Fjalim në Kuvend dhe kritikë mbi shtyllat e sigurisë kombëtare dhe përgjegjësia e Kryeministrit Rama/ 24 Shtator 2026

Erjona, më vjen shumë turp që je nga Vlora, sepse nuk duhet të kishe marrë përsipër sot të mbroje një akt tradhtie kombëtare të Vlora Hysenit! Po ashtu, të këshilloj që fjalimet e Edi Ramës t’i lexosh 2-3 herë përpara se të vish e t’i lexosh këtu, sepse do të na kurseje më shumë kohë.

Papërgjegjshmëria jote, dhe më vjen keq që ta them, sepse je një vajzë, nuk do të të çojë ty në karrierën që ke ndërmend të bësh në krye të Bashkisë së Vlorës; nuk të çon duke ardhur dhe duke lëpirë skandalet këtu, por turpërohu, se të bën më mirë. Përpara se të vish ta mbrosh, kujdesu të fshish statuset në Facebook, ku e ke bërë Edi Ramën më rreckë sesa çdo koleg i opozitës. Atëherë po, ke thënë të vërtetën, se nuk kishe interesa në mes, ndërsa sot flet për interesin e postit.

Të flitet këtu për Rregullore, ndërkohë që kreu i SHISH-it ka shkelur çdo rregullore, ka shkelur Kushtetutën, ka bërë akt tradhtie kombëtare, ka mbrojtur organizatën kriminale të drejtuar nga Ergys Agasi, mëkëmbësi i Edi Ramës, është që ti të tallesh me qytetarët shqiptarë.

Po ashtu, edhe Kryetari i Kuvendit thotë: unë nuk e kam pikë në Rregullore që të diskutoj mbi skandalin, mbi narkoshtetin dhe të sjell Edi Ramën. Jo, zoti Kryetar, ti ke një pikë në Rregullore dhe në Kushtetutë, që ky Parlament duhet t’u shërbejë shqiptarëve, që Parlamenti i takon sovranitetit të popullit, kurse ky sot po i shërben vetëm fshehjes së krimeve, po i shërben normalitetit të skandaleve. Kjo është ajo që ju duhet të bëni: duhet ta ktheni Kuvendin në shërbim të qytetarëve, duhet ta ktheni Kuvendin në shërbim të llogaridhënies dhe të hiqni një orë e më parë Edi Ramën si Kryeministër; të ushtroni presion dhe të kërkoni dorëheqje, siç e kërkon çdo shqiptar sot. Kjo është e vetmja detyrë që ka Kuvendi dhe ju si Kryetar Kuvendi.