Vit të mbarë shkollor për nxënësit dhe mësuesit / 9 Shtator 2024

2024 nis si një vit shkollor me rekorde të zeza të arsimit parauniversitar.

Shqipëria e fundit në Testin Pisa duke lënë pas edhe Palestinën që është në luftë.

Aftësitë e nxënësve tanë janë kthyer mbrapa, në vitet 2000 dhe është thelluar analfabetizmi funksional.

Ky vit rregjistron me të dhëna zyrtare mbylljen e 295 shkollave 9-vjeçare gjatë qeverisjes Rama.

Ministria e Arsimit Manastirliu, ose zonja Abuzimi , po bën centralizimin dhe burokratizimin e arsimit, duke shtuar patronazhist dhe facebokist për fushatë por jo punë dhe para për cilësinë e arsimit. Ngelemi vendi me 2.1% të GDP-së për arsimin, më e ulta në rajon. 

47% e fëmijëve do shkojnë në shkollë me barkun bosh, ose të kequshqyer, duke pasur në duart disa libra të përdorur që vetëm dije nuk dhurojnë dot. 

Mësuesit në rrethe numërojnë nxënësit që ikin, me shpresën që nuk do ju bjer ngarkesa dhe nuk do shkarkohen si të panevojshëm, sidomos ata që bindjet politike i kanë të ndryshme nga drejtorët politik patronazhist. 

Mësuesit e dinë që detyra themelore për këtë vit shkollor do jenë listat e zgjedhësve që do cojnë si votues të Partisë Socialiste sesa lista e notave dhe e librave për nxënësit e tyre. 

Në 2024 ende do bëhet mësim me turne, edhe në mes të Tiranës, ende do ketë klasa të mbipopulluara dhe mungesë infrastrukture dhe mjete didaktike. 

Klasat digjitale dhe fjalimet pompoze me to nuk janë realitete të prekshme ku në 50% të shkollave rurale as nuk ka internet fare. 

Panorama e 2024 është e zymtë por detyra jonë është që të luftojmë së bashku për ndryshimin, për përmirësimin dhe për shkuljen e të keqes.

Si kryetare e komisionit të Edukimit do shfrytëzoj cdo mjet parlamentar që arsimi të jetë në qëndër të vendimarrjes dhe llogaridhënia të jetë detyrim.