Interpelancë me Ministren e Kulturës, Elva Margariti | 16 mars 2023

Faleminderit, drejtuese e seancës!

Në fillim dua të bashkohem me shqetësimin e kolegëve.

(Diskutime nga salla pa mikrofon)Mos u shqetëso, i nderuar, se interpelanca do të bëhet, se mezi po e pres, pasi e kam kërkuar që në nëntor. Skandali “McGonigal” e bëri të lumtur për disa ditë Elva Margaritin, por nuk i zgjati shumë se interpelanca është e detyrueshme të bëhet.

Arsyeja pse unë e kam kërkuar këtë interpelancë…

(Diskutime nga salla pa mikrofon)

Ermonela Felaj – Zoti Braçe, ju lutem, mos i ndërhyni koleges!

Ju lutem, mos krijoni situata të tilla në Kuvendin e Shqipërisë!

Nuk ka dëshirë askush t’u drejtohet kolegëve duke u ndërprerë fjalën, për sa kohë ata kanë të drejtë ta marrin fjalën.

Ndjesë, zonja Zhupa.

Ju lutem, mbani qetësi që të dëgjohet fjala e saj!

Ina Zhupa – Nuk ju shkon kjo fake opozitë tani.

Për sa i përket trashëgimisë kulturore, ne sot do të trajtojmë çështjen e trashëgimisë kulturore në lidhje me qytetin e Durrësit dhe me qytetin e Tiranës.

Ministrja Elva Margariti ka bërë disa deklarata publike, për të cilat unë sot e kam thirrur në interpelancë.

Unë do të doja të ndaja me ju arsyen pse e thirra në interpelancë. (Dëgjohet një audio me zërin e ministres Margariti: “… Besoj biem dakord se, jo të gjithë do të donim të jetonim në qytetin e para 3 mijë vjetëve, sepse ne vetë jemi civilizuar dhe duam të jetojmë me të tjera komforte dhe duam të shikojmë të tjera elemente që mund të sjellin zhvillim edhe për fëmijët tanë. Kur ne jetojmë në një qytet me pallate, nuk e di përse duhet të zgjedhim për fëmijët tanë që të jetojnë brenda rrënojave?)

Koncepti i ministres së Kulturës është “pse duhet të zgjedhim për fëmijët tanë që të jetojnë brenda rrënojave”, a thua se trashëgimia kulturore dhe pasuria kombëtare është bërë për të jetuar brenda tyre.

Koncepti i ministres është që duhet t’i mbulojmë dhe të ndërtojmë pallate, sepse kemi nevojë për të tjera komforte. Pra, në një vend tjetër, një ministre e Kulturës që bën një deklaratë të tillë jo vetëm do të ishte shkarkuar në sekondën e parë, por realisht nuk e di a do ta kishte të lehtë të jetonte më në atë vend, trashëgiminë e të cilit do të donte ta shkatërronte për hir të disa pallateve.  

Kjo është ministrja e Kulturës, e cila jo vetëm vazhdon të jetë ministre e Kulturës, por planet e saj për kulturën i ka të lidhura vetëm me koncesionet. Pra, i vetmi program që ka ministrja e Kulturës për zhvillimin e trashëgimisë kulturore jo vetëm për Tiranën dhe Durrësin (meqenëse sot po flasim konkretisht për Tiranën dhe Durrësin) por për të gjithë Shqipërinë, është koncensioni. Ju e patë që e nisi nga zemra e trashëgimisë kulturore, nga Butrinti, sepse plani i saj i vetëm është koncensioni. Në qoftë se shkoni sot në Durrës, në hyrje të amfiteatrit keni të shkruar këtë pllakat: “Amfiteatri, shekulli II, monument kulture, mbrohet nga shteti”. Reforma që do të bëjë zonja Margariti, risia që do të sjellë në mënyrë të paligjshme zonja Margariti, është që ky pllakat të bëhet: “Amfiteatri, shekulli II, monument kulture, mbrohet nga privatë”, sepse planet e menaxhimit të trashëgimisë kulturore të miratuar nga Ministria e Kulturës (njëri kaloi edhe në këtë parlament), janë se si  trashëgiminë kulturore t’ia japë privatit, se si trashëgiminë kulturore ta japë me koncension për interesa joshtetërore, jo për ta ruajtur, jo për ta bërë atë më atraktive, por për të pasuruar disa privatë, për të shkatërruar një zonë të caktuar, për të ndërtuar në ato zona, siç janë dy rastet që do të trajtoj gjerësisht sot, pjesa e zonës “A” dhe “B” në qytetin e Durrësit dhe Pallati i Brigadave në Tiranë. Në qoftë se duam të fillojmë me Tiranën, mjafton që ju të shikoni atë sheshin bosh, atë gropën e zezë që ka mbetur nga shkatërrimi i Teatrit Kombëtar.

