Fjalim në Kuvend për studentët ku 56 mijë studentë janë më pak se vitet e tjera, kushtet e rënda në konvikte dhe protesta kundër qeverisë / 5 Tetor 2026

Rëndësinë që i jep mazhoranca kësaj seance mund ta shikoni me pjesëmarrjen e ministrave. Do të duhet që ne të flasim për çështjet e zgjedhësve, por këtu nuk ka asnjë ministër sektorial. E vetmja ministre që rri aty është ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, e cila s’ka asnjë kompetencë për çështjet që ngrenë deputetët e majtë apo deputetët e djathtë. Kjo, për të kuptuar se këtu çdo gjë është kthyer në një fiktivitet të madh, ashtu siç është ajo që prezantoi Edi Rama para dy ditësh dhe e ripërsëriti Taulant Balla këtu, “Flamingo mirror”, asgjë më shumë dhe asgjë më pak se detyrat e shtetit.  Shteti, me ligj, do të duhet të kishte publikuar të gjithë dokumentacionin në kohë në agjencitë përkatëse, në ministritë përkatëse, në institucionet përkatëse. Shteti jo vetëm që nuk i publikonte, por i fshihte këto dhe tani do të duhet ta quajmë arritje të madhe që do të publikojë disa nga këto dokumente. Them “disa”, sepse shumë të tjera, ato me të cilat, për shembull, hynë fadromat në Zvërnec, lejen e zhvillimit, nuk e publikojnë. Publikojnë aty ligjin nr. 21/2024. Faleminderit shumë! Është ligji që e dinë të gjithë, i madh dhe i vogël, që duhet shfuqizuar, pasi e ka thënë edhe Parlamenti Evropian. Publikojnë atje VKM-në nr. 596. Faleminderit shumë! Është VKM-ja që ndodhet në Gjykatë Kushtetuese, që cenoi Zvërnecin, Pishë Poro-Nartën, i uli mbrojtjen, i hoqi zonimin dhe i hoqi pjesë të tëra, 5500 hektarë. Tallje e madhe me shqiptarët! 

Nga ana tjetër, vijnë deputetët dhe mburren: po takojmë qytetarët. Detyra A e deputetit është të takojë qytetarët. Se i takon të hënën, se i takon të martën, se i takon të premten, nuk besoj se kjo duhet të ishte arritja më e madhe, që ju i takoni të gjithë në të njëjtën orë! Ky qenka suksesi, se është problem t’i takosh në orë të ndryshme! Pra, çdo gjë propagandë, fiktivitet dhe asgjë që i përgjigjet nevojave të qytetarëve dhe studentëve.  

Sot është dita e parë e vitit të ri akademik, është dita e parë e revolucionit studentor. Të jeni të bindur që studentët do t’ju marrin para. Të jeni të bindur se studentët, që kanë qenë baza e revolucionit të flamingove, e protestave qytetare, do të dinë që këtë protestë studentore ta kthejnë madhështore dhe ta kthejnë në një protestë ku studentët nuk do të jenë më numra, statistika në auditor, por do të jenë brezi që do të bëjë ndryshimin.  

Sot kemi 56 000 studentë më pak nga viti akademik 2013-2014. Sigurisht, juve nuk ju bën përshtypje sepse po bëni çdo gjë që ta shpopulloni këtë vend, që të vdisni çdo shpresë të shqiptarëve, që më të mirët, që shtresa intelektuale, shtresa gri, të largohen nga Shqipëria dhe të ngelen vetëm ata që ju i keni të punësuar në administratën publike dhe që mund t’i kontrolloni.  

Më vjen shumë keq që Shqipëria sot nis një vit akademik ku studentët janë të detyruar të kenë në konviktet e tyre kushtet e mesjetës, kushte të cilat ngjajnë me zonat e luftës, ndërkohë që premtimi për kampuset universitare vazhdon e riciklohet vit pas viti.  

Edi Rama sot ishte në Durrës, por në Durrës e pritën me protesta studentët. U rrethua me polici, sepse kudo që shkon nuk shkon dot më si Kryeministër i një vendi të lirë, por shkon si tradhtari i kombit që e presin me protesta në çdo cep. Kudo ku shkel, jashtë vendit dhe brenda vendit, gjithmonë ka një protestë që e pret, gjithmonë ka një thirrje: Rama, jepe dorëheqjen; Rama, largohu!  Jeni duke bërë një masakër tjetër, që është reforma territoriale, për të cilën do të diskutojmë edhe javën tjetër. Jeni duke mos pyetur 225 000 qytetarë shqiptarë, duke mos pyetur 15 këshilla bashkiakë që ju kanë votuar kundër, kryetarët e bashkive që ju kanë votuar kundër. Jeni duke injoruar, shkelur interesin e qytetarëve, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, vetëm sepse jua kërkon interesi juaj politik.  

Uroj fort të ketë ngelur ende ndonjë deputet që i përgjigjet votës së qytetarëve që ka marrë në zonën e tij! 

Uroj fort që deputeti i Selenicës t’i përgjigjet Selenicës që i ka marrë votat! 

Uroj fort që deputetë të tjerë të kenë karakter për t’i dalë kundër partisë së tyre! 

Faleminderit!