Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Sot kemi për diskutim dhe për miratim një konventë për të dhënat personale. Sigurisht, nuk e mohoj votimin nga ana ime pro konventave, si standarde ndërkombëtare, të cilat Shqipëria do të duhet t’i mbështesë dhe, mbi të gjitha, t’i zbatojë, por kam një dyshim shumë të madh: kjo konventë, që ne miratojmë sot, a do të ketë fatin e konventës së Parisit të vitit 1972, të cilën po parlamenti shqiptar e ka ratifikuar dhe e ka miratuar dhe po ligjet e këtij parlamenti e kanë shkelur? Ne kemi miratuar (kur them “ne”, e kam fjalën për ata që kanë qenë ligjvënës para nesh) një konventë, ku thuhet që shteti duhet të jetë përgjegjës për administrimin e pasurive kulturore. Ndërkohë, në vitin 2018 keni miratuar ligjin “Për trashëgiminë kulturore”, me 74 vota (keni hapur dhe fjalë që ka votuar dhe opozita), që administrimin e pasurive kulturore dhe të trashëgimisë sonë kombëtarë t’ia jepni edhe çdo privati, duke bërë shpikjen që menaxhohen indirekt. Pra, ose e menaxhon shteti, ose nuk e menaxhon, nuk ka menaxhim indirekt. Këto janë shpikje shqiptare.
Në Shqipëri është shumë kollaj të gjesh të dhëna private të çdo individi, duke nisur që nga karta identitetit, rroga, targa e makinës dhe gjithçka që duhet të ishte private, por është shumë e vështirë dhe gati e pamundur që ti të gjesh dokumente shtetërore, sidomos për koncesione publike.
Unë, deputete e Kuvendit të Shqipërisë, por edhe deputetët e tjerë e kishim të pamundur të gjenin dokumente, që të sqaronin koncesionin e Butrintit. Mund të gjemë numrin e kartës së identitetit të çdo qytetari, por nuk gjejmë dot statutin e fondacionit që merr Butrintin; nuk gjejmë dot se çfarë përgjigjeje ka dhënë UNESCO-ja dhe çfarë letërkëmbimi kanë bërë me të, që duhet të ishin dokumente publike jo vetëm për deputetët, por për të gjithë publikun, sepse bëhet fjalë për Butrintin, që është pasuri kombëtare, trashëgimi kulturore.
Pata fatin që dje, në një emision televiziv, në “Opinion”, ministrja të na sillte e të na begeniste me dy dokumente të reja, falë presionit publik, ndërkohë që ky duhet të ishte detyrim kundrejt këtij parlamenti, ku ne do të votojmë një ligj. Parashikohet që ligjin ta fusni dhe ta votoni javën tjetër, t’ia kaloni Butrintin me koncesion për 10 vjet një fondacioni privat. Ju garantoj që 139 deputetët këtu nuk i kanë këto materiale, që unë i mora dje vetëm falë prezencës sime në një emission.
Meqenëse jemi tek të dhënat, besoj se ju e dini që vendimet e gjykatës nuk mund t’i aksesojë çdo person, sepse ka të dhëna personale. Unë nuk mund të merrja vendime të gjykatës, kur janë të dhëna personale dhe nuk isha palë. Na ka ardhur (këtë e kam marrë nga stafi i emisionit “Opinion”) letra, ku pretendohet se është miratimi i UNESCO-s për Butrintin. Pasi e pashë këtë letër, ka disa elemente shumë interesante, që dua t’i ndaj me qytetarët.
E para është data. Kjo letër ka ardhur më 28 shkurt të vitit 2020. Është e vetmja copë letre që na kanë sjellë deri tani, se mund të kenë, dhe do të vijë ministrja pastaj këtu, pasi të më dëgjojë mua, dhe do të thotë: “Unë kam 100 letra; kam 1000 letra; sa letra kam unë!”, por nuk duhet t’i kesh ti, duhet t’i kemi ne të gjithë, se është për interesin publik, nëse i ke dhe nuk po gënjen edhe në këtë rast.
Në datën 28 shkurt 2020 ka ardhur kjo letër nga UNESCO-ja, ndërkohë që fondacioni për të cilin ne flasim dhe fondacioni për të cilin duhet të kishin marrë miratimin nga UNESCO-ja është krijuar në datën 22.7.2021. Pra, UNESCO-ja nuk flet fare dhe nuk e ka fare idenë e një fondacioni që do të krijohej një vit më pas, që është privat, aq më tepër kur kjo letër nuk është as miratim. Këto janë kërkesa për informacion dhe kërkesa që i bën UNESCO-ja qeverisë shqiptare, ku thotë: “Pasi ju takuam ju dhe ekspertët e AADFsë, ne do t’ju çojmë kërkesa, sepse kemi nevojë për më shumë informacion”.
