Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë për çeshtjen e Butrintit / 21 mars 2024

Në fakt, e nisët siç e keni zakon, duke mos më dhënë të drejtën e replikës me zotin Shalsi, i cili foli qartësisht me emër, foli për çështjet që unë ndjek, por unë po ia kthej përgjigjen tani, se nuk ia lë mangët përgjigjen zotit Shalsi. 

Zoti Shalsi duhet ta dijë se fëmijët e tij, fëmijët e mi dhe fëmijët e shqiptarëve shkojnë në Butrint për të parë Butrintin, jo për të parë lokalet, baret, restorantet apo dyqanet, që do të ndërtojë AADF-ja, si koncensionar i Butrintit. Butrintin që shikojnë sot ne do ta ruajmë, që ta shikojnë gjithmonë njëlloj, me të gjitha vlerat e tij, dhe ta quajmë shqiptar dhe jo grek, edhe pse kjo gjë mund t’i dhëmbë Shalsit apo koncensionarit, meqenëse sot është seanca e fundit në Gjykatën Kushtetuese për koncensionin e Butrintit.  Meqenëse zoti Shalsi kishte dëshirë t’u referohej raporteve ndërkombëtare, keni edhe raportin e UNESCO-s, që është në një vijë me opozitën, dhe ndoshta është më i ashpër seç isha unë. Unë kam thënë se ju e keni përjashtuar Bashkinë e Sarandës nga vendimmarrja e një territori, që është pjesë e territorit të saj, siç është zona A3 e Butrintit, ndërkohë UNESCO e anashkalon këtë gjë dhe thotë se duhen të tria bashkitë: Saranda, Finiqi dhe Konispoli, ku shtrihet i gjithë Parku Kombëtar i Butrintit. Megjithatë, do të jetë një çështje e rëndësishme kur këtu të flasim për  fitoren ndaj këtij koncensioni, kur të flasim për rrëzimin e atij koncensioni, për fitoren e Butrintit dhe për fitoren që do të kenë shqiptarët. 

Sot dua të rikthej në vëmendje që ky Parlament prej gati 6 muajsh miraton, ashtu siç po bën edhe sot, vendimmarrje që nuk shkojnë në interes të qytetarëve, por shkojnë në interes të klientëve të pushtetit, të oligarkëve, në interes të atyre që i kanë fijet e lidhura ngushtë me ministrat apo me Kryeministrin.  

Ju keni kaluar ligjin e lojërave të fatit, një ligj që u shërben klientëve të pushtetit dhe jo qytetarëve; keni kaluar ligjin e zonave të mbrojtura, një ligj që u shërben kryekëput oligarkëve dhe Kryeministrit, duke e shkatërruar përfundimisht Shqipërinë, duke e shkatërruar përfundimisht natyrën shqiptare, duke i shkatërruar  zonat e mbrojtura, duke i bërë ato të pambrojtura, duke na hequr gjithçka që ne mund  t’ua tregojmë me krenari brezave të ardhshëm, gjithçka ku ne mund të jetojmë një jetë të shëndetshme brenda Shqipërisë, si dhe duke e kthyer pronën publike në pronë private vetëm me fermanin e Kryeministrit. Ju keni hequr ekspertët nga planet e menaxhimit dhe keni vendosur që vendimmarrjen ta marrë Kryeministri dhe 

Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit.  Sot mungon ministrja e “ndërtimit”, zonja Mirela Kumbaro, por me siguri në interpelancë do të kemi mundësi ta dëgjojmë se si do ta justifikojë mbrojtjen e mjedisit nëpërmjet betonit, se si mbrohet mjedisi nëpërmjet resorteve, se si mbrohet mjedisi ndërkohë që prona publike shkatërrohet dhe bëhet vilë private e një oligarku. 

Unë jam kurioze, do ta dëgjojmë të gjithë, se çfarë do të thotë Mirela Kumbaro, ministrja e “ndërtimit” të Republikës së Shqipërisë. 

Presidenti i Republikës nuk u ngrit dot në nivelin e institucionit, të cilin ai përfaqëson, në fakt, as në nivelin e presidencës së mëparshme. Ai nuk arriti dot ta kthente këtë ligj në këtë Kuvend, për t’u diskutuar edhe një herë, për t’u dhënë mundësi grupeve të interesit të flisnin, për t’i dhënë mundësi opozitës të sqaronte dhe për t’i dhënë edhe një shans mazhorancës të tërhiqej nga miratimi i këtij ligji. 

Presidenti e barazon veten me Gjykatën Kushtetuese dhe, në fakt, nuk e kupton se është, siç thonë avokatët, një pjesë fundore e një procesi legjislativ, sepse ka mundësi që ta rikthejë në procesin legjislativ, pikërisht për të kërkuar, ndonjëherë, më shumë transparencë, për të kërkuar më shumë llogaridhënie, për të kërkuar më shumë hapësirë transparence, të cilat i mungojnë qeverisë shqiptare dhe Parlamentit shqiptar. Transparenca për ju është fjalë e ndaluar. Çdo gjë duhet të jetë okulte, çdo gjë duhet të jetë e fshehtë, informacioni duhet të merret nga mediet ndërkombëtare dhe pasi informacioni plas në mediet ndërkombëtare, ne kuptojmë se qenka shitur toka e shqiptarëve. 

