Fjala për procedurë dhe qëndrim mbi protesten e drejtë të zhvilluar nga studentët e Maqedonisë së Veriut për përdorimin e gjuhës shqipe / 16 prill 2026

Në fakt, i kam ndjekur me vëmendje edhe prononcimet e deputetëve nga ana juaj, edhe të deputetëve tanë në lidhje me protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Më vjen mirë që kemi reaguar të dyja palët, por kemi reaguar në mënyrë individuale, si deputetë apo si përfaqësueses të elektoratit tonë.  Do të ishte në nderin dhe në detyrën e këtij Kuvendi që të reagonte zyrtarisht dhe të dilte me një deklaratë të përbashkët, në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, për ta përdorur gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, që vjen që nga Marrëveshja e Ohrit, por edhe me ligjin e miratuar nga Maqedonia e Veriut, sepse nuk bëhet fjalë për një diskutim me karakter politik, por bëhet fjalë për një diskutim ligjor me karakter kombëtar.  

Ju Samitin e Diasporës e kishit titulluar: “Rrënjët të lartësojnë”. Rrënjët tona janë kudo, janë edhe në Maqedoninë e Veriut, dhe është detyra e shtetit shqiptar që të kujdeset sa herë cenohen të drejtat atje.  

Zoti Kryetar, për mënyrën se si e kishit organizuar Samitin e Diasporës, do t’ju ftoja, me shumë sinqeritet, meqenëse jeni duke diskutuar edhe Rregulloren e Kuvendit, që Komisionit të Turizmit dhe Kulturës t’ia hiqni diasporën për aq kohë sa e keni injoruar totalisht Kuvendin, për aq kohë sa qeveria nuk e pa të nevojshme që t’i përfshinte si pjesëmarrës deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Komisionin Parlamentar të Diasporës, për të qenë pjesë e organizimit të samitit, i cili i shërbente realisht diasporës! 

Ky samit, zoti ministër, meqë jeni këtu, do të duhej të kishte filluar me atë se çfarë u bë në tri samitet e mëparshme, cilat ishin objektivat që arritën dhe cilat janë objektivat e këtij të katërtit, por e kthyet në një samit propagandistik. Unë, për shembull, nuk arrita dot ta kuptoj, pasi ju kishit publikuar agjendën finale, se si u gjend folës Taulant Balla dhe me çfarë tagri ishte ai atje, përveçse me tagrin e drejtuesit politik të diasporës, sepse po të ishte si kryetar grupi, do të ishte detyrim që të gjithë kryetarët e grupeve parlamentare të ishin ftuar atje.  

Ju çdo gjë e përdorni për politikë dhe për qëllime elektorale, por, të paktën, kur vjen puna te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, le të bashkohemi, le të jetë detyrë e kryetarëve të grupeve për të bërë një deklaratë të përbashkët të Kuvendit të Shqipërisë. 

Faleminderit!  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *