Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë për çeshtjen e dhënies me koncensio të Parkut Kombëtar të Butrintit | 9 Maj 2022

Këtë javë kam pasur mundësi të takoja dhe të bisedoja me disa nga ekspertët më të mirë në vend, arkeologët më të mirë në vend, studiuesit shqiptarë më të mirë në vend për çështjen e koncesionit të Butrintit. Gjithashtu, kam pasur mundësi të bisedoja me banorët që jetojnë në Vrinë, në Shëndëlli, në Ksamil, të cilët, po ashtu, janë të shqetësuar.

Koncesioni që po diskutohet prej dy javësh në parlament, dhe tashmë i njohur për publikun, është një nga skandalet që parapërgatitet të kalojë në Kuvend nga kjo qeveri. Kushdo që ka pasur mundësinë ta shikojë nga afër qoftë planin e menaxhimit të integruar, të përgatitur po nga i njëjti fondacion, qoftë planin e biznesit, qoftë atë që paraqitet për Butrintin në marrëveshje, e kupton se kjo nuk ka të bëjë fare me interesin publik dhe trashëgiminë kulturore, por vetëm me atë që e thonë vetë në planin ekonomik: fitimin ekonomik nga kjo pasuri kombëtare.

Asnjë arkeolog shqiptar, që është marrë me kompetencë për Butrintin, nuk është pyetur dhe nuk është marrë si referencë në atë që është plani i menaxhimit të integruar të Butrintit. Asnjë ekspert i mirëfilltë nuk është në listën që kanë vënë vetë në planin e Butrintit, një listë e mbushur me zyrtarë shtetërorë, një listë që, edhe kur ka ekspertë, ata e mohojnë prezencën e tyre në këtë dokument, si deklarata zyrtare e profesor Kristo Kaurit apo kryetari i komunës Xarrë, që këtu e kanë vendosur si ekspert, zoti Vasil Xhaji, i cili më tha: “Unë nuk e kam parë kurrë këtë dokument, nuk e kam firmosur kurrë këtë dokument dhe nuk kam asnjë njohuri për këtë plan”.

Jua sjell këto fakte për të treguar se si duan të na e mbushin mendjen për një proces gjithëpërfshirës, ku, në fakt, është një proces i bërë nga Ministria e Kulturës me një fondacion privat, për të krijuar një fondacion tjetër privat, i cili do ta menaxhojë Butrintin për 10 vjet. Në atë që parashikon vetë fondacioni, ministrja e Kulturës është një nga anëtaret e bordit të Butrintit, e cila, sigurisht, do të ketë një votë në këtë bord, që përbëhet nga 5 anëtarë. Në planin e tyre të menaxhimit ata vetë parashikojnë se duhen 400 mijë dollarë në 2 vjetët e parë për konservim dhe 75 mijë dollarë për vitet e tjera, pra kaq ka nevojë Butrinti.

Aktualisht, në arkën e Butrintit ndodhen 2,1 milionë dollarë, të cilët janë të mjaftueshëm për të kryer konservimin dhe restaurimin e parkut, me një menaxhim që e ka detyrim t`i bëjë këto gjëra. Por këta thonë se duhen 7,1 milionë dollarë, sepse llogarisin paratë që i duhen fondacionit për të ndërtuar: qendër vizitorësh, dyqane, restorante, bare, zyra stafi, si dhe për të paguar pastaj bileta avioni për të paguar kosto operacionale, siç i quante ministrja pagesat për bordin dhe për veten e saj. Sigurisht, këto nuk përballohen dot, se nuk është parashikuar që vendin e trashëgimisë kulturore ta kthesh në një qendër tregtare, me qëllim fitimin ekonomik dhe jo ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Është për të ardhur keq se si në të gjitha komisionet, ku kam qenë e pranishme, nuk na ka ardhur asnjë paragraf, asnjë copë letre nga UNESCO për të gjithë këtë plan të integruar dhe këtë projektmarrëveshje; asgjë. Ndërkohë, në dokumentet kryesore, që duhej të vinin ne tavolinën tonë, si deputetë, duhej të ishte mendimi i UNESCO për secilin nga ndërtimet që parashikohet të ndërtohen aty, por, mbi të gjitha, edhe për modelin hibrid të padëgjuar në asnjë vend tjetër të Europës dhe të botës, ku një privati i jepet pasuria kombëtare, trashëgimia kulturore, në kundërshtim me Konventën e Parisit, në të cilën ne jemi pjesëtarë që prej vitit 1972.