Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Atëherë faleminderit të nderuar gazetarë.
Siç e dini, prej dy vitesh kundërshtoj ligjin për zonat e mbrojtura 21/24, si shkatërrimtar i mbrojtjes së këtyre zonave, por edhe si një mekanizëm i ndërtimit pa fre kudo ku kanë dëshirë qeveritarët për t’i vënë dorën dhe për t’u shndërruar në një pikë të vogël si ajo e Mirela Kumbaros në Butrint.
Më 14 maj depozitova projektligjin për shfuqizimin e ligjit 21/24, me synim pikërisht që të rikthenim garancitë ligjore për mbrojtjen e natyrës.
Kërkesa ime nuk ishte një nismë e shkëputur nga realiteti, duke e ditur vullnetin e qeverisë, por ishte një nismë pasi u miratua rezoluta e Parlamentit Europian që i kërkonte Shqipërisë pikërisht fuqizimin e ligjit 21/24 dhe Parlamenti i Shqipërisë kishte votuar po ashtu një rezolutë që thoshte: do të përmbushim detyrimet që na vijnë nga Parlamenti Europian.
Duke besuar se nuk e votuan thjesht për sy e faqe, por do t’i qëndronin detyrimeve që caktonte Parlamenti Europian, e depozitova në 14 maj, pikërisht para edhe nisjes së protestave masive që u bënë pikërisht për Zvërnecin, pikërisht për ndërtim në zonën e mbrojtur, pikërisht si rezultat i këtij ligji. Revolucioni Flamingo ishte shqetësim serioz për ne paraprakisht, sepse e kishim ndjekur dhe e dinim se çfarë prodhonte ky ligj, duke e çuar ligjin edhe në Gjykatën Kushtetuese.
Ndërkohë që nga maji e deri tani qeveria mori kohë për t’u menduar. Ne menduam se do të sillte një mendim të pjekur në përputhje me atë që kërkonte Parlamenti Europian, në përputhje me atë që kërkonte protesta qytetare, në përputhje me interesin publik të shqiptarëve, me interesin e brezave të ardhshëm. Qeveria bëri të kundërtën.
Qeveria solli vendimin numër 853, datë 12.11.2026, ku shprehet kundër shfuqizimit të ligjit 21/24.
Qeveria argumenton se nuk duhet të shfuqizohet ligji 21/24, sepse ndryshe prishen planet ndërtimore të dhëna deri tani në zonat e mbrojtura, kur është pikërisht kjo arsyeja pse ne kemi kërkuar shfuqizimin e ligjit: që të prishen planet ndërtimore në Zvërnec, në Butrint, në Divjakë-Karavasta, kudo në Pishporo, në Nartë e kudo nëpër Shqipëri, sepse zonat e mbrojtura i përkasin gjithë Shqipërisë dhe janë një pasuri që duhet të ruhet e tillë dhe jo të përdoret për qoka, për lobime apo për pasurime të klientëve të qeverisë dhe të miqve të Edi Ramës.
Argumenti i tyre është i tillë: pretendojnë se shfuqizimi mund të cenojë sigurinë juridike të atyre që kanë marrë projekte ndërtimore, sepse ligji ka prodhuar akte nënligjore, vendime dhe procedura administrative.
Sigurisht që kjo është arsyeja kryesore, sipas nesh, pse duhet të shfuqizohet. Duhet të shfuqizohet sepse ne duhet të ndalim shkatërrimin e natyrës, masakrimin e zonave të mbrojtura, ndërtimin e vilave dhe resorteve kudo për interesa private.
Asgjë nuk do ta ndalte një qeveri normale të parashikonte dispozita kalimtare të qarta që përcaktojnë trajtimin edhe të këtyre akteve dhe procedurave që ata kanë nisur.
Madje, vetë qeveria pranon në mendimin e saj se nevojitet tani një rregullim i posaçëm kalimtar. Pra, pranon se pasojat e shfuqizimit mund të adresohen juridikisht, por e përdor këtë si argument për të mos bërë shfuqizimin.
