Fjalim në Kuvendin e Shqipërisë për interpelancën e kërkuar për çeshtjen e Butrintit me Ministren e Kulturës Margariti | 8 Shtator 2022

E nderuar Kryetare, Në fakt, do të kisha dashur të isha sot këtu duke kryer interpelancën, siç do të kishte qenë e udhës, ku edhe zonja ministre do të kishte pasur mundësi të paraqiste para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, por, mbi të gjitha, para qytetarëve shqiptarë, sepse e gjithë beteja politike bëhet për qytetarët shqiptarë, arsyet e saj se pse ka zgjedhur dhe ka vendosur në bordin e menaxhimit të Butrintit një zotëri, i cili quhet Richard Hodges. Richard Hodges, ndoshta për ju është shumë i njohur, sepse keni dëgjuar debate pa fund edhe nëpër komisionet parlamentare, por së fundi kanë dalë në dritë videot e leksioneve të tij në universitetet e Sienës dhe të Romës teksa shprehet dhe flet për Butrintin, për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

Unë do të doja t’ju informoja sot, nëse ju nuk e dini, arsyen kryesore pse unë e kam kërkuar këtë interpelancë. Nëse mundeni? (Shfaqet video.)

Leksionet e plota mund t’i gjeni në Youtube, ose mund t’jua vë unë në dispozicion. Nuk janë jashtë kontekstit, e kuptoj që italishtja e Hodges-it është shumë e çalë, por do të doja t’jua përktheja. Ai thotë që Shqipëria është një vend artificial, i krijuar artificialisht si një vendim politik dhe që në vitin 1913 në pjesën e Jugut, deputete e së cilës jam edhe unë, pra në pjesën e Butrintit dhe të Sarandës, nuk kishte asnjë shqiptar sepse, sipas Hodges-it, atje kishte grekë, toka ishte greke, Butrinti është grek dhe këto territore duhet të jenë nën Greqinë.

Besoj se ju të gjithë këtu, ashtu sikurse edhe unë, nuk e ndajmë këtë opinion. Jo vetëm ne si parlamentarë, por shkenca, arkeologët shqiptarë, historianët shqiptarë, jo vetëm shqiptarë, por edhe ata anglezë, që realisht e kanë studiuar pjesën e historisë dhe të arkeologjisë, nuk ndajnë këtë mendim për popullin shqiptar.

pullin shqiptar. Hodges-i vazhdon e thotë: “Miti i shqiptarëve është ndërtuar nga Enver Hoxha. Enver Hoxha ka shpikur një histori për një popull të lashtë, i cili ndërkohë nuk ekzistonte dhe historianët dhe arkeologët janë detyruar të fshehin e të heqin edhe zbulime sllave që janë gjetur nga frika se mos shpalleshin kulakë”. Për këtë përsëri është një video, e cila është shkëputur nga leksionet e zotit Hogdes, HodgesHoxha. (Shfaqet video.) Donte të tregonte që shqiptarët kanë rrënjë të thella në këtë periudhë.

Pra, edhe historia jonë është e manipuluar dhe vetëm Hodges ka tagrin ta dijë se si është historia e shqiptarëve dhe kujt i takon Butrinti dhe shqiptarët. Po për arkeologët tanë, për ata që realisht kanë punuar me Butrintin, a e dini si shprehet, për ata, të cilët, sipas rregullores së fondacionit do të shkojnë dhe do të marrin leje te Hodges-i për të gërmuar dhe për të restauruar, për të shkruar historinë? Ai thotë: “Arkeologët shqiptarë vinin në mëngjes, shkonin e pinin raki dhe më pas vinin pasdite dhe shikonin se çfarë kishin bërë punëtorët. Nuk kishin metodë restaurimi”. Pra, me demek metodën jua solli Richard Hodges-i.

Richard Hodges këtu është në vitin 1994 (tregon foto), foto e publikuar nga Apollon Baçe, teksa tregon teknologjinë moderne me të cilën ka ardhur në Shqipëri. Janë pikërisht këto karrocat me rrota që mbahen me dorë. Me këtë teknologji ai ka ardhur në Shqipëri dhe kjo është teknologjia moderne që studiuesit dhe arkeologët shqiptarë nuk e kishin.

