Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë për gjendjen e fëmijëve të varfër të shkaktuar nga keqqeverisja | 22 dhjetor 2022

Në fakt, e kisha me merak këtë temë, edhe për shkak të faktit se jam nënkryetare e grupit “Miqtë e Fëmijëve”, por dua ta nis me një përgëzim për zonjën Margariti, që të paktën e ka kuptuar se ka seancë plenare dhe ka ardhur në seancë. Nuk e kuptoi gabim, siç kuptoi njoftimin e komisionit, ndaj gëzohemi që e shikojmë, se nuk e pamë në komision.

Meqë je këtu, mund të na sqarosh se si e kupton seancën dëgjimore, si dhe, a e ke kuptuar se ndryshon nga shqyrtimi i projektligjit apo jo? Që të paktën ta kesh për herë të tjera.

Së dyti, kur bëni aktivitet për xhubletën, dijeni se xhubleta është pasuri kombëtare shqiptare, nuk është pasuri e Partisë Socialiste dhe as e qeverisë, që mblidhen aty një tufë zonjash të majta, të cilat festojnë për xhubletën si të ishte pasuri e qeverisë dhe jo pasuri e Shqipërisë. Mësojeni se është pasuri e Shqipërisë dhe ka shumë kontributorë të shquar, të cilët mund të ishin ftuar atje. Nuk po them për përfaqësues të opozitës, se ç’ne ne, por të paktën ata që kanë kontribuar, siç janë anëtarët e ASA-s, që kanë dhënë shumë edhe sa u takon studimeve mbi xhubletën.

Kam edhe shumë të tjera për ju, por, në fakt, dua t’ua dedikoj kohën fëmijëve, pasi më vjen mirë që erdhi një moment kur mund të flasim për nënat dhe fëmijët në seancën e fundit të Kuvendit, kështu që nuk dua ta heq vëmendjen me abuzimet e Ministrisë së Kulturës dhe me paaftësinë e stafit e me paaftësinë e vetë ministres së Kulturës.

Ajo që ne diskutojmë sot, në të vërtetë është një nismë që s’ka arsye të votohet kundër, por megjithatë është një nismë gjysmake, e cila nuk u jep përgjigje nevojave të familjeve që kanë nëna me shumë fëmijë, por dhe familjeve që ju i keni përjashtuar duke vendosur një masë, ku të paktën një fëmijë të jetë nën moshën pesë vjeç. Pastaj, kur fëmija bëhet gjashtë vjeç, që përsëri është po aq i mitur, përsëri nuk është se do të sjellë të ardhura në familje, përsëri nuk është se ndryshoi gjendja ekonomike, ju e përjashtoni nga skema e subvencionimit për sigurimin e detyruar shëndetësor e shoqëror.

Pra, nuk e kuptoj se me çfarë logjike e keni vendosur deri në moshën pesë vjeç dhe jo të paktën deri në moshën 18 vjeç, kohë kur ai del në jetë dhe ka mundësi të kontribuojë për familjen, sepse në qoftë se ke tre fëmijë të moshave gjashtë, tetë e dhjetë vjeç, ti nuk përfiton dhe ke përsëri të ardhura nën 100 mijë lekë dhe 100 mijë lekë. Për lehtësi të komunikimit, 100 mijë lekë të vjetër, për një familje që ka minimumi katër vetë, sepse supozohet se janë tre fëmijë dhe nëna, ndaj i bie 3300 lekë të vjetër në ditë, nuk mjaftojnë për të mbijetuar, le pastaj të jetosh. Nuk dalin të mbijetosh, të hash bukë me ujë dhe nuk dalin për katër frymë, për tre fëmijë. Nuk bëhet fjalë pastaj të mendosh të paguash faturat e energjisë, të paguash faturat e tjera, të veshësh fëmijët apo t’i çosh në shkollë. Pastaj të thuash se po kontribuojmë, se do t’i paguajmë kontributet e sigurimeve shëndetësore vetëm kur e kanë njërin fëmijë nën pesë vjeç, është tamam ta bësh sikur, të bësh gjoja se ja, edhe ne po japim ca para për të varfrit dhe për familjet në nevojë. Ndërkohë paratë janë, paratë janë me shumicë, paratë e buxhetit të shtetit, paratë e taksave tona, sepse tekefundit janë paratë e taksave të qytetarëve, pra paratë janë aty, por ju zgjidhni që vetëm 600 milionë lekë t’i çoni për këto familje të varfra. Ndërkohë, raportet janë tronditëse: 40% e fëmijëve jetojnë në varfri absolute, nën minimumin e jetik prej pesë dollarësh. Kjo do të thotë se me atë 3300-lekëshin jetojnë edhe ata që kalojnë moshën pesë vjeç. Ky duhej të ishte një shqetësim shumë i madh, sepse bëhet fjalë për fëmijët. Unë do të kisha dashur që sot të dëgjonim edhe zërin e ministres për Rininë dhe Fëmijët, që të fliste në lidhje me këtë projektligj që prek familjet, prek fëmijët, që së bashku me ne të ishte avokate e tyre, për ta rritur moshën. Pra, jo të jetë deri në pesë vjeç, por të paktën deri kur të arrihet mosha tetëmbëdhjetëvjeçare.