Transparenca për ju është fetish, ju e keni atje dhe e shikoni si një gjë që nuk mundeni dot që ta realizoni, sepse nuk ju lë korrupsioni, për të cilin jeni po ashtu në raportet ndërkombëtare me sukses të plotë, në rritje në të gjitha qelizat e institucioneve, siç thotë raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit – “korrupsioni kapilar”. Ju keni kaluar në korrupsionin legjislativ, tek ato që janë “ligjet me porosi”. 

Ky Kuvend mblidhet për të bërë ligje, që janë shkruar në zyra të tjera, që janë gati se kush do t’i marrë dhe çfarë do të marrë. Një nga ligjet ka qenë koncesioni i Butrintit, një tjetër ligj është ai i zonave të mbrojtura, si dhe ligji për zgjatjen e investimeve strategjike, dhe është  po Shalsi që e propozoi, i cili erdhi këtu dhe nuk do të vidhte me lezet, pa lezet, me masë, me karar apo pa karar, varet se çfarë fjale ka përdorur, por rëndësi nuk ka fjala, rëndësi ka vjedhja dhe vjedhjen e keni mjaftueshëm të madhe, saqë i keni mbushur qelitë vetëm me ish-funksionarë dhe me funksionarë të Partisë Socialiste, të qeverisë suaj, madje keni ende këtu që presin në radhë dhe unë uroj që ta keni të shpejtë rrugën drejt SPAK-ut dhe të marrin atë që meritojnë. 

Në fakt, transparenca i mungon edhe këtij Kuvendi. Personalisht jam përpjekur gjatë kohës që kemi qenë në protestë në Kuvend për të bërë pak transparencë dhe për të hequr dorë nga transmetimet tuaja me regji qendrore, ku fokusohej vetëm Kryetarja apo nënkryetarja e Kuvendit, për të treguar se çfarë ndodhte realisht në sallën e Kuvendit, ku deputetët protestonin për shkeljen e Kushtetutës dhe Rregullores. 

Shkeljen e Kushtetutës dhe Rregullores ju e keni metodë. Edhe sot ju po përpiqeni ta shkelni Rregulloren, duke mos respektuar të drejtën për procedurë dhe të drejtën për replikë. Diku e tejkaloni, diku nuk e jepni fare, varet se si është zgjuar njëri apo tjetri në mëngjes. Në fakt, Rregullorja duhet të ketë një kut dhe një masë  për të gjithë.  

Në zbatim të Rregullores së këtij Kuvendi, këtë dua ta ngre si një çështje të fundit në diskutimin tim, unë kam kërkuar në Komisionin e Medies, në zbatim të të drejtave që na jep Rregullorja, një seancë të posaçme dëgjimore me drejtorin e paligjshëm të RTSH-së, zotin Alfred Peza. E kam kërkuar këtë dëgjesë nisur jo vetëm nga fakti që ai është vendosur në mënyrë të paligjshme atje dhe Këshilli Drejtues i RTSH-së duhet të marrë masa për shkarkimin e tij dhe për zgjedhjen joligjore që ata kanë bërë, sepse RTSHja është kthyer në një model se si të shkatërrosh jetën e profesionistëve, që kanë mbi 20 vjet që punojnë në medie dhe që japin kontribut në RTSH.  

Në Radiotelevizionin Shqiptar njeriu është pushuar nga puna për një fjalë goje; është pushuar se ka bërë like dikë në Facebook; është pushuar se ka bërë një status në Instagram teksa ka lavdëruar emisionin e tij dhe për logjikë të drejtorit ka sharë të tjerët; është pushuar se ka festuar një festë; është pushuar se ka marrë raport; është pushuar sepse drejtorit i është dukur se e ka parë shtrembër. RTSH-ja ka kaluar në diktaturën e drejtorit, ndërkohë që nuk është një televizion privat, por është një televizion publik, që mbahet me taksat e shqiptarëve dhe që ne do ta paguajmë dyfish. Pra, ne do të paguajmë ata punonjësit e rinj që do të marrë drejtori Peza, ish-deputeti milioner i PS-së, si dhe do të paguajmë të gjithë ata që do të fitojnë gjyqet për pushimet nga puna. Kemi arritur në nivele të tilla, ku Kodi i Punës parashikon ato që quhen “shkarkime masive nga puna” dhe janë mbi 135 punonjës të pushuar nga puna. 

Unë kërkoj që në tagrin tuaj, zonja drejtuese e seancës, por edhe tuajin, zonja Kryetare eKuvendit, t’u kërkoni anëtarëve tuaj në Komisionin e Medies, të cilët nuk ia kanë idenë Rregullores dhe pyesin kuturu se çfarë duhet të bëjnë, të zbatojnë Rregulloren dhe t’u japin anëtarëve të opozitës seancën dëgjimore që kërkojnë. Le të vijë Alfred Peza dhe të japë llogari para Kuvendit dhe para qytetarëve për ato shkarkime masive që ka bërë në RTSH, në kurriz të taksapaguesve shqiptarë, të buxhetit që i jepet nga taksat, se janë 23 milionë euro atje që keqpërdoren dhe vidhen çdo ditë, dhe njerëz që pushohen nga puna, duke u hequr bukën e gojës familjeve dhe njerëzve që kanë 20 apo 30 vjet që japin kontribut në atë medie, që duhej të ishte e të gjithë shqiptarëve dhe jo një hambar për të plotësuar tekat e njërit apo tjetrit. 

Shumë faleminderit!