Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Besoj se ju e dëgjuat që më përmendi 200 herë, pra është edhe ndjenja e fajit për një projektligji të vjedhur dhe të përçudnuar, por ta kishte vjedhur tamam, ta kishte bërë tamam, se do ta kisha votuar edhe unë. Por këta e vodhën, e përçudnuan dhe tani thonë: hajdeni votojeni ju gjysmë për gjysmë për mësuesit!
Sa për kolegët, zonja Kushi, ju i kishit përjashtuar, pra nuk kishte si të votonte zonja Vokshi, kur ju e përjashtuat 3 muaj nga Kuvendi. Të gjithë deputetët e Partisë Demokratike dhe të opozitës, që kanë qenë në seancë, e kanë votuar projektligjin. Ajo, për të cilën duhet të të vijë turp, është të sjellësh një zgjidhje gjysmake për mësuesit, pasi, me një të rënë të lapsit, u ke hequr 11 172 mësuesve të drejtën e fituar deri në qershor të vitit 2024, dhe pas presionit të opozitës, të sindikatës ta sjellësh nismën gjysmake. Është e vërtetë: kam kërkuar dhe e rikërkoj në ligjin “Për arsimin e lartë”, sepse duhet rregulluar njëherë e mirë; duhet rregulluar që t’u japim mundësinë e avancimit në karrierë dhe garancinë e pagës. Nisma juaj është gjysmake, se keni hallin e parave të buxhetit të shtetit, se doni t’i vidhni dhe jo t’i bëni paga për mësuesit, sepse, po të kishit merakun e mësuesve, e kishit sjellë të plotë, e kishit sjellë te ligji “Për arsimin e lartë”, siç e solla unë, dhe nuk sillni një nismë të vjedhur, të përçudnuar dhe tani thoni: hajdeni të votoni ju se si t’ua marrim 5 mijë mësuesve të tjerë atë të drejtë, që e kishin fituar para vitit 2024!
Ndaj, zonja Kushi, meqenëse je edhe nënkryetare e Komisionit për Edukimin, diskutoni atje edhe për pronësinë intelektuale dhe t’ju vijë turp që merrni dhe plagjiaturoni ligjet e opozitës.
Faleminderit!

