Takim i paharruar me “Mamica Kastriotin”

Për zonjat e nderuara të këtij vendi nuk ka pse të kujtohemi vetëm me datën 8 Mars!

Pata kënaqësinë e vecantë të kaloja çaste të paharruara me Adivie Sharofi Alibalin, ose me Mamica Kastriotin, siç e njeh mbarë populli.

Bijë e një familjeje nga Dibra e Madhe, dhe pioniere e artit skenik shqiptar, Adivije Sharofi Alibali i ka dhënë kulturës sonë jo vetëm dhjetra role si soliste në Teatrin e Operas dhe Baletit, apo në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, por ajo shquhet sidomos për rolin e Mamicës në filmin madhor “Skënderbeu”, film epokal që pati fituar dy çmime në Festivalin e Kanës në vitin 1954.

Si gjithë shqiptarët, edhe mua më ka tërhequr personazhi i Mamicës në film, edhe sot, si trimneshë e vërtetë arbnore, ajo të rrëmben me personalitetin e vet të gjallë dhe sharmant.

Zonja “Kastriotin” nuk e përkulën as vuajtjet dhe përndjekja e viteve të gjata të internimit politik në fshatrat e Gjirokastrës dhe të Beratit. Regjimi komunist jo vetëm ia hoqi emrin nga filmi, por madje i preu edhe pensionin. Dhe kur filmi i saj u shfaq në fshatin e internimit, në Sheqëz të Beratit, vocërrakët e pafajshëm të fshatit, në naivitetin e tyre të teatrit absurd që jetonim, e pyetën Mamicën: “Teta, pse të kanë sjellë ty këtu, sepse ke vrarë turqit?”

E nderon apo jo qeveria Mamicën sot, kjo nuk ka pikë rëndësie për të. Por fatkeqësisht ne të tjerët, ndjehemi në faj për neglizhencën dhe harresën e qeverisë, përfaqësuar nga ministria e kulturës.

Si e vetmja aktore e filmit “Skënderbeu” ende me ne, Adivije Sharofi Alibalin e nderon sot tërë bota, e nderon mbarë populli shqiptar, e nderojnë Kruja, Gjirokastra, Berati, etj. Që, si personifikim i virtyteve dhe vlerave të gruas shqiptare, kanë shpallur atë Qytetare Nderi.

Prandaj edhe kremtimi ndryshe i Ditës së Grave me Mamicën do të mbetet i pashlyeshëm në kujtesën time.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *