Pikëpyetjet dhe mungesa e transparencës mbi të drejtat televizive të RTSH për transmetimin e kampionatit shqiptar që nis sot/ 18 gusht 2024

Në emër të Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, komision përgjegjës edhe për sportet, i uroj suksese FSHF në organizimin e kampionatit shqiptar dhe skuadrave pjesmarrëse dhe shpreh angazhimin më të thellë për ta kthyer sportin në qënder të vëmendjes së komisionit tonë.

Pavarësisht që e konsideroj lajm të mirë marrjen e të drejtave televizive nga RTSH, si televizioni i cili mbahet me paratë e taksave të shqiptarëve, është e domosdoshme të bëhet transparencë dhe të sqarohen disa pikëpyetje në lidhje me procesin e ndjekur dhe kostot që thuhet janë 1.2 milion euro për cdo vit (kontrata 3 vjecare)

Disa pikëpyetje vijnë nga mungesa e tranparencës dhe mënyra antiligjore e funksionit të drejtorit të Përgjithshëm të RTSH Alfred Peza.

1- A është diskutuar në Këshilli Drejtues të RTSH sic e kërkon ligji përpara se kjo ofertë të behej në FSHF?

2- A kanë qënë blerja e këtyre të drejtave pjesë e planit strategjik, sipas pikës 7, të nenit 102 të ligjit 97/2013?

3- Në lidhje me shumën, thuhet se do të paguhen 1.2 milion euro cdo vit, për një periudhë 3 vjecare. Cila është shuma e saktë dhe si u arrit te kjo shumë si propozim?

4-A ka qënë pjesë blerja e këtyre të drejtave te buxheti i miratuar nga KDRTSH për vitin 2024 sipas pikës 16 të nenit 102 të ligjit 97/2013?

5- Nëse përputhet me parashikimet buxhetore, atëherë pse RTSH po kërkon hua shtesë nga qeveria në lidhje me këtë shpenzim? Apo kanë dalë përtej parashikimeve buxhetore pa pyetur KDRTSH?

6- Sipas informacioneve në RTSH thuhet se qeveria do mbuloj 2/3 e pagesës. A është e vërtetë? Dhe mbi bazën e kujt ligji, rregulli, vendimi kërkohet dhe do bëhet ky veprim financiar?

7- A ka marr në shqyrtim Këshilli Drejtues një huamarrje nga qeveria sipas pikës 17 te nenit 102 te ligjit 97/2013?

8- A është përgatitur një plan biznesi nga departamenti i marketingut në lidhje me cfarë pritet të jenë pritshmëritë dhe përfitimet nga këto të drejta televizive në planin e reklamave dhe rritjes së RTSH?

Sipas informacioneve KDRTSH nuk është konsideruar për asnjë moment dhe cdo gjë ka qënë vendimarrje personale e drejtorit Peza, dhe është kërkuar më pas nga ata (pas faktit të kryer) të firmosin një vendim qarkullues për sa më lart.

Megjithatë këto pyetje të thjeshta kërkojnë përgjigje për publikun sepse bëhet fjalë për paratë e shqiptarëve dhe për të drejtën e tyre për informimin dhe transparencë.