Zonja Ministre foli 4 minuta kur erdhi në komision dhe lavdëroi Piramidën. Ajo tha se si duhen ruajtur vlerat e së shkuarës, sepse është e rëndësishme që t’ua tregojmë edhe fëmijëve tanë. Pra, nuk ishte e rëndësishme që t’u tregonte fëmijëve Teatrin Kombëtar, atje ku kishin dhënë të gjithë kontributin e tyre dhe ku ishte historia e artistëve tanë të popullit, aty ku ishin rekuizitat e jashtëzakonshme të Teatrit Kombëtar, arkitektura e veçantë e tij, ajo që paraqiste një pjesë të historisë së Shqipërisë nuk ishte e rëndësishme. Por, kur vjen puna për të ruajtur objektet e diktaturës, patjetër ato janë të rëndësishme dhe jo vetëm i ruajmë, por krijojmë edhe të reja për të ushqyer nostalgjinë e komunizmit.

Bashkimi Europian, meqënëse e kemi edhe pikë tjetër të rendit të ditës, ka një raport për gjendjen e trashëgimisë kulturore, raporti i fundit i bërë, i vitit 2021. Me siguri ministrja nuk e di, sepse është nga ata ministra që di vetëm se çfarë duhet të japë me koncension, e ka cilësuar Shqipërinë si vend me rrezikshmëri të lartë për shkatërrimin e siteve dhe monumenteve kulturore, duke e vënë me pikë të kuqe. Pika e kuqe nuk është vënë as në vitin 2013, as në vitin 2014, as në vitin 2016, por është vënë në vitet 2020-2021, ku drejtpërdrejt zonja Margariti ka qenë ministre e Kulturës. Kjo është harta, mund t’jua vendos në dispozicion dhe në qoftë se ministrja ka dëshirë, mund t’ia vë në dispozicion edhe raportin.

Kjo është Shqipëria me disa, jo vetëm me një pikë të kuqe. Kjo është Shqipëria e shkatërrimit të identitetit dhe të trashëgimisë sonë kulturore. Sepse, nëse neve sot po na ikin shqiptarët dhe po shpopullohet vendi, ne duam të shkatërrojmë edhe trashëgiminë kulturore dhe çdo gjë që mund ta identifikojë Shqipërinë, që nesër, pasi të ikin shqiptarët e të vinë marokenët dhe algjerianët, të mos kenë asnjë problem që t’ia ndryshojnë edhe emrin, se ju keni shkatërruar çdo gjë që lidhet me Shqipërinë, me shqiptarët dhe me trashëgiminë kulturore.

Këto dy qytete që unë përmenda sot dhe që do t’jua shpjegoj edhe në pjesën tjetër, janë vetëm maja e ajsbergut e asaj që ju keni bërë dhe thoni se UNESCO ka vetëm mendim rekomandues.

Faleminderit!

Zonja Margariti mban rekorde edhe si ministrja që nuk i përfundon dot arritjet e ministrisë së saj në 20 minuta kohë, pra nuk arrin të ketë 20 minuta arritje për një ministri që e drejton nga muaji janar i vitit 2019, pasi aq të shumta janë arritjet, saqë i ngelen edhe 6 minuta kohë, të cilat mund të na i kishte dhënë neve, sepse unë kam shumë gjëra për të thënë.

Këto janë dy planet e menaxhimit: njëri është plani i menaxhimit të zonave A dhe B të Durrësit, ndërsa plani tjetër është menaxhimi i Pallatit të Brigadave.

