Ina Zhupa deklaratë nga kryesia e Kuvendit të Shqipërisë mbi projektligjin e qeverisë për Trashëgiminë Kulturore/ 9 Nëntor 2026

Qeveria ka hedhur në konsultim publik një projektligj të ri për trashëgiminë kulturore, ku në vend që të forcojë trashëgiminë tonë kombëtare, ta mbrojë atë, t’i japë mundësinë që të prezantohet sa më mirë si pasuri e mbrojtur UNESCO, Edi Rama propozon një ligj që krijon mekanizma të rinj ndërhyrjeje mbi pronën private, krijon hapësira për biznes dhe ndërtim mbi monumentet e kulturës dhe kufizime për rikthimin e objekteve kulturore të trafikuara.

Rama me sa duket nuk mjaftohet me betonizimin e bregdetit, me betonizimin e zonave të mbrojtura, me marrjen në koncesion të pasurive publike të trashëgimisë kulturore, por tani do të hyjë edhe në monumentet kulturore që i përkasin pronarëve privatë, t’i marrë dhe ato t’i shndërrojë si biznese për klientët e tij.

Që nga viti 2022, me koncesionin e Butrintit, përpiqem të ndryshoj ligjin e trashëgimisë kulturore për të hequr mundësinë e koncesioneve. Një herë e kanë votuar kundër në shkurt të këtij viti. Tani e kanë lënë në sirtarët e Kuvendit të njëjtin projektligj, i cili në fakt është edhe një kërkesë e protestës qytetare prej 161 ditësh, që kanë kërkuar heqjen e koncesioneve nga trashëgimia kulturore për t’i mbrojtur dhe për t’i ruajtur ato.

Mirëpo, çfarë bën Rama? Ndërkohë që ne kërkojmë të ndryshojmë ligjin që të mbrojmë pasurinë kulturore, ai sjell ndryshimin e ligjit po për të ndërtuar dhe për t’u hequr mundësinë privatëve të gëzojnë atë pronë që ua kanë lënë të parët, edhe pse mund të jetë monument kulturor, siç janë shtëpitë e shqiptarëve.

Dua t’ju kujtoj që pronarët e banesave, monumente kulture dhe pasurive të mbrojtura në të gjithë Shqipërinë, në Durrës, në Elbasan, por posaçërisht në qytete si Berati dhe Gjirokastra, ku një pjesë e madhe e trashëgimisë historike është edhe pronë private, do të përballen me një mekanizëm që e kthen detyrimin për restaurim në rrezik për marrjen e pronës së tyre.

Në nenin 30 të projektligjit të propozuar, ministri i Kulturës merr kompetencën të paracaktojë me urdhër vlerën e shpenzimeve të ndërhyrjes së detyruar në pronën private. Pra, jo vetëm vendosin se çfarë ndërhyrjeje duhet bërë, e cila mund të ishte normale për unifikimin e zonës, por vendosin ata se sa shpenzojnë, se kush e bën dhe të sjellin një urdhër ekzekutiv, të cilin ti do të duhet ta paguash. Në të kundërt, rrezikon të merret prona jote.

Pra, ky urdhër dhe kjo vendimmarrje administrative e ministrit kthehet në një detyrim financiar të detyrueshëm për qytetarin në pronën e vet private, e cila është trashëgimi kulturore.

Por a e kupton qeveria se çfarë do të thotë kjo për një familje që e ka trashëguar një banesë në Gjirokastër apo në Berat dhe nuk ka mundësi financiare të përballojë kostot e restaurimit sipas modelit që e kërkon qeveria dhe sipas faturës së gatshme që i çon qeveria, të parapërgatitur vetë? A do të jetë mbrojtja e trashëgimisë në këtë mënyrë një barrë që përfundon duke rrezikuar vetë pronën e qytetarëve?

Qeveria duhet që, kur merr vendim për të restauruar, të zgjedhë vetë restauruesin, të zgjedhë vetë modelin, të zgjedhë vetë se kush do ta bëjë dhe sa do të shpenzojë. Le t’i mbulojë këto para me shpenzimet e buxhetit të shtetit. Në të kundërt, nuk mundet që ta detyrojë qytetarin që ta bëjë si dhe ku e do ajo, me faturën që i vë qeveria.

Ne kemi parë faturat e tenderave në Shqipëri, faturat e ndërtimeve në Shqipëri, që kanë brenda edhe qokën për ministrin, edhe qokën për kryeministrin, edhe qokën për drejtorin. Mbifakturohet çdo gjë që shpenzohet në këtë vend.

Së dyti, në nenin 26, edhe më i rrezikshëm, qeveria hap rrugën për transformimin e monumenteve në funksion të projekteve të zhvillimit ekonomik. Sa herë e keni dëgjuar këtë fjalë? Ka qenë për qëllime biznesi dhe betonizimi. Të njëjtën gjë që bënë me ligjin e zonave të mbrojtura. Thanë: hapim rrugën për zhvillime turistike dhe ekonomike. Në fakt, ishte marrja dhe ndërtimi në zona të mbrojtura për interesa klienteliste. E pamë në Zvërnec, e shikojmë në Butrint, e pamë në Divjakë-Karavasta e kudo tjetër.