Siguria juridike nuk do të thotë përjetësimi i një ligji klientelist, antikombëtar, të dëmshëm për trashëgiminë natyrore dhe identitare të vendit.
Së dyti, qeveria sjell një superargument. Gjykata Kushtetuese, thotë, ka vendosur që ligji nuk është antikushtetues.
Së pari, referohet vendimi 45/3/2025, me të cilin ne kemi shkuar në Gjykatën Kushtetuese, ku e kam përfaqësuar unë një të pestën e deputetëve. Kemi kërkuar shfuqizimin dhe Gjykata Kushtetuese është ndarë katër me katër në disa pika të saj, ku qartësisht kishte mjaftueshëm argumente për të dyja palët.
Por asnjëri nga ne nuk duhet të harrojë se si komandoheshin anëtarë të caktuar të Gjykatës Kushtetuese, që më pas u provuan, ku kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, numri i barabartë i katër me katër, pa iu ftohur karrigia e kryetares së Gjykatës Kushtetuese, erdhi, mori votat e mazhorancës dhe u bë zëvendësguvernatore e Bankës së Shqipërisë dhe pa kaluar gjashtë muaj erdhi dhe mori superimunitet për veten dhe për guvernatorin e bankës.
Tani, këto janë fakte që shqiptarët i dinë. Nuk mund të na thoni që Gjykatën Kushtetuese, që e kontrolluam ne dhe bëri një vendim paçavure katër me katër, kur s’ishin të mundur as ta kundërshtonin plotësisht këtë ligj, na e tregonin si argument që nuk duhet shfuqizuar ligji. Dhe ky është një problem serioz në mënyrën se si argumenton qeveria.
Së treti, qeveria thotë që mbrojtjen e natyrës ne do ta garantojmë me ligjin për VNM-të, që do të thotë vlerësimi i ndikimit në mjedis.
Pra, qeveria e redukton mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe natyrës te një procedurë për secilin projekt. Pra, merret projekti, jepet për ndërtim, po i thonë: mos prit 35 pemë, po prit 34.
Ndërkohë që ky është problemi më serioz. Nuk duhet të ketë projekte në zona të mbrojtura që nuk lejohen nga standardet e Bashkimit Europian.
Ligji i mëparshëm ekzistues, para ndryshimeve të 21/24, i kishte të qarta, sipas standardeve europiane, ku ndërtohej, çfarë mund të ndërtohej dhe ku nuk mund të ndërtohej, pa asnjë ekuivok. Nuk mund të ndërtohet asnjë pikë.
Qeveria thotë që nuk ka ndalim absolut të aktiviteteve në zonat e mbrojtura dhe se çdo projekt duhet të vlerësohet individualisht përmes procedurave të ndikimit mjedisor.
Pra, mbrojtja e një zone nuk mund të varet vetëm nga fakti nëse një projekt e kalon apo jo një procedurë administrative.
Mbrojtja fillon nga ligji. Mbrojtja fillon nga vetë statusi që ka zona, nga kategoria që ka zona, nga zonimi brenda zonës dhe nga kufizimet ligjore që duhet të ketë për territorin.
Vlerësimi i ndikimit mjedisor nuk mund dhe nuk është zëvendësues i një regjimi të fortë ligjor, sipas standardeve europiane për mbrojtjen e zonave të mbrojtura. Ai nuk mund të kompensojë heqjen e garancive ligjore që ekzistojnë përpara se të nisë çdo projekt investimi.
Së katërti, qeveria po injoron, siç e thashë edhe në fillim, një kërkesë të qartë, të zezë në të bardhë, të shkruar pa ekuivok nga rezoluta e Parlamentit Europian: shfuqizimin e ligjit 21/24, të konfirmuar nga komisionerja Marta Kos në sy të Edi Ramës.