Ju thatë: “Koncesionet janë në imagjinatën tuaj”. Në fakt, koncesionet janë në Gjykatën Kushtetuese sot, sepse e keni dhënë Butrintin me koncesion. Sigurisht që koncesionet nuk janë vetëm në imagjinatën time, pasi edhe institucionet e tjera kushtetuese e mendojnë si unë dhe kërkojnë shfuqizimin e tyre; mjafton t’ju përmend Presidentin e Republikës, Kontrollin e Lartë të Shtetit, 36 deputetët dhe Avokatin e Popullit. Të gjitha këto institucione mendojnë njësoj si unë, që është një koncesion në shkelje flagrante të Kushtetutës, të Konventës së Parisit dhe të çdo ligji të këtij vendi. Ndërkohë, të vetmit që e mendoni ndryshe jeni ju, që e keni dhënë dhe e keni marrë, Këshilli i Ministrave dhe vetë fondacioni që e ka marrë. Me kaq, njerëzit e kuptojnë se kush qëndron në anën e së drejtës.

Keni të drejtë që e përmendni Butrintin, sepse është “elefanti” në zonë.

A na e thoni dot sot se, çfarë ju tha Audrey Azoulay në takimin tuaj me të? A mund të na thoni se si ka mundësi që vjen drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s në Shqipëri (për të gjithë ju, UNESCO është Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën), takon Kryeministrin Rama dhe ministren Margariti, por nuk ka asnjë foto të saj, asnjë njoftim të saj?!

Zonja Margariti, kjo ka ndodhur sepse Butrinti është “elefanti” në zonë, që ju ka zhytur në paligjshmëri dhe sigurisht që do të fitojë, sado pará të kenë ata që e kanë marrë. Ne i kemi parë amerikanët tuaj, fatkeqësisht, sepse arritët të korruptonit dhe agjentin e FBI-së, ndaj mos i përmendni më, sepse ju i ndotni! Lejojini institucionet dhe shqiptarët, që i shikojnë këto, të thonë fjalën e tyre. Për ju nuk ka kombësi, kur vjen puna për korrupsion. Ju i korruptoni të gjithë: amerikanë, europianë apo çfarëdo qofshin, sepse keni interesa të fortë financiarë, edhe pse bëhet fjalë për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore. Ky është realiteti.

Vjen këtu dhe flet për Teatrin Kombëtar. Mësoje që ishte pjesë e ansamblit historik dhe kishte mbrojtje; mësoje që “Europa Nostra” e shpalli në vitin 2020 ndër 7 vendet më të rrezikuara; mësoje, sepse kishte më shumë vlerë se Piramida! Nëse Piramida është monument kulture, mësoje se Teatri ishte me më shumë vlerë! Sigurisht, nuk mund t’i dish këto, sepse duhet të jesh ministre Kulture që t’i dish, duhet të të dhembë kultura, të të dhembë trashëgimia kulturore, identiteti, ai që ti dhe unë do t’ua transmetojmë fëmijëve tanë, që do të kalojë edhe përtej fëmijëve tanë, edhe për brezat e ardhshëm, për të kuptuar Shqipërinë, të qenurit shqiptarë, për të kuptuar veten e tyre.

 A e dini ju, të nderuar qytetarë, se dikur në Institutin e Monumenteve të Kulturës drejtonin dhe punonin njerëz, si: Aleksandër Meksi, Emin Riza, Gjerak Karaiskaj, Valter Shtylla dhe Apollon Baçe, ndërsa tani në Institutin e Monumenteve të Kulturës i cakton ministrja punonjësit sipas kritereve të njohjeve personale dhe jo të aftësive profesionale, të cilëve nuk u dëgjohet zëri?! Jo vetëm kaq, por arriti deri aty sa në reformën e saj të madhe në ligjin e koncesioneve të vitit 2018, për të cilin zonja tjetër është kumbara, të zhdukte edhe emrin e Gani Strazimirit nga Instituti i Monumenteve. Pse? Sepse kanë aq tmerr nga njerëzit që kanë kontribuar dhe kanë dhënë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, sa duan t’u zhdukin edhe emrin, sikur do t’i zinte frymën emri i një njeriu që kishte dhënë dhe kishte bërë për trashëgiminë kulturore; sepse ju do të bënit krejt të kundërtën dhe aty nuk duhet të ishte emri i një njeriu që nuk vepron si ju. Sipas Kontrolli të Lartë të Shtetit, në dokumente zyrtare, të cilat besoj se ju duhet t’i keni dhe duhet t’i keni lexuar për të kuptuar gjendjen e monumenteve të kulturës, 122 monumente të kulturës janë plotësisht të shkatërruara, 884 kanë nevojë për restaurim, 98 objekte janë të tjetërsuara dhe 15 janë pa kartelë. Për mirëmbajtjen e tyre, problemet i gjejmë që te financimi i pamjaftueshëm buxhetor. Ju kishit rekord edhe si e vetmja ministre që, edhe pse i ulej buxheti, vinte në komision dhe thoshte: “Jam e lumtur që më ulën buxhetin”; e vetmja! Ndërkohë, ministrat duhet të shprehen: kërkojmë më shumë, sepse këto janë në pamundësi dhe duhet të kemi më shumë. Jo, Elva Margariti ishte e lumtur, madje nuk e kishte problem edhe nëse do t’i jepnin më pak, sepse mendonte: “Çfarë do të bëjmë ne? Me koncesion do t’i japim.”!

