Ndërhyrje për procedurë dhe kërkesa për interpelancë me ministren Kumbaro / 16 prill 2026

Zoti Kryetar, interpelancën me zonjën Kumbaro e kam kërkuar unë. Justifikimi se e organizon ministrja konkursin e gjuhës, më falni për shprehjen, më duket banal. Ministrja, maksimumi, do të shkojë të mbajë ndonjë fjalë përshëndetëse atje, që mund ta kishte mbajtur ndërkohë ose mund të shkonte pas Kuvendit, por nuk besoj se duhet të shmanget Kuvendi i Shqipërisë, kur është një interpelancë realisht urgjente, sepse bëhet fjalë për provimin e licensës së mësuesve, që ka afat. Pra, nëse mund të ndërhyhet, ndërhyrja duhet të bëhet tani dhe jo në maj, sepse bëhen provimet e licensës.  Janë të paktën 2000 mësues që preken nga kjo, dhe të thuash: nuk vij në Kuvend, nuk e diskutoj këtë çështje, nuk jap llogari dhe nuk gjej një zgjidhje (se ideja është që të diskutojmë për të gjetur një zgjidhje), por do të shkoj të mbaj një fjalë rasti te konkursi i gjuhës…

Unë mund ta mirëkuptoj për një moment diplomatik, siç mund të jenë marrëdhëniet me Gjermaninë apo një agjendë e paracaktuar bilaterale, por nuk e mirëkuptoj ministren e Arsimit, e cila thjesht po e shmang për të fituar kohë, sepse kishte vetëm 2 ditë kohë (me sa duket, nuk brief-ohet dot nga stafi dhe i duhet më shumë kohë, që ta kuptojë edhe vetë se çfarë ka bërë), dhe do të vijë, me kësmet, javën tjetër. Për mua këto janë justifikime dhe janë në dëm të parlamentarizmit, të së drejtës për transparencë dhe për llogaridhënie dhe, mbi të gjitha, në dëm të mësuesve, të cilët po prisnin një përgjigje sot se çfarë do të thoshte ministrja për çështjen e provimit të licensës. 

Faleminderit!