KLSH nxjerr në dritë papërgjegjshmërinë dhe shkeljet e rënda ligjore të Ministrisë së Kulturës drejtuar nga Gonxhja, me Mozaikun e Tiranës, Galerinë Kombëtare të Arteve dhe Univ. e Arteve/ 14 Gusht 2026

Punime të nisura pa leje ndërtimi, pagesa të kryera përpara pajisjes me leje, ndryshime projektesh dhe preventivësh pasi punimet ishin kryer, mungesë miratimesh dhe kontrolli. Jo në objekte të zakonshme, por në disa prej institucioneve më të rëndësishme të artit dhe kulturës në vend.

Në Mozaikun e Tiranës, punimet kanë nisur pa miratimin dhe zbardhjen e lejes së ndërtimit.

Në Galerinë Kombëtare të Arteve, punimet kanë nisur dhe kanë vijuar pa leje të vlefshme sipas Ligjit nr.107/2014, ndërsa janë kryer edhe pagesa nëpërmjet situacioneve fiktive përpara pajisjes me leje. Një institucion kombëtar i kulturës që ende sot nuk është funksional për vizitorët.

Në Universitetin e Arteve, projekti dhe preventivi janë ndryshuar pasi disa faza të punimeve ishin kryer, pa miratimet e detyrueshme. Pra, në vend që projekti të miratohet përpara se të ndërtohet, është ndjekur rruga e kundërt: paguhen, ndërtohet dhe më pas kërkohet të përshtatet dokumentacioni sa për formalitet.

Këto nuk janë thjesht shkelje procedurash. Leja e ndërtimit nuk është një akt formal, është një procedurë dhe mekanizëm ligjor transparent për të garantuar që projekti është i miratuar, punimet janë të kontrolluara, standardet teknike respektohen dhe paratë publike investohen sipas projektit të miratuar.

Dhe këtu qëndron absurdi më i madh: qytetarët kanë shkuar në burg për një ndërhyrje pa leje dhe në shtëpitë e tyre, ndërsa institucionet që duhet të zbatojnë dhe të garantojnë ligjin rezultojnë vetë në shkelje të tij.

Gonxhe dhe vartësit e tij mendojnë se ligji është i detyrueshëm vetëm për qytetarët dhe jo për ta.