Fjalim në Kuvend mbi keqqeverisjen, korrupsionin ne administratëdhe kapjen e prokurimeve dhe pasurinë publike / 17 Shtator 2026

Në fakt, ky është fjalimi im i parë për këtë sesion të ri. E nisët sesionin e ri duke mohuar procedurën herën e kaluar, duke shkurtuar procedurën kësaj radhe dhe më në fund, mes gjithë atyre ngjarjeve që mbizotëruan në periudhën e pushimit të Parlamentit, dolën edhe skandale të tjera, përgjime të tjera, të dhëna të tjera që konfirmojnë të njëjtën gjë, që konfirmojnë një qeverisje që i shërben Edi Ramës, një grupi pranë Edi Ramës, të përzgjedhurve të tij, që ka gjithmonë një koordinator që një herë është shqiptar e një herë mund të jetë i huaj, por që modeli është i njëjti, modeli që pasuron vetëm një grup njerëzish në kurriz të qytetarëve shqiptarë.

Sot është dita e 109-të e protestës qytetare dhe ju doni ta mbuloni këtë protestë me katër fjalë: Algoritmi, BESA, Pasqyra dhe Prania. Ndërkohë që katër hallet më të mëdha të shqiptarëve janë: vjedhja, korrupsioni, shpopullimi dhe injorimi. Nuk u jepni përgjigje këtyre të katërtave, por bëni propagandën e zakonshme.

Në fakt, Edi Rama nuk duhet të shqetësohet për algoritmin, sepse jua garantoj që sa herë hedhim video nga deklaratat e Edi Ramës, ato bëhen tejet virale nga sasia e sharjeve dhe e mallkimeve që merr nga qytetarët shqiptarë dhe algoritmin e kap në çdo video. Problemi i tij duhet të jetë urrejtja e shqiptarëve, ndaj duhet të gjejë kurajën për të dhënë dorëheqjen dhe për t’i hapur rrugë një qeverie që zgjidh katër problemet e shqiptarëve, jo t’u japë katër pilula propagande, që Edi Rama beson se do t’i funksionojnë, por kësaj radhe nuk do t’i funksionojnë. A e dini pse? Sepse është formulë e parë, sepse është e përsëritur, sepse e keni filluar me shpikjen e dëgjesave publike në vitin 2017. Çfarë sollën? Më shumë korrupsion, më shumë vjedhje, më shumë skandale, më shumë zyrtarë të arrestuar. Vazhduat me “Shqipëria që duam” dhe e kthyet në Shqipërinë që duan oligarkët, e kthyet në Shqipërinë ku investimet strategjike mbinë si kërpudha në zonat e mbrojtura, në bregdet dhe kudo në Shqipëri. Në fakt, ishte Shqipëria që donte vetëm Edi Rama dhe njerëzit pranë tij. E vazhduat me fushatat e llogaridhënies (se ndoshta e keni harruar se sa shpikje propagandistike keni bërë), të cilat në fund nuk u kanë shërbyer fare qytetarëve shqiptarë. E gjitha kjo prapë një show dhe asgjë që të ndryshonte për jetën e qytetarëve.

E vazhduat, e mbani mend, “Këshillimi Kombëtar”, bëtë edhe pyetësor, harxhuat edhe miliona lekë dhe në fund asgjë. Për çfarë vlejti? Për çfarë shërbeu? A u përmirësua jeta e shqiptarëve?

Dhe tani keni shpikur “Pasqyrën”. Në fakt, mua pasqyra, besoj edhe të gjithë atyre që janë brezi im, na kujton shtrigën që e kishte fiksim pasqyrën, sepse kërkonte të kuptonte a ishte apo nuk ishte më e mirë sesa Borëbardha. E në këtë rast, shtriga është ai që e ka fiksim pasqyrën, ndërsa populli shqiptar është ai që derdh urrejtjen Edi Rama, sepse mendon se do ta zgjidhë me një pasqyrë. Ndërkohë pasqyra reflekton vetëm realitetin, atë realitetin e një populli që në çdo raport ndërkombëtar…

Sot kishim një diskutim mbi PISA-n dhe dëgjuam ministren që tha se është shumë mirë që nuk u anketuam dot, është shumë mirë që kemi shkolla me një fëmijë, është shumë mirë që mbyllen shkollat, është shumë mirë që kemi shkolla me dy turne, është shumë mirë që fëmijët tanë marrin një arsim me asterisk, që i klasifikon si vende të pamundura për të bërë pyetësor, pra që nuk kanë as kapacitetet që t’i pyesin për njohuritë e tyre, sepse nuk aksesohen, sepse nuk kanë numrin e duhur dhe u mungojnë të dhënat. Jemi katandisur në këtë pikë. Ju thoni, hajdeni të informojmë dhe të bëjmë propagandë, ndërkohë që problemet reale janë ato që nuk kanë nevojë që t’jua dëgjojë deputeti, pasi deputeti duhet t’i dinte, sepse keni 14 vjet. Problemet reale vijnë nga një shkak, nga ai që e drejton qeverinë, nga modeli që keni instaluar. Pa ikur shkaku, pa ikur Edi Rama, ju dëgjojeni nga mëngjesi deri në darkë, gjithë ditën, bëni foto, bëni reels, por nuk do ta ndryshoni dot realitetin dhe nuk do ta ulni dot revoltën e qytetarëve shqiptarë.

