prag të pensionit, u këshillohet: bëni një master tani. Ç’master do të bëjnë tani ata? Ata do të dalin në pension. Ata i kanë të gjitha kualifikimet, me institutet që kanë bërë, me sistemin para Bolonjës, të njohura, kurse ju u thoni: bëni një master. Mund të keni edhe interesa klienteliste që keni marrë këtë vendim, për t’i detyruar mësuesit të ndjekin një program master, pale se çfarë marrëveshje keni bërë, por kjo nuk është në të mirën e mësuesve, nuk është në të mirën e arsimit, është diskriminim, është shkelje e të drejtës së fituar dhe është një rast për të kuptuar se si qeveria shqiptare nuk punon për interesin publik, nuk punon për interesin e të ndershmit, nuk punon për interesin e atij që jeton me djersën e ballit, por punon vetëm për interesin e atij që ka marrëveshje me pushtetin, atij që është klient i pushtetit, atij që pasuron pushtetarët, atij që merr tokat e qytetarëve falas, atij që merr për 1 euro ose falas pronat publike. Për këta funksiononi dhe funksiononi shumë mirë, ndërsa për qytetarët zero, harroni, nuk funksiononi dhe, më keq akoma, u bëni dëm. Ndërkohë që bëni propagandë se do t’u rrisni pagat mësuesve, ua rrisni me 35 mijë lekë dhe u hiqni 50 mijë lekë. Pra, përsëri mësuesit e ndershëm, punëtorë të këtij vendi, janë me minus. Kështu që, meqenëse pas meje do ta marrë fjalën kryetari i grupit të PS-së, e ftoj të mbajë një qëndrim për mbështetjen ndaj mësuesve dhe të votojmë pa kaluar dhjetori projektligjin tim, që propozon asgjë më shumë e asgjë më pak sesa kthimin e asaj që kanë pasur mësuesit para VKMsë së Ogerta Manastirliut, të pagesës për kategori të njëjtë me kolegët e tyre, për t’u njohur arsimin që kanë bërë para futjes së Sistemit të Bolonjës, se ai ka qenë arsimi atëherë, nuk mund të kthehemi në kohë…
(Bie gongu.) Faleminderit!
Ligji duhet të ketë gjithmonë qëllim që të garantojë ato të drejta të fituara dhe për të mos i cenuar ata në punët e tyre.
Shumë faleminderit, të nderuar!


