Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Fakti që ju nuk flisni për pro, flet shumë edhe për projektkalendarin që keni hartuar. Në fakt, opozita në Konferencën e Kryetarëve ka mbajtur një qëndrim të qartë pse nuk e ka miratuar këtë projektkalendar.
Së pari, sepse ky Kuvend ka refuzuar të pranojë një kalendar tjetër, kalendarin për mbledhjen e Këshillit të Mandateve.
Ky Kuvend, në mënyrë të paprecedentë dhe pa u bazuar në asnjë rregullore, nuk e mbledh Këshillin për Mandatet edhe kur këtë e kërkojnë 5 anëtarë të këtij Këshilli, në paritet të plotë me mazhorancën dhe sipas Rregullores së Kuvendit. Madje, nuk e mbledh atë as kur e thërret vetë Kryetari i Kuvendit, kur njofton datën 28 janar dhe më pas e shuan vendimin me një sms.
Në cilin parlament një vendim, një urdhër i shpallur, një mbledhje e thirrur, shuhet me një sms?! Në cilin parlament ndodh që, kur 5 anëtarë të Këshillit për Mandatet, sipas Rregullores, kërkojnë dhe depozitojnë një kërkesë për të futur në kalendar një mbledhje të këtij Këshilli, me qëllim shqyrtimin e kërkesës së SPAK-ut për imunitetin e zëvendëskryeministres, kjo të mos zbatohet?!
Kjo duhet të ishte çështja themelore e Kuvendit. Alibia e Partisë Socialiste se me demek po presin Gjykatën Kushtetuese, a thua se në Gjykatën Kushtetuese ne kemi çështjen e imunitetit të një deputeteje, tregon qartësisht se kjo është thjesht përdorja e Parlamentit si një mburojë mbrojtëse për interesat e qeverisë.
Në Gjykatën Kushtetuese, të nderuar kolegë, nëse ju kanë gënjyer, nuk ka asnjë çështje që gjykon imunitetin e një deputeti. Në Gjykatën Kushtetuese nuk ka asnjë çështje që lidhet me: nëse duhet t’i japë autorizim apo jo Kuvendit për imunitetin e një deputeti.
Në Gjykatën Kushtetuese ka një çështje që lidhet me një anëtare të Këshillit të Ministrave, për funksionet e veta si anëtare e Këshillit të Ministrave, si zëvendëskryeministre dhe si ministre; ka një çështje të Këshillit të Ministrave, për të cilën Kuvendi do të shprehë qëndrimin e vet, por ajo nuk ka asnjë lidhje me çështjen që do të shqyrtojmë ne. Askush nga ne nuk e ka kuptuar se ç’lidhje ka edhe nëse pezullohet, edhe nëse nuk pezullohet, me vendimin për imunitetin! Na iluminoni ju! Nëse pezullohet, ia jepni imunitetin, apo nëse nuk pezullohet, nuk ia jepni?! Çfarë keni vendosur? Ç’është kjo lidhje imagjinare që keni krijuar midis vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese për një çështje të një anëtari të Këshillit të Ministrave, dhe vendimmarrjes së Kuvendit për imunitetin e një deputeti?!
Kur ju e ktheni Kuvendin si një zyrë, paradhomë të Kryeministrisë, që duhet të bëjë urdhrat që i vijnë me sms, sigurisht që kjo opozitë nuk do ta votojë kurrë një kalendar; nuk do ta votojë kurrë një program me ju. Nuk do ta përcaktoni ju agjendën e Kuvendit në mënyrë që të mos i përgjigjet interesit të qytetarëve, sepse interesi i qytetarëve sot është që asnjë i korruptuar të mos ketë imunitet; interesi i qytetarëve sot është që drejtësia të veprojë; interesi i qytetarëve sot është që investimi që kanë bërë partnerët ndërkombëtarë, që ka bërë ky Kuvend me 140 vota, të mos përplaset me pushtetet e tjera për t’i dhënë mburojë politike njërit apo tjetrit.
