Në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë, me mikpritjen e rektores Prof. Dr. Aurela Saliaj dhe me pjesëmarrjen e mikut të Shqipërisë, ambasadorit të OSBE-së Michel Tarran

Në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë, me mikpritjen e rektores Prof. Dr. Aurela Saliaj dhe me pjesëmarrjen e mikut të Shqipërisë, ambasadorit të OSBE-së Michel Tarran, zhvilluam një diskutim shumë të vlefshëm me pedagogë dhe studentë të departamenteve të lidhura me turizmin.

Në cilësinë e kryetares së komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës drejtova një bisedë e hapur dhe konkrete mbi sfidat dhe mundësitë që ka Vlora dhe Shqipëria për zhvillimin e turizmit, duke vendosur në qendër një element thelbësor që shpesh neglizhohet në politikat publike: përfshirjen reale të botës akademike në hartimin dhe zbatimin e strategjive të zhvillimit.

Universitetet dhe stafet akademike nuk duhet të jenë thjesht spektatorë të politikave të turizmit. Ato duhet të jenë partnerë aktivë në hartimin e strategjisë kombëtare të turizmit, në analizimin e tregjeve, në ndërtimin e modelit të zhvillimit dhe në promovimin profesional të Shqipërisë në panairet ndërkombëtare të turizmit. Shqipëria nuk duhet të shfaqet në këto panaire vetëm me broshura, por me një identitet të qartë turistik dhe një brand të konsoliduar kombëtar.

Diskutimi nxori në pah edhe disa problematika konkrete që lidhen drejtpërdrejt me Vlorën:

– Vështirësia për të zgjatur sezonin turistik përtej muajve të verës. Vlora ka potencial të madh për turizëm kulturor, historik, gastronomik dhe natyror gjatë gjithë vitit, por mungon një strategji e qartë për zhvillimin e këtyre produkteve turistike.

– Ndërhyrjet e paplanifikuara në infrastrukturë gjatë pikun e sezonit turistik, apo aksionet për prishjen e ndërtimeve pa leje në kulmin e sezonit, krijojnë pasiguri dhe ndikojnë negativisht në imazhin e qytetit.

– Mungesa e një plani të integruar për menaxhimin e trafikut dhe të lëvizjes në qytet, sidomos gjatë sezonit turistik, si dhe nevoja për investime më serioze në transportin urban dhe lidhjen e zonave turistike përreth Vlorës.

– Problemet me menaxhimin e mbetjeve urbane, që në disa raste kanë prodhuar pamje të papranueshme për një qytet turistik, sidomos gjatë muajve të verës.

– Mungesa e një planifikimi afatgjatë urban dhe turistik që të garantojë zhvillim të qëndrueshëm, mbrojtje të vijës bregdetare dhe ruajtje të trashëgimisë natyrore e kulturore të zonës.

Vlora ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik: historinë, detin, natyrën, kulturën dhe energjinë e një qyteti që mund të jetë një nga qendrat kryesore turistike të Mesdheut. Por ky potencial duhet menaxhuar me vizion, planifikim dhe profesionalizëm.

Në këtë proces, Universiteti i Vlorës dhe komuniteti akademik duhet të jenë një nga partnerët më të rëndësishëm. Burimet njerëzore, ekspertiza dhe idetë që prodhohen në këtë universitet janë një pasuri që duhet vënë në shërbim të zhvillimit të qytetit dhe të turizmit shqiptar në tërësi.