Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Zoti Kryetar, unë i bashkohem qëndrimit të zotit Muçi. Me ligjin që ju keni miratuar në vitin 2024, tashmë në mënyrë faktike nuk ka më zona të mbrojtura. Fadromat shkojnë kudo, pa pyetur fare se po shkatërrojnë trashëgiminë, mjedisin, po shkatërrojnë një zonë që nuk mund ta gjesh dot në të njëjtën kategori në vendet përreth. Zoti Kryetar, raporti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian për herë të parë bën thirrje për shfuqizimin e ligjit që ka miratuar ky
Kuvend, bën thirrje për shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin e vitit 2024 për zonat e mbrojtura, të cilat lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetenca kyçe të qeverisjes dhe vendimmarrjes te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kështu mbikëqyrjen mjedisore, e cituar fjalë për fjalë.
Ky ligj jo vetëm është kundërshtuar nga Partia Demokratike, është çuar në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike, dhe në Gjykatën Kushtetuese keni marrë një rezultat katër me katër, që ishte një rezultat i barabartë, por kur ka rezultat të barabartë, ju jeni shumë të lumtur, sepse rri në fuqi antikushtetutshmëria. Siç jua thamë atëherë, po jua themi edhe sot: si Kuvend kemi detyrimin që menjëherë të bëjmë shfuqizimin e atij ligji, ta bëjmë atë shfuqizim jo vetëm pse është antikushtetues, por sepse tashmë e keni të shkruar nga Bashkimi Europian, se është pengues i rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, është jashtë standardeve që kërkon Bashkimi Europian. Nuk mund ta ktheni Shqipërinë në “pika të vogla” të Mirela Kumbaros.
Ky ligj u kalua dhe u miratua në kohën kur Mirela Kumbaro ishte ministre e Mjedisit. Mirela sot po hetohet për çështje të para 10 vjetëve, kur t’i vijë radha për t’u hetuar për këtë ligjin që ka bërë parvjet, do të jenë shkretuar zonat e mbrojtura. Kështu që, ne nuk mund të presim derisa zonjës Kumbaro t’i vijë radha në SPAK për zonat e mbrojtura, sepse ndërkohë është masakruar Shqipëria, por duhet të ndërhyjë Kuvendi, duhet të ndërhyjmë në mënyrë të përbashkët, meqenëse është kërkesë e Bashkimit Europian, dhe të fusim ndryshimet ligjore për ta shfuqizuar atë masakër që po bëni në zonat e mbrojtura, me fadroma kudo, pa nevojë për leje, sepse sot praktikisht në Shqipëri nuk ka më zona të mbrojtura, ka vetëm “pika të vogla” të Mirela Kumbaros…