Patjetër që cilido nga ne, cilido nga qytetarët shqiptarë që mund të pyesni, ndihet në rrezik kur fondet publike vazhdojnë të menaxhohen nga njerëz për të cilët drejtësia thotë se i vjedhin dhe abuzojnë. Rrugë që shemben çdo ditë! Nuk ka një ditë të mos ketë lajme që u shemb kjo rrugë, u ça ky tunel, ra ai mal, se piu ujë! Shpikje që nuk i kishim dëgjuar as nëpër filma, siç thoni ju: piu mali ujë dhe u shemb rruga! Domethënë estrada, nga ato që nuk ka perceptim njerëzor t’i pranojë! Pastaj, vini këtu dhe thoni: hajdeni të votojmë një projektkalendar! Por ky është një projektkalendar që edhe në vetvete ka shkelje të Rregullores. Jua tha edhe kolegu juaj, Braçe: nuk futen në kalendar seancat e pyetje-përgjigjeve, interpelancat, kërkesat për mocion me debat kur ju do qejfi juve, nëse ju do apo nuk ju do qejfi juve. Ato futen, sepse janë detyrim në Rregullore; futen brenda tri javëve, kur janë normale, dhe futen në seancën pasardhëse, kur janë urgjente.
A mund të na thoni ku është kërkesa e Partisë Demokratike për interpelancë me ministren e Brendshme për gazin helmues që iu hodh protestuesve të opozitës?! Ku është?! Ku është seanca e pyetje-përgjigjeve me ministren e Brendshme?! Si ka mundësi, që çdo projektligj i deputetëve të opozitës lihet për 2, 3, 4 apo 5 muaj atje, ndërsa projektligjet e deputetëve tuaj futen në korsinë e shpejtësisë?!
Ju, kur shikoni një projektligj të opozitës, keni vetëm një devizë: do ta votojmë kundër, edhe nëse është pro interesit publik. Madje, tani keni shpikur edhe një metodë të re: fusni projektligje paralele, të njëjta me ato që kemi propozuar ne, vetëm e vetëm për të mos miratuar projektligjet tona.
Jua them këtu, jua deklaroj, zoti Balla, meqë je kryetar i grupit: merreni projektligjin tim për pagat e mësuesve, ndryshojani emrin, vendosini emrin e Manastirliut, që ua hoqi pagat mësuesve me VKM, në qershor të vitit 2024, dhe votojeni! Nuk e dua emrin në projektligj, as kreditet, por dua thjesht të bëhet interesi i mësuesve, i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shqiptar, që ka shkuar kundër jush edhe në Gjykatën Kushtetuese.
Dhe do t’jua publikoj, të nderuar kolegë, se ju harroni se ç’thoni dhe ç’bëni, mbledhjet e Komisionit për Edukimin, kur me patos e mbronit atë VKM që sot doni ta ndryshoni me ligj; kur ministrja juaj e Arsimit në atë kohë thoshte me patos: kam bërë shumë mirë që ua kam hequr atë 50 mijë lekëshin, sepse i kam barazuar mësuesit me nëpunësit e administratës publike, se mësuesit nuk mund të quheshin me shkollë të lartë. Këto janë në procesverbalin e datës 12 nëntor 2024, në mbledhjen e Komisionit për Edukimin, dhe mund t’i shikoni. Mua më vjen mirë që mësuesit do ta fitojnë betejën, por më vjen keq që ky Parlament përdoret gjithmonë dhe vetëm për interesat e mazhorancës; përdoret gjithmonë dhe vetëm duke pasur dy korsi: një korsi për qeverinë dhe për deputetët e mazhorancës, dhe një korsi tjetër, ku projektligjet harrohen, ngelen në sirtarët e Kuvendit dhe votohen gjithmonë kundër, a thua se do të humbni ndonjë kredit të madh politik nëse votoni pro! Ju keni frikë të pranoni që opozita qëndron në interesin e qytetarëve!
Në fakt, ajo që do të duhet të bëjë ky Kuvend, është të ndjekë interesin më të lartë të qytetarëve, të mbledhë menjëherë Këshillin për Mandatet, pa vonesë, të shqyrtojë dhe të japë miratimin për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres, në mënyrë që drejtësia të veprojë, provat të mos prishen dhe askush të mos vazhdojë të abuzojë me fondet dhe me interesin publik të qytetarëve shqiptarë. Ky është interesi më i lartë i qytetarëve shqiptarë: një Kuvend që miraton ligje për ta, që dëgjon grupet e interesit dhe nuk shërben si mburojë politike, si garanci për të mos u hetuar e arrestuar apo si licensë për të bërë korrupsion, klientelizëm dhe për të vjedhur fondet publike.
Ky është një Kuvend që nuk u shërben qytetarëve. Prandaj, qytetarët do t’ju përgjigjen në shesh, më 10 shkurt ata do të jenë atje, si sot një javë, ditën e martë, për të protestuar edhe kundër këtij Parlamenti, që shërben si mburojë politike për të korruptuarit e qeverisë.
Shumë faleminderit!

