Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë për të kërkuar rrëzimin e ligjit për Butrintin | 14 Korrik 2022

Në fakt, do të na kishe bërë mirë, se do të na kishe kursyer kohë që të iknim nëpër festa, po të na kishe lënë pa fjalimin tënd bosh, që, në fakt, nuk na the asnjë gjë për dekretin e Presidentit dhe për arsyet pse ky dekret sot duhet të votohej pro dhe pse ju duhej të ndiheshit të turpëruar për të gjitha shkeljet që dekreti i Presidentit të Republikës jua ka numëruar me fakte, me prova dhe me arsyetim ligjor.

Në fakt, të gjitha ato, që gjenden në dekretin e Presidentit, unë jua kam thënë në çdo komision, jua kam thënë në seancë, por ju jeni shumë e nxënë, sa nuk nxini dot informacione të reja, sepse ju është mbushur mendja.

Dekreti i Presidentit të Republikës thotë atë, që ju nuk mundët dot ta sqaronit, se është shkelur Konventa e Parisit, është shkelur Konventa e Parisit. Ndryshe nga ajo që thoni ju, ndryshe nga ajo që supozoni ju se e keni lexuar Konventën e Parisit, Konventa e Parisit thotë: “Është shteti garant për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe ai fton të krijohen fondacione për të marrë donacione dhe në asnjë moment nuk heq dorë nga administrimi i pasurisë kulturore, i trashëgimisë kulturore dhe detyrës që ka për t’ua transmetuar këtë brezave të ardhshëm.” Gjejeni në një rresht të Konventës së Parisit dhe ne jemi dakord.

Shkel Kushtetutën jo vetëm se shkel marrëveshjen si pasojë e logjikës, sepse Kushtetuta thotë që marrëveshjet janë më të rëndësishme në kuadrin ligjor se ligjet e vendit dhe ligje e vendit duhet të jenë në përputhje me marrëveshjet, por e shkel Kushtetutën edhe në nenet e tjera të saj, teksa Kushtetuta e detyron shtetin në nenin 3 të saj, ku thuhet: “Janë baza e identitetit kombëtar dhe trashëgimia kombëtare dhe është detyrë e shtetit t’i respektojë dhe t’i mbrojë.” Nuk është detyrë e ndonjë fondacioni që të mbrojë trashëgiminë kulturore dhe pasurinë tonë kombëtare, por e shtetit. Shteti e ka shmangur detyrën e tij.

Po ku është shteti, sepse kanë të gjithë kohën që thonë shteti është aty? Në fakt, a është shteti në këtë fondacion? Jo, sepse ky fondacion ndërtohet nga një bord, i cili ka 5 përfaqësues. Një përfaqësuese është zonja ministre, si ministre e Kulturës, dhe 4 persona të tjerë, janë 4 individë privatë, pa asnjë funksion shtetëror që nuk përfaqësojnë shtetin shqiptar. Po të ishte me shumicë shteti shqiptar, por ne nuk e kemi kuptuar, ne nuk e kemi nxënë këtë informacion që na ka dhënë marrëveshja, atëherë automatikisht do të kishim KLSH-në që do ta monitoronte këtë fondacion. Sipas ligjit nr. 154/2014, Kontrolli i Lartë i Shtetit në pikën “c” të nenit 163 kontrollon edhe veprimtarinë ekonomike të personave juridikë, me të cilët shteti ka më shumë se gjysmën e pjesëve ose të aksioneve. Në qoftë se ministria, shteti shqiptar, do të kishte më shumë se gjysmën, jo të tërën e pjesës, pra të ishte ai vendimmarrës, do të ishte edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, por nuk është. Nuk është, sepse këta nuk janë, sepse këta ia kanë dorëzuar privatit; nuk është, sepse këta kanë shkelur Konventën e Parisit; nuk është, sepse këta kanë shkelur Kushtetutën; nuk është, sepse këta kanë vendosur të heqin dorë nga detyrimet e tyre institucionale, të ngrenë duart dhe të dorëzojnë të gjithë pasurinë tonë kombëtare, të gjithë trashëgiminë tonë kulturore te privatët.

Jo vetëm kaq, por në këtë histori kanë bërë edhe një dëm shumë të madh: kanë futur edhe një fondacion, për të cilin ndajmë të njëjtin mendim, një fondacion të nderuar, por ju jeni tallur edhe me fondacionin, sepse na thatë këtu që i keni dhënë fondacionit titullin “partner strategjik”, sipas ligjit. Më thoni dot mua cili organ ia jep titullin “strategjik”? E jep gjë Këshilli Kombëtar i Pasurive Kulturore? A e ka në kompetencë? Jo, nuk e ka. Nuk e ka në kompetencë Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore që të japë statusin “partner strategjik”. Në qoftë se nuk e dini, lexojeni ligjin, lexojini kompetencat, lexoni nenin 40 të ligjit nr. 27/2018 se cilat janë kompetencat, të gjitha pikat dhe nuk ka si ta japin partner strategjik.

Pra, këtu ka rënë ngrehina. Dekreti i Presidentit ta thotë qartë që ty të ka rënë ngrehina e marrëveshjes, ti nuk ke partner strategjik, sipas ligjit. Që të krijohet një fondacion për menaxhimin e një pasurie kulturore, ky fondacion duhet ketë një ministri, në këtë rast ministrinë tuaj përgjegjëse, dhe një partner strategjik. Partner strategjik nuk keni, sepse ia ka dhënë një organ që nuk e ka kompetencën për t’ia dhënë. Duhej t’ia kishit dhënë, sepse e meritojnë, por duhej t’ia kishit dhënë sipas ligjit dhe jo sipas dëshirave tuaja që ta kapni sa herë që keni ju dëshirë për t’i thënë të tërhiqet nga kjo marrëveshje.

