Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Në fakt, nuk ka nevojë për shumë fjalë, sepse ju e demaskoni veten shumë shpejt. Ditën që ne po miratojmë këtë ligj, i cili do të na garantojë që shërbimi ynë i jashtëm do të jetë një shërbim diplomatik i pavarur, cilësor dhe larg politikës, pikërisht, në të njëjtën ditë vjen njoftimi i Komisionit të Jashtëm për dy emërime politike në krye të diplomacisë: ish-deputeti, Bardhyl Kollçaku, bëhet ambasador në NATO dhe ishakademikja politike, Jeta Kreka, bëhet ambasadore në Katar. Pra, nga e thëna në të bërë, është në mes një det i tërë, – themi ne andej nga Vlora.
Edhe këtu, për ligjin që flisni dhe me propagandën që bëni, realiteti është ndryshe, sepse ambasadat janë mbushur me ish-deputetë të Partisë Socialiste, si një pensionim luksi për të jetuar në një vend europian me taksat e qytetarëve, për t’i bërë shërbim Edi Ramës, për të punuar atje për votën e diasporës dhe për të pasur një pleqëri të rehatshme.
Kështu e keni kthyer diplomacinë, dhe nuk është një rast. Shumica e ambasadave sot drejtohen nga ish-analistë të majtë, që studio më studio mbronin Partinë Socialiste dhe tani përfaqësojnë shtetin shqiptar; nga ish-deputetë socialistë; nga ish-zëvendësministra socialistë, të gjithë këta me karrierë të ndritur diplomatike. Që kur bëtë ligjin më 2015-ën, ku hoqët çdo limit dhe çdo proporcion midis diplomatëve të karrierës dhe atyre që futeshin jashtë sistemit, sistemi i diplomacisë u kthye në një sistem patronazhimi politik.
Në fakt, vota e diasporës dhe i gjithë procesi që e shoqëroi atë, e tregoi fare mirë rolin që luajtën ambasadorët dhe ambasadat, ku përballë ambasadës në Greqi bëheshin zyrat elektorale të Partisë Socialiste; ku fjalimet e Kryeministrit dhe takimet e koordinatorit të diasporës, drejtuesit politik të diasporës, kishin në rresht të parë të gjithë ambasadorët e vendeve ku shkonte për të bërë takimet; ku ambasadat merreshin me njoftimet e atyre që do të bënin takimet. Gjithçka u shndërrua në atë që thotë raporti i
OSBE/ODIHR-it: partia-shtet, ku shteti ishte në funksion të partisë për votën e diasporës dhe ambasadorët ishin thjesht të deleguarit e partisë në atë zonë.
Nëse ju kishit kryetarë partie në qytetet e Shqipërisë, nëpër shtetet e Europës dhe nëpër shtetet e botës “kryetarët e partisë” ishin ambasadorët garantë për votën e diasporës. Të njëjtët ambasadorë sot, sa herë ju jepet mundësia, jashtë kamerave ankohen; ankohen edhe te botuesit. Ne patëm mundësi ta dëgjonim në Komisionin e Diasporës botuesin, ku na tha se ambasadori juaj, ish-ministri Ervin Bushati, kërkonte Abetare te botuesit, sepse shteti shqiptar nuk i çonte Abetare për komunitetin shqiptar atje. Kjo është të investosh në diplomaci, ku ambasadorët të mos kthehen në lypsarë të biznesmenëve apo të botuesve, por shteti shqiptar të jetë garant për gjuhën shqipe, të jetë garant për identitetin dhe të ofrojë shërbime në mënyrë cilësore; jo të vihen ato call center-at që nuk të përgjigjen kurrë, dhe kur diaspora shqiptare kërkon shërbim nga ambasadat tuaja nëpër Europë përballen me një zë të regjistruar, që u thotë: “Prisni në linjë”, dhe me një muzikë që nuk mbaron kurrë, sepse kjo nuk do të thotë t’u përgjigjesh nevojave që kanë qytetarët shqiptarë.
Së dyti, kemi një rekord, që është ai azilkërkimit në vendet europiane. Sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria është e dyta në botë për numrin e azilkërkuesve, sepse në 10 vjetët e fundit janë larguar 64 mijë e 215 shtetas shqiptarë nën moshën 18 vjeç. Në një raport ndërmjet numrit të banorëve dhe numrit që largohen, Shqipërisë i janë larguar 241 të rinj për 10 mijë banorë, vetëm Siria e kalon me 266 kërkesa për 10 mijë banorë. Pra, ne e kemi 241, ndërsa Siria 266. Pra, jemi të dytët në botë për azilkërkime. Kjo vjen nga puna e shkëlqyer që ka bërë qeveria për të shkatërruar çdo standard jetese këtu!