Qytetarët shqiptarë sot kanë bërë një protestë, e cila është historike, jo vetëm se është më e gjata në kohë, jo vetëm se është më e qëndrueshmja në kohë, por sepse është përtej çdo interesi politik dhe ka vetëm një interes: Shqipërinë. Shqipërinë ta bëjnë të jetueshme për shqiptarët, Shqipëria të jetë një aset që ta gëzojnë fëmijët e shqiptarëve dhe jo të jetë një lodër, një plaçkë, një objekt për t’u ndarë nga Ronët, nga Agasët dhe nga ata që zgjedh Edi Rama.

Ishte për të vendosur duart në kokë kur unë, si deputete e Delvinës, dëgjoja në video-përgjim se si një askush për qeverinë shqiptare, askush i votuar, askush i zgjedhur, por, në fakt, vetëm i përcaktuar nga Edi Rama, si Ron Yeffet-i, thoshte se do ta marrim ne gazin e Delvinës, pasurinë natyrore (ndërkohë që delvinjotët sot duhet të ishin nga njerëzit më të pasur, por janë nga më të varfrit e Republikës së Shqipërisë), do t’ia marrim një privati, të bëjmë sikur është një skemë që do ta marrë shteti e në fund shteti të mbajë 10 apo 20% (duke thënë, hajde se e diskutojmë), si dhe të marrë edhe paratë e buxhetit, edhe pasurinë publike dhe të pasurohet një grusht njerëzish dhe të varfërohet populli. Skema “KAYO”, por në shumë drejtime, në një drejtim te gazi i Delvinës, në një drejtim tek ilaçet, në një drejtim tek armët, duke e shndërruar Shqipërinë si plaçkë, hajde ta ndajmë me këtë apo me atë. Thoshin se nuk ka nevojë për shkresa, nuk ka nevojë për tendera, nuk ka nevojë për letra zyrtare, por ka nevojë vetëm për një numër telefoni, numrin e Kryeministrit, ka nevojë vetëm për një kontakt, Edi Rama. Qeverisja e personalizuar, që në kulmin e delirit arriti deri aty, të nderuar kolegë, sa sabotoi vetë projektet që kishte për Shqipërinë, siç i donte vetë, pa kaluar në plane urbanistike, pa kaluar siç e kërkonte ligji, pa kaluar përpara në konsultim me publikun, duke botuar librin “The Albanian files”.

Në këtë libër gjeni projekte të Edi Ramës, edhe të dizenjuara herë pas here nga ai vetë, studio të zgjedhura nga ai vetë, projekte që nuk i dinë as bashkitë, as qytetarët dhe as një njeri, por që, në fakt, për ato projekte janë ndryshuar të paktën gjashtë ligje në këtë Kuvend që ato të bëheshin, sepse ligjet këtu bëhen sipas vullnetit të Kryeministrit.

Bëhen ligje dhe ligjet tuaja hyjnë në një korsi shpejtësie, hyjnë në një korsi kur të doni dhe si të doni ju, depozitoje sot dhe për dy javë e ke ligjin sikur të ishte kostum me porosi, ndërkohë që protestuesit, opozita, interesi qytetar kanë të paktën katër ligje që kërkojnë t’i shfuqizojë dhe që i kanë depozituar që në maj të këtij viti dhe lihen nëpër sirtarët e Kuvendit. Sepse Kuvendi nuk funksionon me Rregullore, sepse Kuvendi nuk funksionon me Kushtetutë, sepse Kuvendi nuk ndjek interesin publik, sepse Kuvendi nuk është reflektim i kërkesave të qytetarëve, por është bërë një institucion i mbyllur që reflekton vetëm dëshirat dhe vullnetet e Edi Ramës duke tentuar, siç po tentoni sot, që t’i ushtroni presion edhe pushteteve të tjera nëpërmjet pagës apo me mekanizma të tjerë që ju përdorni për çdo pushtet të pavarur në këtë vend, por edhe për pushtetin mediatik.

Në fund të fjalës sime dua t’ju them se fundi, të jeni të sigurt, do të jetë i dhimbshëm, të jeni të sigurt se injorimi i protestës qytetare nuk do t’ju çojë në sukses, por do t’ju çojë në vdekje klinike, e cila sigurisht do të pasohet me revoltë më të madhe nga qytetarët.

Shumë faleminderit!