Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Unë besoj se i gjithë Kuvendi e ka përcjellë, edhe nëpërmjet medieve, gjendjen e rëndë kriminale në qytetin e Sarandës. U arrestua një shef komisariati, u arrestuan edhe disa pjesëtarë të tjerë të komisariatit, mirëpo ky Parlament bën sikur nuk di asgjë, kjo qeveri bën sikur nuk di asgjë. Ndërkohë, Prokurori i Përgjithshëm, në këtë sallë të Kuvendit, në raport ka thënë se qyteti me kriminalitetin më të lartë është Saranda. Çfarë mase u mor? Asnjë masë, sepse ishte patronazhisti i qeverisë, ishte ai që kishte garantuar votat.
Më falni, nëse ju nuk e dini, a mund t’ju informoj që Policia e Shtetit nuk mund të veprojë e vetme pa Policinë Bashkiake dhe pa Inspektoratin Vendor të Mbrojtjes së Territorit kur vjen puna te monitorimi i territorit? A mund t’ju informoj ju që drejtori i Policisë Bashkiake është një i shkarkuar nga radhët e Policisë së Shtetit, i dënuar, sepse ka marrë ryshfet nga trafikantët e drogës? A mund t’ju kërkoj ju dhe mediave t’i bini telefonit të drejtorit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit dhe ta verifikoni nëse e ka të hapur, apo të mbyllur? Ai ka ikur në drejtim të paditur, ai është i fshehur dhe ju vazhdoni e mbani drejtor të Inspektoratit, ndërkohë është vënë shiriti i kuq nga prokuroria në Sarandë. A do të vazhdoni të bëni sikur nuk dini gjë?!
Shkoi ministri dhe i mori në krah këta njerëz, që ishin pjesë e grupit të strukturuar kriminal të zyrtarëve që merrnin ryshfete, të cilët e kanë kthyer Sarandën në një skenë krimi, të ngjashme me Palermon e viteve ‘80-të. Nuk e dinit ju këtë? Çfarë prisni ju që të merrni masa për Bashkinë e Sarandës, që të vetmin kriter punësimi ka: a je i korruptuar, a ke qenë njeri i dënuar? Nëse ke qenë i dënuar dhe nëse je i korruptuar, i plotëson të gjitha kriteret për t’u punësuar në bashki, pavarësisht çfarë anë politike ke.
Nëse nuk reagoni, kini parasysh që pasoja shumë të rënda do të vijnë për atë qytet dhe për atë zonë. Kini parasysh që atje në sezonin turistik dyfishohet numri i popullsisë nga turistët, dhe rreziku bëhet edhe më i madh.
Ndaj, si Kuvend, besoj se nuk kemi detyrë më të rëndësishme sesa të flasim për jetën e qytetarëve, për sigurinë e qytetarëve, për një qytet të rëndësishëm, që unë kam nderin ta përfaqësoj. Prandaj, mos bëni sikur nuk i dini lidhjet kriminale atje, vetëm se janë patronazhistët, që ju shërbyen për të marrë votat në zgjedhjet e 11 majit të vitit 2025.
Jepini siguri qytetit të Sarandës, jepini siguri Jugut!
Faleminderit!

