Fjala në emër të Gr. Parlamentar, seancë në Kuvend / 11 Qershor 2026

I nderuar zoti Kryetar, siç e thamë edhe dje në Konferencën e Kryetarëve, ky Kuvend nuk mund të jetë në një botë paralele nga bota e realitetit që po ndodh në Shqipëri, ky Kuvend nuk mund të jetë një flluskë e mbyllur, që nuk e kupton se çfarë kërkojnë qytetarët shqiptarë, cili është prioriteti i ditës dhe cilat janë çështjet që duhet të shqyrtojë për t’iu përgjigjur qytetarëve në shesh dhe në të gjithë Shqipërinë.  

Çështja e parë që duhet të adresohet është paketa e integrimit, paketa e shfuqizimit të ligjeve që e kanë dhuruar Shqipërinë te klientët e pushtetit dhe tek oligarkët, që e kanë trajtuar Shqipërinë si një plaçkë, të cilën Kryeministri mund ta ndajë sipas terezisë së vet, si dhe që e kanë trajtuar zhvillimin me konceptin “kur do Edi Rama, kë do Edi Rama, ku do Edi Rama, si do Edi Rama”. Kjo nuk është as Shqipëria evropiane për të cilën keni bërë fushatën dhe as Shqipëria që duan shqiptarët.  

Keni një projektligj të datës 14 maj, për shfuqizimin e ligjit “Për zonat e mbrojtura”. Përpara se të niste protesta qytetare, ishte kërkesë e Parlamentit Evropian dhe unë e kam sjellë pikërisht si reflektim të asaj për të cilën Kuvendi mori angazhim me rezolutë, pra se do të zbatonte rekomandimet e Parlamentit Evropian. Ky është i vetmi projektligj në kalendar, i cili nuk ka një datë se kur do të shqyrtohet nga Kuvendi, kur, në fakt, kjo është një nga kërkesat e protestuesve, një nga kërkesat e qytetarëve për të mbrojtur këto zona në Shqipëri, për të mbrojtur trashëgiminë natyrore dhe atë kulturore, për ta mbrojtur për brezat e ardhshëm. Dhe çfarë bëni ju? E lini pa datë dhe thoni: ejani të miratojmë kalendarin; të miratojmë kalendarin për gjëra të pavlera, që nuk i shërbejnë interesit publik! Këtu ka çështje themelore: se si është kapur shteti nga një grusht njerëzish, se si i kanë miratuar ligjet, duke filluar nga ligji “Për investimet strategjike”, te “Paketa e maleve”, portet turistike, Korporata Shqiptare e 

Investimeve, ligji “Për zonat e mbrojtura”, ligji “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”; të gjitha këto një paketë si ta marrim Shqipërinë dhe ta trajtojmë si plaçkë! Përgjigjuni realitetit! Realiteti kërkon dorëheqjen e Edi Ramës; realiteti kërkon një qeveri tranzitore; realiteti kërkon një parlament që miraton shfuqizimin e ligjeve kundër interesit publik; realiteti kërkon një parlament që nuk i anatemon protestuesit, që nuk i numëron ata me syzet e miopit, por me syzet e realitetit! 

Qindra mijëra protestues në shesh kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës dhe shfuqizimin e atyre ligjeve që e kanë trajtuar Shqipërinë si një plaçkë!  

Të nderuar deputetë, nëse besoni se mandatet tuaja vijnë nga vota e qytetarëve, përgjigjuni atyre; nëse besoni se mandatet tuaja vijnë vetëm nga vullneti i Edi Ramës dhe nga paratë e oligarkëve dhe kriminelëve, mos iu përgjigjni qytetarëve, por do t’ju përgjigjen ata juve. Do ta merrni përgjigjen, siç po e merrni dhe siç po e shikoni: çdo ditë më shumë, çdo ditë më të vendosur, çdo ditë më të qartë në objektivat e tyre, çdo ditë janë atje për të kërkuar që kjo qeveri dhe kjo makutëri, kjo sjellje harbute, duke shkelur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Rregulloren e Kuvendit, duke shkelur interesin publik dhe interesin e brezave të ardhshëm, të fëmijëve tanë, të ndalojë. Atje, në fakt, do të shikoni portretin më domethënës të protestave ndonjëherë në Shqipëri: fëmijët, brezin e ardhshëm, fëmijët e pafajshëm, të cilët duan një Shqipëri më të mirë se ajo që është sot, një Shqipëri anëtare në Bashkimin Evropian, me standardet e tij, dhe që investimin më strategjik ka natyrën, mjedisin, trashëgiminë kulturore, trashëgiminë natyrore, sepse, mbi të gjitha dhe para së gjithash, jemi shqiptarë!