A e dini se kush është informacioni i parë që UNESCO-ja i kërkon shtetit? “Specifikoni,- thotë,- emrin e strukturës shtetërore (e nënvizoj, të strukturës shtetërore), të trupit qeveritar, i cili do të jetë në krye të menaxhimit të pasurisë botërore të Butrintit”. Pra, UNESCO kërkon të specifikohet se cila do të jetë struktura qeveritare. Meqë këta i zbatojnë shumë mirë porositë, nuk bënë strukturë qeveritare, se e kanë strukturën qeveritare, është bordi i Butrintit, por bënë një fondacion, një OJF, me vendim gjykate, me 4 persona privatë, bashkë me ministren aty, me një mandat 2-vjeçar, si kryetare e bordit. Më pas, sipas statutit, që e mora dje dhe do të kem rastin të pyes edhe në komisione për detaje të tjera, ministrja është për 2 vjet, por pastaj mund të zgjidhet kushdo nga katër anëtarët e tjerë. Jo vetëm kaq, por mund të shtohen edhe anëtarë të tjerë të bordit; jo vetëm kaq, por gjithmonë shumicën në këtë bord e ka fondacioni privat dhe jo ministria, sepse anëtarin e pestë e vendoska dhe, po ashtu, propozuaka 5 emra AADF-ja! Ministria thjesht mund të zgjedhë nga emrat që propozon fondacioni privat.
Mjafton të kuptoni se si na e shesin sapunin për djathë, se si na thonë që kemi miratimin e UNESCO-s, me një letër të UNESCO-s, që kërkon informacione më shumë nga shteti shqiptar.
Ju mendoni se po ta kishin miratimin e UNESCO-s, këta nuk do ta kishin vënë në dispozicion, nuk do të mburreshin me atë e nuk do të thoshin që ja ku i kemi?! Sepse, kur jep miratim për një plan 300 faqe apo për fondacionin e ri, për mënyrën e menaxhimit, patjetër që është një dokument voluminoz. Këtu vetë UNESCO-ja i kërkon shtetit shqiptar ta sqarojë fiks se ku do të jetë pozicioni i kësaj qendrës së vizitorëve, se nuk e di që janë edhe restorante, edhe bare, edhe dyqane e të tjerë, por pyet për qendrën e vizitorëve. Këtë na e shfaqën si miratimin e UNESCO-s, ndërkohë që janë pyetjet e UNESCO-s.
Po ashtu, kanë arritur në pikën ku, Butrintin, pasi e japin me PPP (nuk u pëlqen ta quajnë koncesion, sepse është partneritet publikprivat, se është dhe zonja ministre, që përfaqëson publikun, dhe privati, që është fondacioni), vendosin të emërojnë një drejtor ekzekutiv të fondacionit.
Drejtorin ekzekutiv të fondacionit pata fatin ta kisha përballë dhe ta pyesja personalisht, meqenëse i kam kërkuar dhe nuk i kam gjetur procedurat që kanë ndjekur për ta zgjedhur këtë drejtor: “Zotëri, si u zgjodhët ju?”. Zotëria ishte shumë i sjellshëm dhe u përgjigj live: “Më mori, më kontaktoi Elva Margariti në telefon dhe më tha që do të jesh ti”. Kjo është procedura ligjore që zgjedh në këtë shtetin tonë të mjerueshëm, fatkeqësisht, për shkak të këtyre njerëzve, që nuk zbatojnë as ligje e as rregulla: e merr Elva në telefon dhe i thotë që ti do të jesh! Ndërkohë, në një shtet normal do të hapej të paktën një procedurë, do të vendoseshin disa kritere, do të konkurronin arkeologët shqiptarë dhe do të vendosej, nëse do të ishte sipas ligjit, por jo, është sipas “Maliqit”, është sipas dëshirave të zonjës, që, për momentin, është ministre e Kulturës dhe, kur të vijë këtu pas meje, sigurisht, do të thotë që ne i kemi pyetur ekspertët shqiptarë. Ka pyetur Lorencin, nëse është dakord të bëhet Butrinti me fondacion, ndërkohë që Lorenci është drejtori ekzekutiv i fondacionit. Pra, është si të pyesë veten: “A je dakord ti të jesh kryetare e bordit?”, ndërkohë që Butrinti e ka një bord, e kishte shtetëror. Duhet ta pyesnit, nëse AADF-ja kishte dëshirë bamirësie dhe do ta falënderonim, ta fusnit anëtare të bordit ekzistues.
Shumë faleminderit!