Problemet i gjen te mungesa e harmonizimit të politikave midis Ministrisë së Kulturës dhe institucioneve të tjera në nivel qendror dhe vendor, por, mbi të gjitha, në vizionin dhe dashurinë që duhet të ketë një ministre e Kulturës për atë që menaxhon, për trashëgiminë kulturore. Këtë nuk jua jap dot unë me detyrim, sado t’ju vendos përpara dokumenteve. Detyra ime është thjesht të informoj qytetarët, t’ju kërkoj juve llogari dhe, sigurisht, t’ju demaskoj, sepse votat për më shumë nuk i kam sot, por, sigurisht, do t’i kem nesër.

Raportet e Tiranës, do ta nis me Tiranën, e nderuar zonjë. Ju sot thatë se Tirana ka zhvillim të madh. E shikojmë zhvillimin gjithandej!

Në raportin e fundit kërkimor, të bërë nga qytetarët e angazhuar, vihet re se monumentet e kulturës janë zhdukur në Tiranë dhe citati më i rëndësishëm është: “Nëse do të shkatërrosh një monument kulture, vendose në statusin e mbrojtur”. Statusi “monument kulture” ka sjellë degradim; degradimi ka sjellë heqjen e statusit “monument kulture” dhe më pas rilindjen atje të një pallati apo të një kulle. Monumenteve të kulturës u mungojnë protokollet e mirëmbajtjes, duke i lënë në degradim. Me kalimin e kohës, objekti bëhet i pabanueshëm dhe banorët e braktisin, siç e braktis edhe shteti, derisa nga ky degradim kalon edhe në degradim strukturor dhe vjen në shkatërrim. Pra, një plan i jashtëzakonshëm se si të shkatërrojmë monumentet e kulturës me ligj dhe me rregulla!

Vetëm në Tiranë, nga viti 2015 deri në vitin 2021, janë zhdukur jo pak, por 37 monumente kulture. Ja ku i keni! Nuk i dini ju këto?! Janë 37. Në një vend normal monumentet e kulturës jo vetëm mirëmbahen, por edhe shtohen, sepse ti mund të identifikosh gjëra të rëndësishme, të cilat mund t’i lartësosh për t’i dhënë vlerë historisë së kulturës, identitetit, ndërsa në Shqipëri bëhet e kundërta: edhe ato që janë degradohen dhe u hiqet statusi, që t’i hapet rruga një ndërtimi. Ky është realiteti, zonja Ministre. Të mos harroj t’ju jap edhe kërkesën.