Ndaj të rinjtë kanë zgjedhur të ikin; ndaj vendi po shpopullohet, ndaj shikoni në krye të protestave të opozitës rininë, sepse rinia nuk ka më shpresë në Shqipëri, sepse rinia ose shikon shokët dhe kolegët që largohen nga Shqipëria, qoftë në mënyrë të rregullt, përmes mundësive të studimit, qoftë si azilkërkues, sipas raporteve, ose duhet të protestojë. Kjo ndodh sepse ka dështuar sistemi arsimor, sepse ka dështuar sistemi i meritokracisë, sepse në këtë shtet duhet të jesh patronazhist që të ecësh përpara, sepse ka dështuar sistemi shëndetësor, sepse ka dështuar gjithçka dhe rinia proteston.
Ndaj edhe barrën e protestës më 20 shkurt, nesër, në orën 18:00, e ka rinia shqiptare, që do të jetë atje për të shprehur revoltën se sa larg na keni çuar ju nga standardet europiane, se sa larg na keni çuar ju nga ajo që kërkuan shqiptarët, një Shqipëri si gjithë Europa, se si korrupsioni juaj është ai që po e gërryen Shqipërinë, që po vjedh paratë e shqiptarëve dhe që u ka ulur atyre standardin e jetesës, sepse ky Parlament e ka korrupsionin bazë të aktivitetit të tij. Askush nuk u shqetësua që Shqipëria ka rënë 11 vende për një vit. Të humbësh 11 vende për një vit, do të thotë që ke përkeqësuar çdo standard të llogaridhënies dhe transparencës së tenderave publikë, si dhe ke rritur në mënyrë galopante vjedhjen dhe abuzimin. 11 vende nuk janë pak për një vend, që sot renditet me 39 pikë. Pra, nga 0 deri në 100 pikë, Shqipëria merr vetëm 39 pikë, nuk arrin dot as të marrë notën kaluese për t’u kualifikuar si një demokraci, jo më si një demokraci funksionale, për të cilën duhet të kesh mbi 70 pikë. Ne kemi 39 pikë. Pastaj flisni për suksese të diplomacisë.
Por, edhe diplomatët e karrierës, edhe ata pak që keni, nuk kanë çfarë të bëjnë, sepse nuk kanë çfarë të shesin, nuk kanë çfarë t’ju thonë, ndërkohë raportet ndërkombëtare e tregojnë qartë. Lexoni raportin e Departamentit të Shtetit, blozë; lexoni raportin për korrupsionin, blozë; lexoni raportet e Eurostat-it për azilkërkimin, blozë. Çfarë do t’ju thonë ambasadorët? Pastaj e keqja është e vërteta. Nuk është e keqja e vërteta; e keqja janë ata që e prodhojnë atë të vërtetë të hidhur, që qytetarët shqiptarë janë të detyruar ta jetojnë çdo ditë, për të cilën anatemohen edhe kur protestojnë. Herën e kaluar më pyetën gazetarët: “Çfarë kishte kryetari i grupit socialist që u acarua aq shumë?” Sepse kryetarit të grupit socialist i kujtova kohën kur deputetët socialistë hipnin mbi kokat e policëve në dyert e KQZ-së, protestonin dhe policët jo vetëm që nuk i preknin me dorë, por edhe kur i kishin mbi kokat e tyre, nuk tundeshin që ata të mos binin dhe të rrëzoheshin. Kurse sot Policia e Shtetit, narkopolicia, jo vetëm që nuk njeh asnjë limit, asnjë proporcionalitet me protestuesit, me deputetët e opozitës, por është kthyer në një abuzuese të asaj të drejte që i ka dhënë ligji për të garantuar rend dhe siguri.
Deputeti Bledjon Nallbati, që kishte vetëm duart e tij dhe fjalën, u sulmua me të gjitha format: me shkop gome, ujë, gaz, gjithçka ia hodhën.
Deputeti Igli Cara kërkoi të futej në mbledhjen e këshillit bashkiak, por u mor dhe u tërhoq nga policët, sepse nuk duhej të ishte atje kur kalonte Kryeministri. Këto janë standardet e policisë që keni krijuar ju. Nëse mendoni se i frikësoni qytetarët me këtë polici, harrojeni. Të shumtë do të jemi nesër, e shumtë do të jetë rinia në shesh, të shumtë do të jenë qytetarët që do të protestojnë dhe do të revoltohen për një Shqipëri jo korruptive, për një Shqipëri që u shërben interesave të shqiptarëve.
Shumë faleminderit!