Sigurisht që antishkencorja dhe sharlatanizmi i takon atij personalisht dhe nuk mund të jemi ne që ta gjykojmë, por ne mund të gjykohemi, prandaj për këtë unë kam kërkuar interpelancën. A duhet që një njeri i tillë dhe me një qasje të tillë ndaj Shqipërisë të jetë në krye të bordit të menaxhimit të Fondacionit të Butrintit? A është kjo e dëmshme për historinë dhe për identitetin tonë? A rrezikojnë shqiptarët që nesër t’ju tjetërsohen gjetjet e Butrintit? A rrezikojnë shqiptarët nëse për këtë 10-vjeçar, që Butrinti i është dhënë fondacionit me koncesion, të bëhen gjetje të reja, të cilat të interpretohen mirëfilli si greke dhe si territor grek? A rrezikojmë ne që përkrah flamurit shqiptar në Butrint të vihet edhe flamuri grek?

Në gjeopolitikë, unë e kam thënë, nuk ka miq dhe armiq të përhershëm, sot jemi miq dhe aleatë, por historia dhe identiteti duhet ruajtur. Pse e kërkova ministren për këtë interpelancë dhe për të cilën ju besoj se do të votoni pro, sepse do të doni ta dëgjoni vetë ministren, sepse ministrja e ka thënë me zë dhe figurë në emisionin televiziv “Opinion”, se është vetë ajo personi që e ka zgjedhur Richard Hodges-in. Ju ftoj ta dëgjoni, sepse pak sekonda është! (Shfaqet video.)

Pra, janë gjashtë propozime, por unë jam shumë kurioze të di se çfarë thanë ata tjerët që qenka Hodges më i mirë që u përzgjodh! Ata 5 të tjerët që kanë konkurruar, cilat kritere nuk i plotësonin për t’u zgjedhur dhe për të qenë në bordin e Butrintit? Se më keq nuk ka, vetëm nëse kanë thënë që vritini shqiptarët dhe poshtë shqiptarët. Le të vijë ministrja të na e tregojë para jush dhe para meje, por, mbi të gjitha, para qytetarëve shqiptarë kur është hapur thirrja për këta njerëz, cilët janë njerëzit, cilat janë kriteret mbi të cilat janë përzgjedhur, pse është përzgjedhur zoti Hodges? A ka këtu klane të tjera për Butrintin që fshihen? A është thjesht lidhja klienteliste, apo thjesht ka parë në CV-në e tij që ka qenë këshilltar i zotit Rama, kur ka qenë ministër i Kulturës? Por besoj se ky nuk duhej të ishte kriteri. Nëse keni pasur kriter njohjen me zotin Rama dhe nëse ka qenë këshilltar i zotit Rama, atëherë po, zoti Hodges i plotëson këto dy kritere.

Së fundi, arkeologët shqiptarë meritojnë më shumë respekt, meritojnë dinjitet, meritojnë që puna e tyre e zbulimeve, të asaj që është Butrinti, sot të mos hidhet poshtë nga një personazh që ka ardhur në vitin 1994. Butrinti ka ekzistuar shumë më parë se Hodges dhe do të ekzistojë edhe kur Hodges të mos jetë në këtë jetë. Kështu që nuk mundeni sot të vini mbi interesat e Butrintit dhe identitetit shqiptar një personazh pa e analizuar nëse është i përshtatshëm ose jo. Në botimet e tij ka të gjithë të drejtën të shkruajë çfarë të dojë për Shqipërinë dhe të ketë qasjen e vet si ta dojë për Shqipërinë, le ta gjykojë shkenca këtë, por ne kemi për detyrë ta gjykojmë nëse është personazh i përshtatshëm për të drejtuar dhe për të qenë ai përfaqësues i shtetit shqiptar në bordin e Butrintit. Kjo është detyra jonë. Që ju ta gjykoni sa më mirë, do të duhet t’i dëgjoni të dyja palët, jo vetëm mua, por edhe ministren, prandaj do të donim të kishim një interpelancë ku të dyja palët të flisnin. E sigurt është që kjo çështje nuk është gjykuar kurrë në Kuvend, pra kriteret si është përzgjedhur dhe deklaratat e zotit Hodges. Unë mund të rri me orë të tëra dhe të flas për dëmet që i sjell ky koncesion Butrintit, sepse e kemi trajtuar dhe e kemi bërë interpelancë, kurse për deklaratat jo, sepse deklaratat publike kanë dalë shumë më vonë.

laratat publike kanë dalë shumë më vonë. Kështu që, të nderuar kolegë, si deputetë dhe si shqiptarë do të duhet që sot t’i kërkoni llogari ministres dhe të tërhiqeni nga vendimi që keni marrë duke lejuar Richard Hodges të drejtojë fondacionin e Butrintit.