Më 17 qershor 2026, Parlamenti Europian miratoi rezolutën për Shqipërinë, në të cilën e kërkonte pikërisht fuqizimin e ligjit të zonave të mbrojtura.
Paragrafi 46a kërkon, madje, moratorium të menjëhershëm për procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit, ndërhyrjet zhvillimore në zonat e mbrojtura deri në shfuqizimin e dispozitave të papajtueshme dhe garantimin e përputhshmërisë me standardet europiane.
Rezoluta kritikon gjithashtu kalimin e kompetencave të rëndësishme vendimmarrëse te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kontrollin mjedisor.
Qeveria nuk mund të na flasë ne për integrim europian nga mëngjesi deri në darkë dhe njëkohësisht të refuzojë të zbatojë rekomandimet, kërkesat e Parlamentit Europian, me një mesazh të qartë të institucioneve europiane për të zbatuar çështje që lidhen me kapitullin 27 për mjedisin dhe ndryshimet klimatike.
Revolucioni Flamingo është dëshmia e qartë se qytetarët nuk pranojnë që pasuritë natyrore të Shqipërisë të trajtohen si prona për t’u ndarë mes investitorëve dhe vetë pushtetit.
Qytetarët dolën në protestë për Zvërnecin, për Vjosën, Nartën, për biodiversitetin, për të drejtën për të jetuar në një vend ku pasurimi i një grushti njerëzish nuk mund të rrëmbejë trashëgiminë për brezat e ardhshëm të shqiptarëve.
Asnjë investim oligarkik që pasuron një grup njerëzish nuk mund të ketë përparësi përpara interesit publik, përpara ruajtjes së pasurive tona natyrore, të cilat nuk mund të rikthehen më siç janë në rast se shkatërrohen.
Ndaj, të nderuar gazetarë, e thirra këtë konferencë me ju sot jo vetëm për t’ju vënë në dijeni dhe për t’ju treguar të gjithë praktikën dhe mendimin e sjellë nga Këshilli i Ministrave. Ky është mendimi të cilin sigurisht do t’ua vënë në dispozicion, por edhe për të argumentuar para jush se asnjë germë, asnjë shkronjë e këtij vendimi nuk i qëndron logjikës.
Ligji 21/24 duhet shfuqizuar sepse është kundër interesit publik, sepse e kërkojnë qytetarët, sepse shkatërron zonat e mbrojtura, sepse e kërkon Parlamenti Europian dhe sepse është e mira e Shqipërisë. Qeveria nuk do ta pengojë dot të mirën e Shqipërisë, siç po bën gjithë këto vite.
Shumë faleminderit.
Çfarë ndodh me ato projekte që mund të kenë marrë miratim, pra mund të jenë miratuar, nëse do të anulohej ky ligj? Dhe a rrezikon Shqipëria më pas të humbë beteja apo të marrë dënime edhe në arbitrazh për shkak të lejeve të dhëna?
Po, kjo është e parashikuar në fakt edhe në relacionin që unë kam bërë për shfuqizimin e ligjit 21/24.
Deri më sot, ne, përveç lejeve që janë publikuar dhe njihen botërisht, nuk kemi një proces të nisur ndërtimor sipas këtij regjimi të ri të ligjit 21/24, që do të thotë nuk ka një dëm të caktuar natyror apo ekologjik i cili nuk mund të zhbëhet.
Interesi i shtetit në këtë rast do të duhet të jetë zona e mbrojtur.
A rrezikojmë ne gjyqet, siç thoni ju? Jo, nuk i rrezikojmë nëse qeveria këtë përmbushje detyrimesh nga Parlamenti Europian e reflekton në një ligj të rregulluar sipas kritereve dhe i jep mundësi cilitdo projekti që është në proces të akomodohet sipas kritereve që lejon Bashkimi Europian.
Pra, nëse nuk lejohet të ndërtohet këtu, mund të lejohet të ndërtohet përtej zonës së mbrojtur, afër zonës së mbrojtur, në mënyrë të tillë që të krijojë një regjim që i përshtatet standardeve të Bashkimit Europian, interesit publik dhe pa cenuar edhe kontrata që mund të ketë bërë.