Projektligji, citoj, lejon përshtatje funksionale, ndërhyrje arkitektonike dhe shtesa të reja në pasuritë kulturore, duke parashikuar integrimin e tyre në projekte zhvillimi.

Tani, kush do të na garantojë ne që nesër një monument kulture të mos shndërrohet në një biznes hotelerie, në një restorant, në një strukturë turistike, ku interesi ekonomik të mbizotërojë mbi vlerën historike?

Kush do ta përcaktojë kufirin mes restaurimit dhe tjetërsimit të një monumenti? Kjo qeveri që po e vjedh përditë, kjo qeveri që nuk pyet për identitetin kombëtar, kjo qeveri që ka vetëm babëzinë si normë.

Shqipëria, sigurisht, që nuk ka nevojë për një tjetër ligj që e trajton trashëgiminë kulturore si pronë për t’u shfrytëzuar për interesat e biznesit të klientëve të pushtetit.

Dhe së treti, problematika e tretë e këtij projektligji ka të bëjë me nenin 43. Vendosen kufizime kohore që mund të pengojnë rikthimin e pasurive kulturore të trafikuara ilegalisht.

Projektligji parashikon afate trevjeçare dhe 30-vjeçare për kërkesat e kthimit të objekteve të larguara në mënyrë të paligjshme. Po pse duhet t’i vendosim pengesa shtetit shqiptar për të rikthyer thesaret e grabitura të kulturës sonë? Pse duhet të krijojmë kufizime që mund të vështirësojnë rikuperimin e objekteve që janë trafikuar dhe që identifikohen shumë vite më vonë sesa tre vjet apo 30 vjet?

Për katër vjet kam kundërshtuar ligjin e koncesionit të Butrintit. Kemi denoncuar përdorimin e trashëgimisë kulturore si instrument koncesionesh dhe interesash private.

Tani, të nderuar qytetarë, kemi një tjetër projektligj ku Edi Rama do ta përdorë trashëgiminë kulturore si skemë biznesi. Banorët e Beratit dhe Gjirokastrës janë në rrezik të humbin pronat e tyre, trashëgiminë e tyre dhe Berati dhe Gjirokastra nuk janë pronë e Edi Ramës.

Monumentet shqiptare nuk janë pasuri e një qeverie për t’i futur ato në projekte biznesi. Thesaret e grabitura të Shqipërisë nuk janë prona e atyre që i kanë përvetësuar dhe duhet të jetë detyrë e shtetit që t’i kërkojë dhe t’i mbrojë gjatë gjithë kohës.

Vetëm protesta qytetare dhe revolta studentore mund ta ndalin këtë babëzi të pashembullt të qeverisë Rama, që nuk kursen as trashëgiminë kulturore.

Trashëgimia kulturore është kujtesa, është identiteti i një kombi, nuk është një pronë për t’u marrë, një monument për t’u tjetërsuar dhe një interes biznesi i Edi Ramës dhe klientëve të tij.

Shumë faleminderit. 

Nëse ka pyetje?

Pyetje nga gazetarët:

Zonja Zhupa, në vazhdimësi keni denoncuar, ditën e fundit media ka dhënë lajmin se SPAK ka nisur një hetim. A keni informacion më të detajuar dhe do ta ndiqni këtë çështje?

Përgjigjja:

Po, në fakt, nga kjo sallë kam denoncuar librin The Albanian Files si librin që publikonte të gjitha shkeljet penale të Edi Ramës, ku vetë ai paracaktonte se ku do të ndërtohej, se kush do të ndërtonte dhe se si do të ndërtohej, pa pyetur për plane vendore, pa pyetur për ligj, pa pyetur për garë, pa pyetur për konkurrencë.

E kam thënë që atëherë që dosjet e Shqipërisë, The Albanian Files, do të ishin dosjet e SPAK-ut. Sot SPAK ka nisur hetim.

Partia Demokratike ka depozituar një kallëzim penal të grupit parlamentar pikërisht për The Albanian Files dhe, nëse SPAK do të ketë vullnet, kjo do të jetë arsye e mjaftueshme për të çuar Edi Ramën në burg.

Sepse Edi Rama jo vetëm i ka bërë parathënien librit, por Edi Rama ka kontaktuar vetë arkitektët. Edi Rama është siguruar si kryetar i Këshillit të Rregullimit të Territorit që t’u japë 53 leje nga 523 që ndodhen në atë libër dhe Edi Rama herë pas here ka marrë pjesë vetë, të paktën për të pikturuar fasadat dhe disa nga projektet që janë atje.

Pra, e ka trajtuar Shqipërinë si një plaçkë personale, pa pyetur për ligj. Uroj që SPAK t’i shkojë deri në fund dhe t’u japë atë që kërkojnë qytetarët shqiptarë.

Rama në burg!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *