Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Kjo është Dea e Butrintit, për ata që nuk e dallojnë nga larg, ose për ata që na ndjekin. Gjithsesi, para se të dal në çështjen themelore, do të desha që kjo seancë sot të shënjohet si një seancë e veçantë për disa arsye.
Së pari, sepse është një turp i madh sot që kjo pjesa këtej, pjesa e maxhorancës, refuzoi të nderonte kujtimin e 38 intelektualëve të pushkatuar, të vrarë në datën 16 nëntor 1944 nga partia mëmë, nga Partia Komuniste. Këtu dua të veçoj zonjën Felaj, e cila i nderoi dhe nuk u bashkua me turmën në këtë rast.
Së dyti, do të mbahet mend, sepse integrimi u caktua si një proces që mund ta bëjnë vetëm 2 persona dhe jo si një proces institucional ku duhen përfshirë të gjithë faktorët, opozitë dhe maxhorancë, por një proces që mund të diktohet nga vullnetet e dy personave, të cilët për momentin mbajnë vulat përkatëse të grupeve parlamentare.
Së treti, përjashtimi që u bëni deputetëve të opozitës, sepse përjashtuat dy deputetë të saj javën e kaluar, përjashtuat një deputet të opozitës kësaj radhe vetëm pse ju thamë disa të vërteta në fytyrë dhe vetëm pse kolegu ynë këtu nuk lejoi që mikrofoni të shpërdorohej kundër interesit publik.
Së katërti, një pjesë e vogël këtej i trembet fjalës së lirë si “djalli temjanit”; e keni frikë dhe bëni gjithçka për ta kufizuar në kohë, për të na mbyllur mikrofonin, për të mos na dhënë fjalën, për të na e prerë fjalën. Megjithatë, nuk shpëtoni dot nga gjyqi popullor; nuk shpëtoni dot nga vota, sepse qytetarët do t’jua japin faturën më 14 maj. Kjo ishte seanca e sotme, me pak fjali. Keni vendosur që edhe seancën e radhës për portin e Durrësit ta trajtoni me kohë të kufizuar, 6 orë, dhe të vendosin vulat se kush do të flasë dhe se sa do të flasë. Por ne nuk do të rreshtim së denoncuari me fakte, me prova para qytetarëve se cila është makutëria e radhës.
Çështja e rëndësishme, me të cilën doja të njiheshin qytetarët, besoj edhe parlamentarët, është që më në fund në Gjykatën Kushtetuese ka shkuar padia fituese e Butrintit, ligji nr. 50/2022, sepse, me sa kuptova, ministrja e Kulturës nuk e kishte kuptuar se cili ligj kishte shkuar në Gjykatën Kushtetuese: ligji nr. 50/2022 për koncesionin e Butrintit, që ia jep Butrintin një privati, që e ka njollosur Dean e Butrintit, që turpëron çdo shqiptar dhe ka ngritur të gjithë diasporën dhe intelektualët për të dhënë ekspertizë për ta kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese. Nga Oksfordi dhe nga Harvardi i janë bashkuar padisë në Gjykatën Kushtetuese për ta bërë fituese padinë e firmosur nga 36 deputetë opozitarë. Cilido deputet opozitar, që ende nuk e ka firmosur, është i lutur dhe pranohet të shkojë në sekretarinë e Gjykatës Kushtetuese që t’i bashkohet shumicës së opozitës me 36 firma kundër këtij koncesioni famëkeq. Por kam një lutje edhe për ju, që e keni votuar atë marrëveshje, ndoshta edhe të imponuar politikisht: nuk ka asgjë të keqe që ju të kërkoni certifikimin e Gjykatës Kushtetuese. A është apo jo kushtetues ky ligj? Kjo është pyetja që shtron Gjykata Kushtetuese? Shkoni firmoseni që të mos ju mbetet njolla e turpit me këta që kanë marrëveshjet, me këta që marrin para,me këta që e kanë bërë zullumin.
