Ankimi në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit nr.50/2022 që jep me koncension administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit një pale private | 14 nëntor 2022

BUTRINTI I SHQIPTAREVE! Sot dorëzimi i padisë për shfuqizimin e ligjit dhe pezullimin e menjëhershëm deri në shpalljen e vendimit nga gjykata kushtetuese.

Ne ndodhemi para Gjykatës Kushtetuese, siç e patë kemi ardhur bashke me provat për të depozituar padinë në Gjykatën Kushtetuese kundër koncensionit të Butrintit.

Ne i kërkojmë Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e ligjit për koncensionin e Butrintit dhe kërkojmë pezullimin e menjëhershëm të këtij ligji për shkak sepse krijon dëme të cilat do të ishin të pariparueshme nëse do të prisnim deri në momentin e shfuqizimit.

Për t’ju njohur vetëm me disa momente të rëndësishme të këtij koncensioni dhe të kësaj padie, doja t’ju vija në dijeni që kjo padi sipas rregullave duhet dorëzuar nga të pakten 28 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, duke qenë se çështja është me shumë rëndësi, ne kemi ardhur me 36 firma të deputetëve, nga të cilat 32 janë të PD, 3 firma të PL dhe 1 është deputeti Dashamir Shehi.

Kemi ardhur të bashkuar në këtë kauzë që lidhet me vjedhjen e asaj që është pasuria e përbashkët publike. Padia është përgatitur nga ekspertiza e 4 avokatëve. Një prej tyre është shqiptaro-amerikan, profesor i Harvard University, një avokate është e diplomuar në Oxford dhe pedagoge po aty dhe dy avokatë shqiptarë.

Butrinti do të fitojë, do fitojnë shqiptarët, sepse shkeljet në këndvështrimin tonë dhe në këndvështrimin e avokatëve janë flagrante dhe shumë të rëndësishme.

Së pari është shkelur neni 3 i Kushtetutës, i cili thotë që shteti shqiptar është garant për identitetin dhe për trashëgiminë kulturore. Në rast të këtij koncensioni nuk është shteti shqiptar sepse shteti shqiptar ka vetëm 20%, nëse këtë 20% do ta quajmë përfaqësimin e tij më ministren Elva Margariti.

Së dyti, është shkelur Konventa e Parisit, konventa e trashëgimisë kulturore sepse siç e dini Butrinti është jo vetëm pasuri shqiptare,por është edhe pasuri botërore e mbrojtur nga UNESCO. Është shkelur konventa sepse konventa kërkon që site të tilla të trashëgimisë kulturore të menaxhohen dhe të administrohen nga shteti.

Në këtë rast, modeli që ne kemi argumentuar është një model me një fondacion që në vetvete ka disa shkelje. Së pari, fondacioni ka një bord drejtues me 5 persona nominativë, pra me emra personal dhe jo me funksione, e cila tregon edhe një nga shkeljet e rradhës.

Së dyti, pjesë e bordit ekzekutiv është anti-shqiptari Richard Hodges, i cili me deklaratat që ju keni transmetuar dhe me publikimet e tij dëmton atë që është pasuria e shqiptarëve, pasi e quan Butrintin vend grek, shqiptarët i quan të ardhur në vitin 1913, Shqipërinë e quan një vendim politik dhe kjo na vë në risk edhe atë që është identiteti jonë kombëtar.

Së treti, ekzistenca e një fondacioni të tillë ka të detyrueshme ekzistencën e një partneri strategjik. Në këtë rast partneri strategjik duhet të ishte AADF. Mesa duket nuk ja kanë dhënë këtë status sipas ligjit, sepse partneri strategjik jepet me vendim të këshillit të ministrave, kurse në këtë rast ja ka dhënë Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, një këshill që nuk ka kompetencë për të dhënë statusin “Partner Strategjik”. Pra, fondacioni nuk ekziston as ligjerisht.

Nga ana tjetër kemi evidentuar shkeljen tjetër të kushtetutës, heqjen e auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. I cili ka detyrimin që të monitorojë dhe auditojë gjithë paranë publike. Siç e dini, me koncensionin e Butrintit përveç se japin Butrintin, ne japim edhe 2.1 milion euro të mbledhura më parë, 500 mijë euro të mbledhura në këtë sezon dhe çdo para tjetër që do të mblidhet më vonë. Bëhët fjalë për një shumë rreth 50 milion euro, duke qenë se fondacioni e kanë bërë privat dhe jo publik, atëherë sipas statutit, sipas rregullores, Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk monitoron dhe auditon dot paranë publike, kjo është në kundërshtim edhe me Kushtetutën.

Arsyeja tjetër, ka të bëjë me shkeljen e kartës europiane të autonomisë vendore. Përjashtimi në të gjitha format e bashkisë Sarandë. Bashkia Sarandë duhet të kishte marrë vendim në Këshillin Bashkiak përsa i përket zhvillimit territorit të saj. Sepse siç e dini bëhet fjalë për ndërtime brenda dhe jashtë Butrintit dhe të gjitha janë në territorin e Bashkisë Sarandë. Bashkia nuk është pyetur dhe nuk është përfillur në këtë proces ndryshe nga çfare e kerkon karta e autonomisë vendore.

Për të gjitha këto arsye ne kemi depozituar padinë në Gjykatën Kushtetuese, një padi me 50 faqe e firmosur nga 36 deputetë dhe e shoqëruar me 3623 faqe prova të pakundërshtueshme se si ky koncension është anti-shqiptar, është klientelist dhe kundër interesit publik.

Faleminderit!