Fjalim në Kuvend për nismat e 5 ligjeve me porosi të mazhorancës që cënojnë anëtarësimin në BE / 14 Maj 2026

Në fakt, në Bashkimin Evropian nuk futesh vetëm se hap kapitujt, por pas një misioni më të madh: duhet të mbyllësh gropën e madhe të korrupsionit, për të cilën ju punoni çdo ditë që ta thelloni, duke dhënë një kontribut të pandalshëm.  

Ky Parlament ka miratuar, si në asnjë vend tjetër të Bashkimit Evropian dhe kundër çdo direktive, kundër çdo parimi, kundër Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian, kundër Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, 5 ligje, që përbëjnë “paketën e gllabërimit” të pronës private dhe publike. Ky Parlament ka miratuar në mënyrë klienteliste 5 ligje me porosi, që janë: ligji i investimeve strategjike, ligji i zonave të mbrojtura, ligji i porteve turistike, ligji i Paketës së Maleve dhe ligji i Korporatës së Investimeve Shqiptare. Të pesta këto ligje janë vjedhje dhe gllabërim i pronës publike dhe private. 

Ligji i investimeve strategjike jepte pronën publike, duke gllabëruar edhe disa nga ato private, me të gjitha benefitet e shtetit tek oligarkët e preferuar të qeverisë. Kur i mbaruat të gjitha tokat bregdetare me ligjin e investimeve strategjike, shtuat ligjin e Paketës së Maleve, për të shtrirë gllabërimin e pronave publike, duke shtuar në këtë rast edhe futjen e elementeve të pronës private. Pra, mund t’i vësh syrin edhe një prone private dhe mund ta marrësh ta investosh, sepse në këtë vend i pasuri ka më shumë të drejta sesa i varfëri, sepse i pasuri mund të bëhet pronar, ndryshe nga ai që e ka pronën të trashëguar nga të parët e vet, pasi nuk ka atë pasuri dhe atë lidhje me pushtetin.  

Ligji tjetër është ai i zonave të mbrojtura, i vetmi ligj për të cilin Bashkimi Evropian ju thotë që duhet ta shfuqizoni, sepse nuk ka më asnjë ndalesë. Mbasi mbaruat me detet, me malet, ju duheshin edhe zonat e mbrojtura, dhe prandaj bëtë ligjin. Sot kanë hyrë fadromat në Pishë Poro. Fadromat mund të hyjnë kudo nëpër Shqipëri, sepse s’ka më zona të mbrojtura.  

Në fund, për ta mbyllur “paketën e dhurimit të Shqipërisë” si një plaçkë, pa asnjë kriter dhe pa asnjë moral, bëtë edhe ligjin e Korporatës së Investimeve Shqiptare, i cili dhuronte ato prona publike që do t’u jepeshin oligarkëve për të ndërtuar kryesisht kulla, njësoj siç keni planin për Pallatin e Brigadave, për Pallatin e Kongreseve dhe siç doni të gllabëroni prona shtetërore në mes të Tiranës apo kudo nëpër Shqipëri.  

 Pesë ligje, një paketë antipronë, janë paketa më e shëmtuar e ligjeve me porosi, e ligjeve klienteliste, që të largojnë nga Bashkimi Evropian, që i dënon Bashkimi Evropian, që shkatërron jetën dhe pronën e qytetarëve shqiptarë, që është larg atij standardi që kërkon jo vetëm Bashkimi Evropian, por edhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, sipas së cilës pasuria publike duhet mbrojtur, për t’u trashëguar e paprekur te brezat e ardhshëm. Por si e shenjtë duhet mbrojtur edhe prona private, që ju e keni kthyer në një mall tregtar për atë që ka para, për t’ia dhuruar pronën atij që mund të investojë. 

 Ndaj, jeni qeveria më antievropiane, jeni qeveria që rrëmbeni dhe gllabëroni pronat publike dhe pronat private në këtë vend. 

Shumë faleminderit!