Fjalimi në protesten e opozitës – Po Bashkimit Europian, dhe Jo Edi Ramës | 6 Dhjetor 2022

Të dashur qytetarë me identitet europian, por me një qeveisje anti – europiane dhe anti – shqiptare.

Edi Rama, e tregoi sot në nisje të kësaj proteste se është një bastard politik. E nisi duke përdorur grushtin. Atë grusht e kishte ndaj nesh, e kishte ndaj lirise, e kishte ndaj demokracise, e kishte ndaj protestës. Ia garantojnë që do ta marrë përgjigjen mbrapsht njëqindfish. Ne jemi këtu sot, sepse jemi të qartë që heshtja e vret demokracinë, dhe ne do të flasim.

Jemi këtu sot, sepse me zërin tonë do të themi edhe njëherë si në vitin 1990: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Vend të lirë, vend demokratik, vend me mirëqënie. Si mundemi ne në vitin 2022 t’i rikthehemi emigrimit me gomone. Të shikojmë të rinjtë që ikin natën me gomone dhe rrezikojnë jetën. Ne duhet të jemi qytetarë europianë që shkojmë në europë me dinjitet, me viza Shengen, siç arriti PD.

Bashkimi Europian i thotë JO aminstisë fiskale. I thotë JO pastrimit të parave të pista. I thotë JO goditjes së biznesit të ndershëm, kurse Edi Rama i thotë po amnistisë fiskale dhe bën thirrje që gjitha paratë e pista të vijnë dhe të pastrohen në Shqipëri. BE sot i thotë JO pasaportave të arta, kurse Edi Rama iu bën thirrje të blejnë apartamente, dhe të vijnë të gëzojnë lirinë duke marrë viza Shengen të gjithë kriminelët e lindjes, pa kaluar filtrat që kërkon BE.

BE i thotë jo koncensioneve pa garë, duke shkelur marrëveshjen e stabilizim asociimit, ndërsa Rama portin strategjik të Durrësit ia jep një kompanie offshore, pa siguri financiare, pa garë.

Ishte avantazhi më i çmuar që kishte vendi ynë, daljen në det si avantazh strategjik. Dhe Rama si anti-shqiptar, e fal dhe e përdor at për të pasuruar veten dhe të afërmit e tij.

BE i thotë jo shkeljes së të drejtave të njeriut, dhe e quan të papranueshme cënimin e pronës, dhunimin e qytetarit, çuarjen në riedukim të gazetarëve. E quan shkelje të madhe cënimin e privatësisë, kur të gjitha të dhënat tona personale sot janë mish për top dhe i ka kushdo. BE nuk e toleron këtë, kurse Edi Rama i thotë PO këtyre shkeljeve. Biles është i pari që i frymëzon këto shkelje, dhe është i pari që i mbron patronazhistët.

BE i thotë jo shkeljes së të drejtave të fëmijve, duke i patur si pikë themelore, kurse Rama i thotë PO, iu mbyll kopshtin, iu heqmirëushqyerjen nga shtëpitë e fëmijëve, i nxjerr me gaz në mes të Tiranës nga shtëpitë e tyre.

BE i thotë JO, shkeljes së konventes së Parisit dhe mos të imagjinojnë që Akropolin, Koloseun, t’ja japin me koncension privatit. Rama i thotë PO dhe e jep Butrintin, zemrën e trashëgimisë kulturore shqiptare me koncension dhe përgatitet për Durrësin, Pallatin e Brigadave, Drilonin dhe cdo gjë shqiptare më vlera kulturore. Dhe shembi në 17 maj teatrin, në mes të pandemisë. Po teatri do të jetë aty ku ishte dhe ashtu siç ishte.

Ndaj ne sot mirepresim liderët e Bashkimit Europian dhe jemi në këtë shesh për t’i thënë me zërin tonë PO Bashkimit Europian dhe JO Edi Ramës. Edi Rama nuk na perfaqëson, ai na ka penguar rrugën tonë europiane, me krimin, me drogën, me papunesinë, me qasjen autokratike.

Na dëgjoni dhe na mbështesni në rrugën tonë europiane. Rrofshin shqiptarët!