Nga ana tjetër, për sa u përket projekteve, Bashkimi Europian ka dhënë 40 milionë euro për monumentet e trashëgimisë kulturore. I jemi falënderues, sepse, nëse nuk do të ishte Bashkimi Europian, ne ende sot në Durrës do të shikonim pasojat e tërmetit edhe në trashëgiminë kulturore. Sigurisht, ju nuk mund të mburreni me paratë e Bashkimit Europian, me të cilat edhe abuzoni; ju duhet të mburreni me punën tuaj; ju duhet të mburreni se si do të arrinit (nëse do të arrinit) ta mbronit, jo të thoshit se duhen mbuluar, duhen shkatërruar dhe duhen ndërtuar pallate. A e dini ju, zonja Ministre (ju e dini, sepse e keni prezantuar), që në planin e integruar të zonave arkeologjike A dhe B i jepet me koncesion, njësoj si Butrinti, një privati, dhe privati është i njëjti si në rastin e Butrintit: AADF-ja, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim? A e dini që shkatërrohen banesat e qytetarëve, që kanë një jetë aty? Këto banesa jo vetëm shkatërrohen, merren dhe aty nuk dihet çfarë do të ndërtohet, sepse këta do të thonë: “Turistët do të kenë nevojë të marrin një gotë ujë dhe të ulen diku” (siç thonë për Butrintin, për të ndërtuar në Butrint qendrën e vizitorëve, do të ndërtojnë edhe në Durrës, normalisht, sepse logjika është e njëjtë, përderisa aktorët janë të njëjtë), por qytetarët, në një zonë me vlera të jashtëzakonshme turistike, ku pasuria dhe prona kanë vlerë tjetër, do të shpronësohen me vlera qesharake. Mjafton t’u referohemi të dhënave, ku vetë qytetarët thonë se shpërblimi është 500 euro për metër katror, sipas ligjit, ndërkohë që realiteti është 1000-1500 euro për metër katror, sepse shtëpitë janë në një zonë me vlerë turistike dhe në qendër të Durrësit. Çfarë bëni ju? I përzini ata për t’ua zënë tokën dhe të ndërtojnë disa të tjerë, me idenë që kështu mbrohen monumentet e kulturës. Kështu vidhet prona private, nuk mbrohen monumentet e kulturës. Monumentet e kulturës mbrohen vërtet, nëse ata njerëz largohen duke u dhënë paratë që u takojnë si dëmshpërblim, duke gërmuar në atë zonë, duke e hapur atë zonë, sepse atje ka ende gjëra për t’u zbuluar dhe jo për t’u mbuluar, siç thoni ju. Aty keni bërë një monstruozitet, siç është Veliera. Në Durrës mund të gjesh mure antike brenda pallateve, që është e tmerrshme, dhe arkeologët shqiptarë vënë duart në kokë. Arkeologu Neritan Ceka, thotë: “Nuk kishte se si të ndërtohej pallat aty ku ishte godina, që ka qenë selia e Princ Vidit”, e ashtuquajtura më pas “Shtëpia e Pionierit”, dhe të humbë një shans shumë i madh për t’u ruajtur të dyja monumentet: pallati i Princ Vidit dhe muri rrethues. Ceka thotë: “Skandali thellohet më shumë kur ndërton dhe të ashtuquajturën “Velierë” përballë murit rrethues”, sepse ju, zonja Ministre, nuk keni asnjë koncept për të ruajtur trashëgiminë kulturore, por keni koncept vetëm për ta dhënë me koncesion.

Pse ishte e nevojshme të parashikohej një plan i menaxhimit për Pallatin e Brigadave, për t’ia dhënë një privati, për të ndërtuar një hotel apo për të delimituar zonën brenda parkut të mbrojtur natyror, brenda parkut të liqenit? Pse ishte e nevojshme, kur shumë mirë, siç janë provat, Ministria e Kulturës në Itali, para se të ishit ju Ministre, ka ofruar fonde dhe projekte për ta ruajtur dhe restauruar pa kërkuar asgjë mbrapsht? Jo si modeli juaj: jap 2 milionë euro për të marrë një pasuri të paluajtshme, të jashtëzakonshme, si modeli i Butrintit, ku ai thotë: të jap 4 milionë euro, por ti në shkëmbim më jep një pasuri të paçmueshme; ti në shkëmbim më jep të ndërtoj; ti në shkëmbim më jep t’i marr unë paratë e biletave, paratë e restoranteve, gjithçka tjetër, dhe ta bëj si dua unë e të mos i jap llogari as Kontrollit të Lartë të Shtetit! Ky është modeli që keni edhe për Pallatin e Brigadave, edhe për zonën arkeologjike në Durrës; i njëjti model, të cilit i keni hapur rrugë me ligjin e trashëgimisë kulturore në vitin 2018. Meqenëse erdhi rasti, po ju them se keni 7 muaj që nuk e kaloni për miratim në komisionet parlamentare, por i kaloni seancat e komisioneve duke bërë një prezantim, më pas, pas 3 muajve, një prezantim tjetër, sepse e harruat prezantimin e parë, më pas një riprezantim me një relacion batakçi, që e kishit sjellë ju, dhe e shtyni. Ndërkohë, ai ligj është “thembra e Akilit”, sepse hap rrugën për koncesionet, hap rrugën për politizimin e tejskajshëm; ai ligj na ka katandisur këtu ku jemi, ku ju mund të thoni për çdo sit arkeologjik, për çdo monument kulture: “Nuk e bëj dot unë. T’ia japim privatit me koncesion për 10-20 vjet”, të cilin e zgjidhni ju pa garë, pa asgjë, duke shkelur çdo rregull dhe çdo normë. Gjithashtu, prej 4 muajsh ju kam kërkuar informacion për Butrintin. Hera e fundit është data 14 shkurt, ku kam vënë në dijeni edhe Gjykatën Kushtetuese. Dijeni, zonja Margariti: harrojeni se mund t’i fshihni këto informacione, sepse do të keni detyrimin nga Gjykata Kushtetuese për t’i sjellë! Nëse stafi juaj nuk ju ka vënë në dijeni për shkresën e fundit të datës 14 shkurt të këtij viti, do t’jua jap unë këtu një kopje, të firmosur edhe nga sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit. Ja ku e keni, me vulë! Në këtë mënyrë, ju nuk mund të thoni se nuk e dinim këtë informacion, sepse po jua jap publikisht.