Butrinti, në fakt, është pasuri kombëtare, është interes publik dhe, sigurisht, që ajo padi bën krenar çdo shqiptar, sepse e keni shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën e vendit; keni shkelur me të dyja këmbët Konventën e Parisit; keni shkelur me të dyja këmbët ligjet e këtij vendi. Mjafton t’ju them një fakt të thjeshtë edhe atyre që i respektoj si ekonomistë: do të ndërtohet një qendër vizitorësh. Në uebsajtine Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit gjeni thirrje për investitorë për ta ndërtuar qendrën e vizitorëve si privatë.
Nuk hapet thirrje nga Agjencia e Prokurimeve Publike; nuk zbatohet ligji për prokurimet publike dhe me të drejtë, sepse në fund të ditës ia kanë dhënë Butrintin një privati, ndaj ai e bën vetë tenderin, ia jep kujt të dojë, pra e zgjedh vetë ndërtuesin që do të ndërtojë brenda pasurisë sonë kombëtare, brenda trashëgimisë sonë kulturore. Pastaj thonë: është shteti aty. Por, nëse do të ishte shteti, duhej të ishin të gjitha rregullat që parashikojnë institucionet shtetërore.
Janë 2,6 milionë euro, nga të cilat 2,1 janë të akumuluara dhe 500 janë të këtij viti, të cilat janë pajë për koncensionarin. Tani nuk kontrollohet më nga Kontrolli i Lartë i Shtetit se çfarë do të bëhet me këto para, jo vetëm me këto, por edhe me ato që do të mblidhen. Përse? Sepse është fondacion privat. Janë 5 individë privatë që kanë krijuar një fondacion, me të cilin kanë marrë Butrintin. KLSH-ja nuk i auditon dot as paratë që janë mbledhur dhe as paratë që do të mblidhen në këta 10 vjet. Pastaj vijnë e thonë: po, këtu është shteti. Nëse do të ishte shteti, atëherë do të ishte edhe KLSH-ja.
Janë 5 individë privatë, njëri më problematik se tjetri. Mjafton t’ju kujtoj të famshmin Richard Hodges, i cili, ndërkohë që ne debatojmë këtu, po gërmon në Butrint, ndërkohë që ne këtu flasim për historinë, ai e shkruan historinë, interpreton gjetjet atje dhe vendos se cila duhet dhe cila nuk duhet të dalë në dritë, cila do të quhet greke dhe cila do të quhet ilire.
Sot keni monopolizuar edhe atë që është trashëgimi e përbashkët kulturore. Butrinti i përket të gjithë njerëzimit, sepse është pasuri e mbrojtur nga UNESCO-ja. Kur erdhi UNESCO-ja, një nga takimet e zhvilloi në Bashkinë e Sarandës. Përse shkoi në bashki? Shkoi në bashki, sepse, si çdo territor brenda një bashkie, duhej të kishte zë në kapitull edhe Bashkia e Sarandës, por me këtë fondacion, që keni bërë, Bashkia e Sarandës ka zero funksione, jo vetëm kaq, por as nuk është pyetur; jo vetëm kaq, por këshilli bashkiak nuk ka votuar asnjëherë për planet zhvillimore që do të bëheshin brenda e jashtë Butrintit, për parkimet që do të ndërtoheshin jashtë apo që do të ndërtohen brenda. Kjo është shkelje e hapur e Kartës Europiane të Autonomisë Vendore, një nga shkeljet e referuara në Gjykatën Kushtetuese.
Morali është shumë i vështirë të kërkohet nga kjo qeverisje; ligjshmëria është, po ashtu, është shumë e vështirë. Unë mendova se do të kishit një lloj turpi nga fëmijët tuaj për ati që do t’u tregonit për historinë e Shqipërisë, një lloj turpi për të kuptuar se jo çdo gjë duhet dhënë me koncesion, jo çdo gjë mund të bëhet mal pazari, jo çdo gjë mund të trajtohet për qëllime fitimi, por trashëgimia kulturore, trashëgimia e përbashkët duhet të trajtohet me disa qëllime përtej fitimit, që nuk e bën dot asnjë fondacion privat, por shteti, i cili duhet të jetë garant për atë që u transmeton brezave të ardhshëm. Ju këtë nuk e bëni dot. Dea sot është e njollosur, por unë i premtoj çdo shqiptari që Butrinti do të fitojë.