Deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërsië | 2021 - 2025
Në nisje të fjalës sime do të desha të përfitoja nga ky moment, sepse dje ka pasur një seancë historike, maratonë, 9 orë, në Gjykatën Kushtetuese, për koncesionin e Butrintit. Dy skandale e kanë shoqëruar dje gjykimin kushtetues, me të cilin mendoj se publiku duhet të njihet dhe duhet të ketë të gjithë informacionin se çfarë ndodhi atje. Skandali i parë është fakti që Këshilli i Ministrave, pra qeveria mbrapa meje, refuzon të zbatojë vendimin e ndërmjetëm të Gjykatës Kushtetuese. Qeveria nuk i zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese ka vendosur me vendimin e ndërmjetëm të datës 11 korrik që subjekti i interesuar, Këshilli i Ministrave, do të duhej t’i sillte të gjitha materialet komunikative me UNESCO-n. Këshilli i Ministrave nuk i ka sjellë ato për 4 vjet: 2020, 2021, 2022 dhe 2023.
Pavarësisht kësaj, ne nisëm procesin e parashtrimeve kushtetuese. Në fakt, kjo është pa precedent, pasi Kushtetuta, neni 132 i saj, thotë: “Vendimet e Gjykatës Kushtetues janë përfundimtare dhe do të duhet të zbatohen”. Nëse ju nuk i zbatoni dot vendimet e Gjykatës Kushtetuese, do të thotë që shteti i së drejtës ka rënë. Do të thotë që hierarkia e normave, e institucioneve, parimi check end balance ka rënë. Ne në Gjykatën Kushtetuese shkojmë me bindjen që vendimet e saj do të zbatohen. Ndryshe, nëse Gjykata e rrëzon koncesionin e Butrintit dhe ju vazhdoni e mbani, atëherë çfarë kuptimi ka që ne t’i drejtohemi gjykatës dhe t’i parashtrojmë të gjitha shkeljet?!
Skandali i dytë lidhet me Kontrollin e Lartë të Shtetit. Ky i fundit ka sjellë një argument brilant sesi duhet të rrëzohet ligji për Butrintit, sepse shkel kontrollin e financave publike, auditimin e financave publike. Por pavarësisht se çfarë ka sjellë në letër, dje, në mënyrë surprizuese, dy anëtarë të KLSH-së thanë me gojë diçka të ndryshme nga ajo që kishin thënë me shkrim dhe kërkuan pajtim midis palëve. Format e presionit të kësaj qeverie janë të ndryshme, por më vjen keq që ne do të duhet ta rikonsiderojmë Kontrollin e Lartë të Shtetit si një organ, si institucion i pavarur, si institucion me integritet, që gjëra të tjera shkruan dhe gjëra të tjera thotë, kur nuk ka ndryshuar ligji dhe nuk ka ndryshuar as titullari i institucionit.
Prandaj e ftoj të reflektojë, t’i qëndrojë asaj që ka sjellë me shkrim, që në fakt është realiteti, që KLSH-ja shmanget nga auditimi i Butrintit, pasi fondacioni trajtohet si një subjekt privat, OJF me fonde private, që nuk mund të auditohet nga KLSH-ja.
Këto dy skandale desha t’i ndaja me ju, për shkak se seanca dje ishte shumë e gjatë, 9 orë dhe ishte e pamundur që në morinë e fakteve dhe parashtrimeve të kalonin dy lajme thelbësore që lidhen me koncesionin e Butrintit. Ajo për të cilën ju garantoj ju dhe çdo shqiptar është se beteja për Butrintin do të fitohet. Është e sigurt që Gjykata Kushtetuese nuk mund t’i mbyllë sytë, sado manovra të përdorni ju përballë shkeljeve kushtetuese. Por një gjë është e sigurt, çfarëdo që të bëni, beteja nuk mbyllet aty, të gjitha format, të gjitha instancat kombëtare dhe ndërkombëtare do të përdoren për të mbrojtur trashëgiminë tonë, Butrintin, për të mbrojtur identitetin, për të mbrojtur historinë dhe për të mos lejuar askënd, për çfarëdolloj interesash, të na tregojë se Butrinti është grek, që ne jemi njerëz me dele dhe që ne nuk e meritojmë atë trashëgimi kulturore, të cilën na e kanë dhënë të parët dhe që duhet t’ua transmetojmë brezave të ardhshëm.
