Diskutimi në mbledhjen e 18-të të Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri | 29 Tetor 2024

-Media në Shqipëri në presionin qeveritar, censura dhe diziformimi bëhet kryesisht nga qeveria.

Dua të ndaj me ju disa të dhëna dhe shqetësime serioze në lidhje me lirinë e medias:

Po e nis me AMA- meqënëse e përmendi parafolësja- AMA, sic e dini drejtohet nga ish zëdhënësja e PS dhe e kryeministrit Rama, Armela Krasniqi, ndërkohë që duhet ishte institucion i pavarur. Shqetësuese është vit është ndërhyrja që AMA ka marr përsipër të bëj në rrjetin social Tik-Tok, mes një marrëveshje të pashkruar me vetë Tik-Tok. AMA merr autoritet për të fshirë video dhe për të censuar rrjetin, ndërkohë pa marrëveshje të shkruar ajo mund të përdoret për censurë, për retushim të së vërtetës. Rasti i fundit ishte bllokimi i videove të shumë qytetarëve që nxirrnin pamjet e nxjerrjes me forcë të diasporës në takimin e Ramës në New York, duke i cilësuar ato si pamje dhune. Ndërkohë qartësisht kjo është censurë e të vërtetës dhe ndikim politik për të ruajtur imazhin e kryeministrit. Kjo do jetë edhe më e rrezikshme në periudhën e fushatës elektorale dhe bllokimit që mund ti bëhet videove dhe raportimeve opozitare nga AMA.

Së dyti për ne është shqetësuese kapja politike e RTSH, televizionit publik, i cili kishte në krye deri në 6 shtator, Alfred Pezën ish deputetin socialist. Sjellja e tij antiligjore e detyroi të jap dorëheqje por gati dy muaj mbrapa këshilli drejtues i RTSH nuk hap garën për drejtor duke pritur udhëzimet e qeverisë kur të gjejnë drejtorin e rradhës. Si kryetare e komisionit i jap drejtuar me një kërkesë zyrtare RTSH, ashtu sic do propozoj ndryshime ligjore që hapja e garës për drejtor duhet ketë afate të qarta. Drejtorët e komanduar nuk janë praktikë afatgjatë, dhe janë totalisht të varur në punën e tyre nga heqja e komandimit dhe përdoren shumë kollaj për sjellje arbitrare.

Së treti Çështja e dezinformimit nuk mund të jetë një çështje e përkohshme siç është mandati i komisionit të njëanshëm Brace. Dizinformimi është një çështje që shtrihet në kohë dhe mënyra më e mirë për ta adresuar është nëpërmjet komisionit të përhershëm siç është komisioni që unë drejtoj dhe që kemi gjithë vullnetin për të dëgjuar ekspertët, institucionet e pavarura dhe për të bërë më të mirën. Sigurisht duke e lidhur edhe me edukimin për të identifikuar më së miri dizinformimin. Por ishte vullneti i mazhorancës për të mos e bërë në këtë komision, pikërisht sepse ky komision drejtohej nga opozita. Mazhoranca ka qëllime të tjera me komisionin Brace që lidhet më shumë presionin ndaj mediave në fushatën elektorale sesa dizinformimin e faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm.

Qeveria duket qartësisht se përdor teorinë e “shkopit dhe karrotës” me mediat.. Mediat pro qeveritare kanë akses për të marr fonde publike nga qeveria, qoftë nëpërmjet reklamave qeveritare, qoftë me projekte në biznese të tjera të pronarëve. Ndërsa mediat që reflektojnë realitetin pa filtrat qeveritare përballen me kërcënime, me përdorimin e instuticioneve shtetërore si gjobëvënëse në bizneset e pronaréve të medias. Rastet flagrante janë shkatërrimi i Prestige Resort për të bërë presion medias News 24 dhe Focus Group Media, Rasti i sekuestros së medias Ora News për ta mbajtur nën kontroll qeveritar.

Në Shqipëri janë rritur vitin e fundit paditë gjyqësore që prekin gazetarët dhe shoqërinë civile, të njohura si padi strategjike SLAPP. Sipas të dhënave nga qendra SCIDEV, gjatë vitit 2023 u bënë 75 padi SLAPP ndaj gazetarëve dhe shoqërisë civile. Sjell në vëmendje rastet e gazetarëve dhe mediave si Isa Myzyraj, Artan Rama, Odeta Gjevori dhe Igli Zela, media BIRN etj qe ndjekin gjyqe maratonë me qëllim intimidimin dhe bërjen shembull dhe për të tjerët gazetar që mos të guxojnë.

Edhe Freedom House shprehet se Viti 2023 shënoi përkeqësimin e liriës së medias në vend. Disa gazetarë u sulmuan fizikisht dhe verbalisht si Elvis Hila dhe bashkëshortja e tij, gazetarja Avrofita Hysaj, gazetarë të Syri Tv dhe gazetarë të emisioneve investigative Fiks Fare dhe Stop.

Së fundmi sipas raportit Prokurorit të Përgjithshëm evidentohet se gjatë pesë viteve të fundit, ka pasur raste të bujshme të sulmeve fizike kundër gazetarëve, raste qënuk janë hetuar siç duhet, pasi të dhënat tregojnë që shumica e rasteve janë pushuar. Mungesa e dispozitave të qarta në Kodin Penal për të garantuar mbrojtje të posaçme për gazetarët në rastet e dhunës apo sulmeve të kryera ndaj tyre për shkak të detyrës ka krijuar një mjedis ku prokurorët janë përherë e më pak të prirur t’i hetojnë këto krime me përparësi. Kjo është kërkuar të rregullohet me propozimin tim ligjor për ndryshimin e kodit penal dhe klasifikimin e dhunës ndaj gazetarëve si për shkak të detyrës, por është rrëzuar me votë nga mazhoranca socialiste pavarësisht mbështetjes ndërkombëtare.