Ndërkohë, përsëri këtu e quajtët praktikë komuniste administrimin nga shteti, sepse nuk kuptoni që ne nuk po themi se shteti duhet ta mbajë i vetëm. Ne po themi se shteti duhet të ndihmohet nga fondacioni, duhet të marrë donacione, të marrë donacione të huaja, vendase të 1, 2 apo 50 faktorëve ekonomikë, OJQ-ve, apo biznese qofshin, por shteti duhet të jetë garant që e ruan pasurinë kulturore, sepse në marrëveshjen, që ju keni bërë, jo vetëm që nuk është garant shteti, por shtetin ia keni dorëzuar të gjithë këtij fondacioni privat. Ju i keni dorëzuar administrimin, menaxhimin, përdorimin, shfrytëzimin, të garantojë në mënyrë të qetë e të plotë pasurinë kulturore. Në pikën 9.2 i keni thënë që miraton planet vjetore për veprimtari ekonomike, artistike, turistike dhe kërkimore.

Pra, edhe veprimtarinë kërkimore e bën ky fondacion, edhe historinë tonë shqiptare e shkruan ky fondacion me kërkimet që do të bëhen në Butrint. Kërkimet që do të bëhen atje, i menaxhon një anëtar i bordit, i njohur për shqiptarët si një studiues anglez, filogrek, që na thotë se Butrinti është vendi i një kolonie greke, që na thotë se Sarandën, këtë qytet të bukur, fuqitë e mëdha ia lanë padrejtësisht Shqipërisë, sepse duhej të ishte me Greqinë. Ky është përfaqësuesi shtetëror, sipas jush. Pra, ky është përfaqësuesi që ka zgjedhur shteti shqiptar të jetë në bordin e administrimit të Butrintit. A mundeni ju sot të jeni patriotë, të nderuar?! A mundeni ju sot që ngjyrat kuq e zi të flamurit të mos ju tregojnë vetëm veshjen time, por t’ju ndezin ndjenjat e një patriotizmi për të votuar pro dekretit të Presidentit dhe për të mos e dhënë Butrintin si një plaçkë, si një mall tregu, si një gjë të parëndësishme që mund t’ia japësh kujtdo, i cili të vjen e të bën një ofertë për 5 milionë dollarësh, ndërkohë që Butrinti sot në arkat e tij ka 2 milionë dollarë, ashtu i keqmenaxhuar, ka 2 milionë dollarë, të cilat ju do t’ia japin fondacionit si pajë, do t’ia japin Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit?

dakord. E nesërmja i përket Shqipërisë dhe jo partisë suaj. Nuk i përket e nesërmja asnjë privati, por u përket djemve dhe vajzave shqiptare që duan ta gëzojnë Butrintin dhe ta shikojnë atë si një histori shqiptare të menaxhuar nga shteti shqiptar, me flamurin shqiptar në hyrje të Butrintit dhe jo ta shkruajnë, ta tjetërsojnë historinë dhe identitetin tonë, sipas nevojave të studiuesve dhe sipas fondacioneve që japin paratë. Sot i jep një amerikan, nesër do t’i japë një grek, pasnesër një turk, paspasnesër një serb. Ne duhet ta ruajmë Butrintin, duhet ta ruajmë të gjithë pasurinë tonë kulturore, sepse pas Butrintit dijeni që vjen amfiteatri i Durrësit, pas tij, vjen Pallati i Brigadave, pas tij vjen kalaja e Gjirokastrës dhe të gjitha me të njëjtën mendësi: “Jepja kujtdo që ta kërkojë; kush të japë ofertën më të lartë. Jepua atyre që ta menaxhojnë” dhe shteti shqiptar mjafton të paguajë vetëm rrogën e ministres së Kulturës që të jetë rehat”. Shumë faleminderit!

PJESA 2:

Për t’i sqaruar çështjet: unë nuk e ngatërroj marrëveshjen e administrimit të Butrintit me heqjen e zonave të mbrojtura, pra 800 hektarë zonë të mbrojtur që keni hequr në janar, sepse janë 2 marrëveshje të ndryshme, janë dy vendimmarrje të ndryshme, por, në thelb, janë të dyja në kundërshtim me interesin publik, sepse si e para për të cilën fola, si e dyta që do t’u hapë rrugën resorteve nuk janë në shërbim të interesit publik. E dyta, ju, fatkeqësisht, jeni tallur me AADF-në, sepse ia keni dhënë statusin “partner strategjik” pa ia dhënë, sepse ia ka dhënë një organ, i cili në kompetencat e veta… (Ndërhyrje pa mikrofon.)

Nuk ka nevojë të më japë vendimin, se unë e kam atë. Pra, një organi që nuk e ka në asnjë pikë të kompetencave që mund t’ia japë statusin “partner strategjik. Pra, është njëlloj sikur ta jepte këshilli bashkiak, Bashkia e Lushnjës, pra organe që nuk e kanë kompetencën për të dhënë statusin “partner strategjik”. Prandaj jeni tallur me ta dhe keni bërë shumë gabim, sepse mendoj që ata e meritojnë statusin “partner strategjik” dhe jepuani sipas ligjit dhe siç e detyron ligji, pra ta jepni me VKM.

Ndërkohë, nuk është shteti, zoti Ahmetaj, ju e dini shumë mirë, se jeni ekonomist, ndryshe nga zonja ministre që është arreduese, që, po të ishte shteti, do të ishte KLSH-ja, po të ishte shteti qoftë edhe me një aksion më shumë, atëherë KLSH-ja do të bënte auditimin. Këtu biem dakord bashkë që këtë marrëveshje ia jep privatit, e merr privati dhe nuk është në shërbim të interesit publik.

Shumë faleminderit, zonja Kryetare!