Për sa i përket çështjes së sotme, jam e surprizuar se si vini këtu dhe argumentoni se sa e mirë është që t’ia heqësh të drejtat diasporës. Keni një paradoks shumë të madh. Nëse ne luftojmë, dhe Gjykata Kushtetuese ka vendosur që t’i jepet e drejta e votës diasporës atje ku është, pra të shtohen të drejtat për diasporën, ju vini dhe doni t’ia hiqni të drejtat. Mësojeni se pavarësisht se ku jeton, je shqiptar dhe si shqiptar duhet të trajtohesh në mënyrë të barabartë, se me këtë logjikë që thoni, nesër nuk është çudi të thoni se ata që jetojnë në Konispol do të trajtohen ndryshe nga ata që jetojnë në Tiranë; ata që jetojnë në Bergamo do të trajtohen ndryshe nga ata që jetojnë në Berat. Për ju janë shqiptarë, për ju janë qytetarë shqiptarë dhe ju duhet të bëni gjithçka që t’i ktheni në vend që të kontribuojnë për vendin. Pse nuk thoni: “Nuk i duam as remitancat. Nuk duam as të na vijnë turistë. Nuk i duam paratë e tyre”?
Këtu ju keni shkelur një të drejtë kushtetuese: të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe ligji nuk mund të jetë përjashtues, që disa shqiptarë janë më të mirë se disa të tjerë, që disa shqiptarë, për shkak të karakteristikave të ndryshme të vendbanimit apo të kohëzgjatjes së këtij vendbanimi, të trajtohen në mënyrë të diferencuar. Ata fëmijë janë fëmijë shqiptari dhe kanë shtetësi shqiptare.
Hajdeni na sillni edhe një ligj që t’ua heqim shtetësinë! Hajdeni na sillni një ligj që shqiptarët, që do të lindin jashtë, të mos jenë më shqiptarë, se me këtë logjikë ju po u mohoni të drejtat emigrantëve shqiptarë, atyre emigrantëve që sot bëjnë të mundur që të paktën një pjesë e madhe e pensionistëve shqiptarë të jetojnë vetëm falë të ardhurave të tyre, sepse me pensionin që u jepni ju do të kishin vdekur dhe do të ishin harruar me kohë, sepse nuk u del as për bukë thatë.
Ju keni guximin ta mbroni si një ligj pro shtresave të varfra, kur po u hiqni të drejtën e bonusit të bebes emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe kontribuojnë për Shqipërinë nga vendet e tyre. Ndërkohë që duhet të jeni të parët që duhet të inicioni ndryshime për t’u dhënë më shumë të drejta, për t’i bërë pjesë integrale të sistemit, pse jo, edhe për t’i kthyer që të kontribuojnë në Shqipëri. Kur ne duam t’u japim të drejtën e votës, të gjitha të drejtat e tjera ekonomike, sociale dhe politike janë detyrim; është njësoj sikur të thoni që qendra spitalore “Nënë Tereza” nuk duhet të mjekojë një fëmijë emigranti, sepse ka paguar më shumë sigurime, siç thoshte parafolësi, që marrin edhe ndonjë bonus nga shteti ku jetojnë. Këtë nuk e dimë, sepse varet sesi janë politikat për emigrantët në shtetet ku ata jetojnë. Jo të gjitha shtetet i trajtojnë emigrantët në mënyrë të barabartë me qytetarët e tyre dhe u japin bonuse atyre si qytetarëve të tyre.
Në këtë aspekt, unë ju ftoj që ju të tërhiqeni nga ky turp që po bëni me diasporën shqiptare, të tërhiqeni nga kjo shkelje, që e konsideroj shkelje kushtetuese, sepse nuk i trajtoni të gjithë shqiptarët në mënyrë të barabartë. Ju duhet jo vetëm t’u jepni bonusin e bebes, por të propozoni që të rritet bonusi për të gjithë shqiptarët. Kjo është politikë sociale. Nuk është politikë sociale të vini këtu dhe të gënjeni me shifrat, të thoni: “E kemi ngritur 80% dhe ju e keni pasur 20%”. 80% të cilës? Ju keni ulur numrin e atyre që i konsideroni target-grup për të marrë asistencën sociale. Keni vendosur disa sisteme ku një personi të varfër, që i dhuron komshiu një televizor për fëmijët apo një frigorifer, ju e hiqni nga skema, sepse e quani të pasur dhe, duke i hequr nga skema, duke e zvogëluar skemën, ai 20%-shi duket si 80%, sepse është më i vogël grupi i atyre që përfitojnë. Kjo është logjika me të cilën ju gënjeni me shifrat. Gënjeni me shifrat sepse keni ulur numrin e atyre që ju i konsideroni të varfër dhe konsideroni të pasur atë që ka një televizor dhe një frigorifer, që shumicën e rasteve e ka të dhuruar nga njerëz me zemër të madhe që besojnë në Zot, nga njerëz që e ndihmojnë atë që kanë afër dhe nuk e lënë pa bukën e përditshme.
Sipas jush, kjo do të ishte arsye e mjaftueshme për t’i hequr nga skema, ndërkohë që duhej të ishte arsye që ju skemën tuaj ta forconit, ndihmën ekonomike ta forconit në sasi monetare dhe njerëzve t’u përgjigjeni një për një, sepse ata meritojnë të jetojnë me dinjitet në Shqipëri.
Shumë faleminderit!