Tryezë diskutimi organizuar nga Instituti i Studimeve Politike me temë “Një parlament me integritet: Kodi i Sjelljes, Transparenca dhe Llogaridhënia”

Instituti i Studimeve Politike (ISP) organizoi tryezën “Një parlament me integritet: Kodi i Sjelljes, Transparenca dhe Llogaridhënia”.

Gjatë aktivitetit u diskutua mbi problematikat, përvojat dhe rekomandimet prioritare në funksion të jetësimit të Kodit të Sjelljes, standardeve të transparencës e llogaridhënies, të rritjes së rolit të Kuvendit kundër korrupsionit, praktikat e ndjekura nga Kuvendi lidhur me zbatimin e Kodit të Sjelljes, me fokus interesin publik dhe demokratik për transparencë dhe llogaridhënie.

6 vjet pas miratimit të Kodit të Sjelljes në Kuvendin e RSH, Instituti i Studimeve Politike (ISP) ofron një analizë profesionale mbi nivelin e jetësimit të standardeve të tij. Fokus prioritar mbeten problematikat lidhur me rastet e konfliktit të interesit dhe mungesa e qartësisë mbi aktivitetet lobuese, mbi regjistrin e dhuratave dhe pjesëmarrjen në aktivitetet e të tretëve, mbi gjuhën politike dhe integritetin parlamentar, mbi etikën parlamentare dhe praktikat e masave penalizuese ndaj deputetëve, mbi efikasitetin e strukturave vendimmarrëse dhe qartësimin e dispozitave të përgjegjësive, mbi sistemin e brishtë të konsultimeve publike dhe të informimit nga programi i transparencës, mbi organizimin e brendshëm të strukturave të Kuvendit dhe të grupeve parlamentare dhe shqetësimet e ndryshme rreth procedurave parlamentare.