Siç e patë, nuk morëm një përgjigje se çfarë u ka thënë drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, para shqiptarëve; më duhet ta di, sepse nuk e ka takuar si shoqe, por si ministre dhe për çështje publike.

Qasja që zonja Margariti dhe kjo qeveri kanë ndaj trashëgimisë kulturore është e barabartë dhe njësoj (mund ta gjeni në çdo manual) me qasjen që kanë pushtuesit në vendet që pushtojnë. Pushtuesit kanë këtë qasje, sepse duan të rrënojnë çdo cep të identitetit, çdo cep të kulturës, duhet ta tjetërsojnë, të ndërtojnë mbi atë, për të krijuar kultin e vet dhe të pushtetit të ri që po rilind. Kjo është qasja që ka kjo qeveri ndaj trashëgimisë kulturore! Koka e kësaj qasjeje nuk është zonja Margariti, sepse në këtë rast është vetëm një ganxhë në të gjithë këtë qasje, por është vetë Kryeministri Edi Rama. Kjo qeverisje, siç mund ta kuptoni, i shkatërron monumentet e kulturës, ia jep privatit me koncesion, vjedh fonde, i shkarkon dhe i zëvendëson njerëzit që punojnë në trashëgiminë kulturore, ata që kanë vlera, me njerëz që kanë bërë intership-e dhe followship-e nga fondacione private, dhe i denigron profesionistët edhe publikisht. Kjo është qasja.

Nëse doni të dini qasjen tonë, shikoni prezantimet e dy kandidatëve për Tiranën dhe për Durrësin: Igli Cara dhe Belind Këlliçi, meqenëse na kërkuat shembull se si është modeli ynë, për të kuptuar se si ndryshon modeli juaj i shkatërrimit të trashëgimisë kulturore, i shembjes së trashëgimisë kulturore në mes të natës, në mes të pandemisë, i dhënies me koncesion të trashëgimisë kulturore në mënyrë të paligjshme dhe duke shkelur Kushtetutën, nga një model që u përgjigjet nevojave të qytetarëve dhe tregon se si qytetet kthehen në vende identitare, ku, që të vizitosh një qytet, të mos kesh veç kullën për të vizituar, të mos kesh koncesionin në emër të një privati, por të vizitosh identitetin. Ju nuk e kuptoni këtë, por qytetarët e Tiranës dhe të Durrësit, meqenëse interpelanca ishte për këto dy qytete, e kanë kuptuar, fatmirësisht, dhe shenjën e duhur do t’jua japin më 14 maj, ku masivisht do të votojnë për Igli Carën dhe Belind Këlliçin, nga koalicioni “Bashkë fitojmë”.

Bashkë do të dëgjohemi në interpelancën e radhës, me humbjen tuaj të këtyre dy qyteteve, dhe për dëmet që keni bërë në trashëgiminë kulturore, por jo vetëm.

Faleminderit!