Për ne nuk është e rëndësishme a mbrohet një oligark që pa ligj, pa rregull, ka marrë të drejtën të ndërtojë në zonë të mbrojtur. Nuk është interesi publik ky. Nuk është interesi i Shqipërisë ky.
Interesi i Shqipërisë është të mbrojë atë që është trashëgimi për brezat e ardhshëm. Të mbrojë lagunën, të mbrojë dunat, të mbrojë liqenin, të mbrojë parkun kombëtar. Ky është interesi i Shqipërisë.
Dhe ju garantoj edhe një gjë tjetër. Po marr edhe skenarin më të keq. Asnjë shumë parash nuk do të ishte më e rëndësishme sesa zonat e mbrojtura në Shqipëri.
Edhe sikur të ndodhte skenari që Shqipëria do të gjobitej, gjë që nuk ndodh me një qeveri që do të vendoste regjim të mirë ligjor dhe akte të mira nënligjore, por edhe sikur të ndodhte, do të ishte plotësisht e justifikuar, sepse asnjë shumë parash nuk zëvendëson zonat e mbrojtura të Shqipërisë.
Ne duhet të qëndrojmë për zonat e mbrojtura të Shqipërisë, sepse qëndrojmë për Shqipërinë, për trashëgiminë, për atë që ne jemi, ndryshe, të veçantë, krenari të qenurit shqiptar dhe të jetuarit në Shqipëri.
Ky është potenciali më i mirë edhe turistik për vendin, do të prodhojë edhe më shumë para për vendin dhe është edhe krenari.
Të qenurit shqiptar është krenari për atë që përfaqëson Shqipëria dhe për atë që do t’u lëmë fëmijëve tanë dhe brezave të ardhshëm.
Këtë përgjigje që keni marrë do ta arrini vetëm në kuadrin e denoncimit në media apo do ta çoni edhe pranë institucioneve ndërkombëtare, siç është edhe vetë Parlamenti Europian që ka kërkuar fuqizimin e ligjit?
Absolutisht. Kjo përgjigje, së pari, do të jetë pjesë e debateve në komisionet parlamentare. Kanë detyrimin, duan apo nuk duan, të bëjnë seancë në komisionet parlamentare, të mbajnë qëndrim me zë dhe figurë kundër Parlamentit Europian, siç e kanë sjellë me shkrim, dhe të bëjmë një betejë edhe në seancë plenare për të parë kush janë deputetët që votojnë kundër interesit të Shqipërisë, kundër interesit publik, kundër protestës së qytetarëve, kundër rekomandimeve të Parlamentit Europian.
Së dyti, siç thatë ju, unë që sot do t’i dërgoj një letër Delegacionit të Bashkimit Europian këtu në Tiranë për ta informuar për mendimin dhe për t’i dhënë të gjitha argumentet pse nuk qëndron ky mendim i Këshillit të Ministrave.
Më pas, do të informoj Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, komisionin që merret me çështjet mjedisore, për t’i informuar të gjithë deputetët e Parlamentit Europian.
Dua të them që Shqipëria ka marrë një vëmendje të posaçme dhe Revolucioni Flamingo ka marrë një vëmendje të posaçme nga eurodeputetët. Besoj që nga kjo çështje as ata nuk tërhiqen, ashtu siç nuk tërhiqemi as ne, derisa ta çojmë deri në fund.
Kuptohet që zgjidhja më e mirë dhe zgjidhja radikale do të ishte ajo që kërkojnë protestuesit dhe urojmë të ndodhë sa më shpejt largimi i Edi Ramës, një qeveri tranzitore dhe nuk do të kishim më të tilla probleme, por do të kishim vendimmarrje që ishin në përputhje me interesin publik.
Shumë faleminderit.
Faleminderit shumë. Ishte kënaqësi.


