Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Në një panel diskutimi mbi sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias organizuar nga Scidev
Ndava shqetësimet dhe angazhimin tim si anëtare e komisionit të edukimit dhe mjeteve të informimit publik, në lidhje me sigurinë e gazetarëve në të gjitha format e saj.
Pjesë e këtij angazhimi ka qënë nisma ime ligjore që dënimet për dhunën, kanosjen, plagosjen ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias të klasifikohen për shkak të detyrës dhe të kenë dënim më të rëndë. Nismë që mazhoranca e rrëzoi me arrogancën e kartonave.
Në lidhje me sigurinë e gazetarëve duket se organet shtëterore nuk kanë interes në mbrojtjen e tyre për ti lënë më vulnerabël dhe rrjedhimisht më të kërcënueshëm për interesat e tyre. Rasti i gazetares Ola Xama është nga më flagrantët, ku zyrtar shtëteror, kryebashkiaku i Tiranës, kërcënon personalisht.
Ndërsa organet e drejtësisë, jo rrallë herë, kanë humbur funksionon e tyre mbrojtës dhe janë kthyer sulmues si në rastin e gazetarit Elton Qyno, apo në rastet kur gjykatat kalojnë cështjet e dhunimit të gazetarëve në kalendat greke për të mos dënuar dhunuesin dhe për ti dhënë kosto të reja gazetarëve si rasti i gazetares Odeta Gjevori dhe operatorit Igli Zela.
Liria e medias është e lidhur edhe me sigurinë e gazetarëve që të ushtrojnë profesionin e tyre të pacënuar. Parlamenti ka rol kryesor në përmirësimin e legjislacionit në mbrojtje të gazetarëve. Por parlamenti duhet ta nis nga vetja duke i dhënë më shumë akses gazetarëve dhe operatorëve gjatë diskutimeve të projektligjeve dhe të rris standartin e transparencës.