Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
E kam fjalën për procedurë, sepse, së pari, po dëgjojmë të pavërteta, meqenëse sapo foli ministrja e Brendshme.
Ministrja e Brendshme duhet të na thoshte pse…
Klodiana Spahiu – Zonja Zhupa, kjo nuk ka të bëjë me procedurën!
Ju lutem, të mos e prishim rendin e kësaj seance!
Ina Zhupa – Zonja Spahiu, nuk e kam thënë procedurën.
Më lër ta mbaroj dhe do ta kuptosh ku është procedura.
Klodiana Spahiu – Kjo nuk ka fare lidhje me procedurën, megjithatë mbarojeni!
Ina Zhupa – Po ti nuk e di se çfarë do të them, zonja Spahiu. Më dëgjoni, sepse, ndoshta, duke qenë se ju jeni një njeri që merret…
Klodiana Spahiu – Ju drejtove zonjës ministre. Ina Zhupa – Po ja ta sqaroj unë: ju jeni një njeri që merret me shëndetin publik, dhe duhet ta dini që, kur shteti shqiptar përdor gaz lotsjellës të skaduar, rrezikohet shëndeti publik, zonja nënkryetare, dhe është kundër konventave ndërkombëtare. Ju dhe ne si parlamentarë duhet të jemi të shqetësuar për disproporcionin që ndërmerr Policia e Shtetit ndaj protestuesve paqësorë të opozitës; duhet të jeni shumë të shqetësuar kur rrezikoni të helmoni njerëz, kur godisni invalidë, kur çoni në qelitë e burgut minorenë, sepse këto kanë të bëjnë me standardet kur ne flasim për integrimin europian. Duhet t’ju vijë turp kur del këtu sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe thotë se është arritje e madhe që 2,2 milionë euro shkojnë për një sport, që e ka qejf zoti Klosi! Ndërkohë që në këtë vend nuk ka ilaçe në Pediatri; në këtë vend nuk marrin pagat infermierët; në këtë vend shkurtohet me akt normativ, rast pas rasti, buxheti i arsimit; në këtë vend nuk u jepen pagesat e transportit mësuesve, që ikin nga një zonë në zonën tjetër, sukses, sipas jush, janë 2,2 milionë euro për padelin! Ata 2,2 milionë euro mund t’i jepni shumë mirë për qytetarët, për ilaçet tek Onkologjiku dhe për të mirën e këtij vendi, por jeni katandisur në atë që keni humbur lidhjen me realitetin dhe, si dikur mbretëresha e Francës, e cila thoshte: “Pse protestojnë njerëzit për bukë dhe nuk hanë briosh?”, edhe mazhoranca sot thotë: çfarë problemi ka?! Mjafton që ne të bëjmë padel, t’ju mbysim me gaz të skaduar, të shkatërrojmë pronat, të shkatërrojmë shëndetësinë, të shkatërrojmë arsimin, t’u marrim qytetarëve gjithçka që kanë në jetën e tyre dhe të vijmë këtu e të mburremi me arritje imagjinare!
Zonja Spahiu, nuk ka procedurë më të rëndësishme për një Kuvend sesa të kujdeset për shëndetin e qytetarëve dhe për një të drejtë kushtetuese, siç është protesta.
Qytetarët kanë goditur atje një institucion si Kryeministria, i cili është institucioni më i korruptuar në vend; një institucion që është kriminal dhe i lidhur me krimin; një institucion që përfaqëson narkotrafikun, pra nuk kanë goditur policë të Policisë së Shtetit, të cilët i keni detyruar dhe i përdorni si terroristë kundër qytetarëve.
Shumë faleminderit!