Nga ana tjetër, në raportin e organizatës CRCA thuhet se një në çdo dy fëmijë raportojnë dhunë fizike në shtëpi, në shkolla ose nga mësuesit. Në fakt, ky shqetësim nuk është adresuar, përveçse në komunikimet e në bashkëbisedimet e grupit të deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”. Pra, nuk është adresuar dhe nuk është menduar ndonjëherë që mund të adresohet nga ky Kuvend, për të gjetur mekanizma zgjidhjeje dhe për të gjetur mekanizma dënimi ndaj personave që bëjnë abuzime në këtë drejtim.

Në fund të sesionit të kaluar, ne miratuam ligjin për regjistrin e krimeve seksuale, që përsëri është gjysmak. Përsëri gjysmak, sepse hoqët atë që ishte shumë i rëndësishëm: detyrimin për t’i pushuar automatikisht nga puna dhe për t’i larguar përfundimisht nga kontakti me fëmijët, e në njëfarë mënyre detyronit edhe ministren e Arsimit, që thjesht t’i kalonte në një pozicion tjetër e t’u siguronte punë këtyre grabitqarëve seksualë.

Për sa i përket përsëri varfërisë dhe nënave me shumë fëmijë, kolegu që foli më përpara e përmendi me të drejtë statusin e jetimit, status që jepet kur fëmija i ka humbur të dy prindërit. Në tryezat që ne kemi marrë pjesë, jemi njohur me raste kur janë gjyshërit ata që i mbajnë fëmijët dhe nuk arrijnë të përfitojnë dot nga këto pagesa. Po ashtu, janë edhe rastet kur njëri nga prindërit është gjallë, por e ka braktisur fëmijën, është në emigracion, ka ikur jashtë shtetit dhe nuk kujdeset për fëmijët. Shteti duhet të ketë si parësor interesin e fëmijës. Shteti duhet ta ketë jo vetëm parësor interesin e fëmijës, por dhe të vërë të gjitha burimet në dispozicion e të kujdeset për të. Ndërkohë, këtu e shohin si të parëndësishme një gjë të tillë, sepse tekefundit konsiderojnë se ata nuk janë votues. Dhe nëse ata nuk janë votues, nuk kanë pse të bëjnë politika që u përgjigjen nevojave të tyre.

Përsëri në raportin e CRCA-së thuhet se 64 % e fëmijëve me aftësi të kufizuara nuk ndjekin dot rregullisht arsimin e detyrueshëm për shkak të mungesës së aksesit fizik në shkolla dhe disponueshmërisë së mësuesve. Po ashtu, thuhet se 30 % e fëmijëve romë nuk mund të ndjekin shkollën për shkak të varfërisë, mungesës së mbështetjes nga qeveria apo diskriminimit të hapur. Në fakt, gjëja shqetësuese është se ne po shkojmë drejt 2023-shit, por megjithatë, gjithçka që mund të ofrojmë për këto familje janë 1300 lekë sigurim i detyrueshëm shëndetësor e shoqëror.

Realisht, prisja që në këtë aspekt politika do të bashkohej dhe ndjeshmëria e ministreve, aq më tepër që janë nëna, do të ishte më e lartë kur është fjala për mirërritjen e fëmijëve, te familjet me shumë fëmijë, te nënat me shumë fëmijë. Nënat, ashtu si në dramat migjeniane, janë të detyruara t’u thonë fëmijëve që nuk ka bukë, dhe kur nuk ia dalin t’i blejnë fëmijës atë që i duhet për shkollë, janë të detyruara t’i lënë edhe pa arsim, madje t’i çojnë edhe drejt lypjes në rrugë, gjë që ne e shikojmë, ndërsa politika të mos reagojë, por të vazhdojë avazet e koncesioneve, të PPP-ve, me paratë që shkojnë lumë për qejfe, për dreka, për darka, për festa, ku kaloni kohën, teksa këtë lloj luksi e shpallni edhe nëpër rrjetet sociale, por nuk gjenden para për fëmijët, për nënat e tyre e për familjet e varfra shqiptare.

Shumë faleminderit!