Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Zoti Kryetar, ka çështje më të rëndësishme sesa thjesht foltorja.
Këtu kemi të vërtetuar atë që jua ka thënë Sali Berisha në këtë Kuvend, narkoshtetin; atë që ndërkombëtarëve ju dukej çudi: si mund të ketë narkoshtet në Evropë?! Ja, pra, që ka narkoshtet në Evropë dhe sot e vërtetojnë dosjet e SPAK-ut, ku narkoshteti ka grupin e vet të strukturuar, që nga drejtoresha e Shërbimit Inteligjent, te drejtoresha e AKSHI-t, te drejtoresha e Kadastrës, te drejtori i Policisë Shkencore, që manipulonte provat, te drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, e të gjithë në një grup të strukturuar kriminal, me në krye atë që është narkosi, Edi Ramën.
Ky Parlament sot nuk mund të diskutojë asgjë tjetër. Më dhimbset mua, më dhëmb mua Saranda, sepse atje njerëzit vriten në mes të ditës, si të pafajshmit, ashtu edhe të fajshmit, sepse i keni lënë të hanë kokat e tyre. Po nuk ka gjë më të dhimbshme sesa ta shikosh shtetin tënd të shndërruar në një narkoshtet.
Nuk mund të flasësh për Sarandën, kur të del Vlora atje, që na ka bërë turp edhe emrin, dhe s’duhet ta kishte atë emër; ajo sot është simboli i tradhtisë kombëtare, ndërsa Vlora jonë është simboli i pavarësisë kombëtare.
Ne sot jemi këtu për të kërkuar përgjegjësi, për të kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës, i cili nuk ka fytyrë të vijë në këtë Parlament, por duhet të japë dorëheqjen, ta firmosë, ta sjellë këtu dhe ky Kuvend të kalojë në një qeveri transitore. Kjo është e vetmja mënyrë për të hequr damkën e narkoshtetit.
Ju e keni simbolin PS, por sot e keni “Partia e skandaleve”, sepse kaloni nga skandali në skandal, sepse skandali është normalizuar, sepse prisni skandalin e radhës, sepse qytetarët vidhen çdo ditë, sepse protesta është një gjë normale. Jo, zotëri, sepse në çdo demokraci ndaj protestës reagohet, në çdo demokraci realizohen kërkesat e tyre, kurse në autokraci: ata le të protestojnë, ne bëjmë çfarë të duam. Në autokraci komandohet shteti me telefon, fiken radarët me telefon, vendoset kush do të monitorojë kë. Kush i ka vendosur provat shkencore për ata që janë dënuar, për ata që shikoheshin si kundërshtarë të tenderave të AKSH-it? Këtu ka rënë shteti dhe këtu është vërtetuar narkoshteti. Ky Parlament ka vetëm një detyrë: të pranojë dorëheqjen e Edi Ramës dhe të kalojmë në qeveri tranzitore. Ky Parlament rrethohet nga qytetarët, sepse nuk i përfaqëson më qytetarët. Mjaft me boshllëqe, të cilat nuk çojnë askund. Kthejeni në normalitet këtë Kuvend, të japë dorëheqjen Edi Rama dhe të diskutojmë për një qeveri tranzitore.
Faleminderit!

